Emri i Rexhep (Kep) Arapit është gjendur gjithnjë në periferinë e raportimeve mediatike, megjithëse përfshirja e tij në kronikën policore është e gjerë dhe e shtrirë ndër vite.
60-vjeçari dhe familjarët e tij kanë bërë të gjitha përpjekjet që ai të qëndrojë larg reflektorëve mediatikë, pavarësisht problematikave që kanë shoqëruar jetën e tij.
Zyrtarisht, Kep Arapi menaxhon nga selia e tij në Sukth të Durrësit një lokal dhe pronat e fituara me trashëgimi apo të blera. Jo zyrtarisht, emri i tij ka qarkulluar në dosje trafiku droge, shfrytëzim prostitucioni dhe përfshirje në grup kriminal.
Megjithatë, sa herë që ai është arrestuar, raportimet mbi emrin e tij janë shuar si flakë kashte.
Në vitin 2021, ai u arrestua për armëmbajtje pa leje, por duket se nuk qëndroi gjatë në qeli.
Në fund të marsit të vitit 2023, Rexhep Arapi (Kep Rapi) u arrestua në Rinas, për llogari të autoriteteve italiane, ku ishte dënuar me 7 vjet burgim për “organizim të emigracionit të paligjshëm”.
Pas këtij arrestimi, askush nuk mësoi mbi fatin e mëtejshëm të Kep Arapit, deri sa ai u arrestua sërish në 22 dhjetor të vitit 2023, nën dyshimet e SPAK-ut si i përfshirë në një grup kriminal.
Kep Arapi dyshohet nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) se, në bashkëpunim me ish-oficerin e Policisë, Dedan Gjoni dhe persona të tjerë, kishin përgatitur kushtet për vrasjen e “rivalit” të Kepit, Rexhep Plaku, i quajtur ndryshe edhe “Akili”.
Të dhënat për përgatitjen e atentatit u zbuluan pasi autoritetet franceze zbërthyen komunikimet në platformat e kriptuara “Sky” dhe “Encrochat”.
Detaji interesant në arrestimin e Kep Arapit ishte që ai u prangos në kushte lirie, në shtëpinë e tij. Ky detaj ngriti pikëpyetjen se si ai kishte arritur të lirohej, ndërkohë që u arrestua vetëm pak muaj më parë për llogari të Italisë.
“Gijotina” ka gjetur dosjen, ku është shqyrtuar masa e sigurisë për efekt ekstradimi për Arapin. Nga aty kuptohet se për disa njerëz, prangosja është një proces që jo vetëm ndodh rrallë, por edhe nuk zgjat shumë.
Arrestimi në Rinas
Në datë 29 mars 2023, oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas, ka mbajtur procesverbalin e arrestimit për qëllime ekstradimi të shtetasit Rexhep Rapi (Arapi), i datëlindjes 11.01.1963.
Sipas këtij procesverbali, rezulton se rreth orës 06:30 të asaj dite, gjatë përpunimit të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albania” Tiranë-Stamboll, nga ana e kontrollorëve të policisë kufitare në aeroportin e Rinasit është ndaluar në sportelet e daljes shtetasi Rexhep Rapi.
Ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi nga kontrolli në sistemin TIMS dhe më pas nga korrespondenca me Zyrën Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, është konfirmuar me email (dt.29.03.2023, ora 08:19), se ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, në datë 2 mars 2023, pasi Gjykata e Apelit e Genovas, me vendimin Nr. 324/2013, datë 06.12.2013, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vite burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vite, për kryerjen e veprave penale “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, parashikuar nga legjislacioni penal Italian.
Pas identifikimit të personit është bërë arrestimi i tij provizor, me qëllim ekstradimin. Nga kontrolli personal, këtij shtetasi nuk i është gjetur send i kundërligjshëm, veçse pasaportës dhe biletës së udhëtimit.
Oficeri i policisë gjyqësore ka njoftuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për arrestimin e kryer, duke i bashkëlidhur dokumentacionin. Po në këtë datë, kjo prokurori i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i kërkuar vleftësimin e ligjshëm të arrestimit të shtetasit Rexhep Rapi (Arapi) të kryer nga policia gjyqësore për qëllime ekstradimi dhe caktimin e masës së sigurimit arrest në burg.
Në kërkesë, prokuroria është shprehur se arrestimi i këtij shtetasi është bërë konform Kodit të Procedurës Penale, pasi policia gjyqësore ka qenë përpara një rasti të ngutshëm dhe se ndaj këtij personi është paraqitur kërkesa për arrestim të përkohshëm.
Sipas Prokurorisë, Personi i arrestuar është i njëjtë me atë që kërkohet; ekziston një urdhër arrestimi ndërkombëtar; autoritetet gjyqësore kanë paraqitur të dhëna të hollësishme për veprën penale për të cilën është dënuar dhe identifikimin e autorit; ekziston rreziku i ikjes, pasi personi është larguar nga Mbretëria e Bahrin për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Me vendimin Nr. 687, datë 30.03.2023, Gjykata eRrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndër të tjera: “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë për qëllim ekstradimitë personit nën hetim Rexhep Rapi (Arapi). Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim Rexhep Rapi (Arapi), i datëlindjes 11.01.1963, atë të “Arrestit në burg”.
Po ashtu, gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën për shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje dhe kalimin e saj në gjykatën e Durrësit, për faktin se Kep Arapi është banues në qytetin bregdetar.
“Zbutja” në Durrës
Pasi mori kompetencën, Gjykata e Durrësit zhvilloi seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë për Kep Arapin, në 6 prill 2023.
Prokuroria e Durrësit ritheksoi qëndrimin se ndaj tij duhej caktuar masa provizore e arrestit me burg, deri në mbërritjen e dokumentacionit të plotë nga Italia për ekstradimin e personit të arrestuar.
Avokati i Kep Arapit i kërkoi Gjykatës së Durrësit caktimin e një mase më të butë sigurimi, pasi personi i kërkuar ndodhet i shtruar në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, shërbimi infektiv, në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Avokati paraqiti vërtetimin Nr. 110 Prot, datë 31.03.2023, të lëshuar nga QSUT, ku shefja e Shërbimit Infektiv, konfirmonte se pacienti Rexhep Arapi, i datëlindjes 11.01.1963, është hospitalizuar në shërbimin infektiv, i ardhur nga urgjenca e sëmundjeve të brendshme në orën 17:00, të datës 29.03.2023, me kartelë Nr. D022018, me diagnozë Urosepsis.
Avokati shtoi gjithashtu se klienti i tij nuk ka pasur dijeni se është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe se ai është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Rinasit. Qëllimi i vajtjes në Stamboll ka qenë për një kurim më të mirë të sëmundjes prej së cilës vuan.
Më tej, avokati garantoi se Kep Arapi do të jetë në dispozicion të organit procedues, ndërsa ai shtoi se nga komunikimi që ka pasur me avokatin mbrojtës në Itali për këtë rast, i është konfirmuar se në vitin 2018 masa e dënimit për shtetasit Rexhep Rapi (Arapi) i është konvertuar me shërbim prove. Për të provuar këtë fakt, mbrojtësi paraqiti dokumente të marra nga Av. Antonio Buondonno, nëpërmjet email, të papërkthyera në gjuhën shqipe.
Gjykata: Kepi është sëmurë
Gjykata e Durrësit, pasi dëgjoi palët, vlerësoi se kërkesa për arrest është e legjitimuar, vepra për të cilën është dënuar Kep Arapi në Itali, është e rëndë, dënimi i mbetur (4 vjet) është i gjatë dhe se pala italiane ka ndërmend që të vijojë procedurat e ekstradimit.
Pra, në këtë hyrje, të shtjelluar gjerësisht nga gjykata e Durrësit në vendimin e saj të datës 6 Prill 2023, fati i Kep Arapit dukej se ishte i vulosur dhe ai do të duhej të qëndronte pas hekurave.
Por, pikërisht, në momentin e dispozitivit të vendimit, gjyqtari i çështjes u tregua “i butë”, duke artikuluar për Kep Arapin masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Për gjykatën, “rezulton e provuar se shtetasi Rexhep Arapi paraqet probleme shëndetësore, të konfirmuara këto me vërtetimin Nr. 110 Prot, datë 31.03.2023. Gjykata vlerëson se kjo masë duhet të ekzekutohet në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, shërbimi infektiv, ku personi i kërkuar Rexhep Rapi (Arapaj) ndodhet momentalisht dhe më pas në banesën e tij të ndodhur në Fermë, Sukth, Durrës”.
Në këtë mënyrë, Kep Arapi mbeti jashtë qelisë, derisa u arrestua sërish në dhjetor 2023, por kësaj radhe në bazë të hetimit të kryer nga SPAK-u.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post