Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar ashper me anë të një letre publike, e cila është publikuar nga avokati i tij Ermal Yzeiraj, në lidhje me dosjen e “Sterilizimit”, e cila kaloi për gjykim dhe ish-ministri do të ulet në bankën e të pandehurve për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Në letër, Beqaj akuzon gjyqtaren për të cilën thotë se e quajti “hajdut” pa dhënë asnjë provë dhe pa i dhënë atij mundësinë e reagimit.
Madje, ai bën edhe një krahasim me komisionit hetimor për këtë çështje të drejtuar nga Albana Vokshi. Beqaj thotë se gjyqtaren, Berishën dhe Vasilin do t’i thërrasë si dëshmitarë.
“Deklaratë publike e Z. Ilir Beqaj
Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Z. Ilir Beqaj, në emër të tij po përcjell këtë deklarim publik:
Së pari, dua të falenderoj të gjithë ata që kanë shprehur mbështetje dhe besim tek e vërteta që unë dhe të tjerët po mbrojmë në Gjykatë në lidhje me çështjen e koncesionit “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, që rëndom cilësohet vetëm si “çështja e sterilizimit”, duke reduktuar ndjeshëm në opinion publik gjithë komponentët përbërës të saj.
Gjysma e përballjes sonë në Gjykatë lidhet me të vërtetën e kësaj çështjeje dhe provave të saj të pakundërshtueshme. Gjysma tjetër ka kohë që lidhet vetëm me pengesat artificiale dhe të paligjshme që na u krijuan vazhdimisht gjatë këtij procesi, i cili para së gjithash duhet të garantonte të drejtat minimale të të akuzuarve, për të kuptuar akuzën, për të marrë provat ku bazohet akuza, për të folur dhe për të patur në sallë prezencën e medias.
Ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis procesit hetimor që zhvilloi Albana Vokshi si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar të kallëzimit të saj dhe procesit gjyqësor që zhvilloi Gjyqtarja e seancës paraprake. Të dyja proceset zgjatën me muaj të tërë dhe të dyja dështuan duke përfunduar me urdhra dhe skema për të mbyllur gojën time.
Albana Vokshi mori urdhër për të më mbajtur dy ditë peng në Kuvend pa më dhënë të drejtën për të folur dhe për t’u mbrojtur nga akuzat e saj disa vjeçare.
Edhe Gjyqtarja në fund të procesit gjyqësor mori një vendim absurd dhe të pazakontë që të gjithë të heshtnin dhe të mos flisnin për thelbin e çështjes – akuzën e re që ajo shpiku në fund të procesit. Kjo ishte dhe arsyeja e “shpërthimit” tim ndaj masakrës që ajo i bëri procesit gjyqësor dhe të drejtave tona procedurale si të pandehur.
Gjyqtarja vendosi që të mos shpjegonte/arsyetonte vendimin e saj të ndërmjetëm kur ftoi prokurorët që të korrigjonin akuzën, e cila ishte në thelb një akuzë totalisht e re. Dhe për këtë kishte një arsye. Në Njoftimin e Akuzës nga prokurorët dhe në provat bashkëlidhur nuk kishte asnjë provë që përligjte ngritjen e kësaj akuze të re. Si unë, si të akuzuarit e tjerë, si avokatët tanë dhe mbi të gjitha si vetë Prokurorët e çështjes, i kërkuam asaj që të shpjegonte arsyet e këtij qëndrimi dhe në cilin fakt apo provë të akuzës ajo bazohej për të pretenduar që në rastin konkret unë isha “hajdut” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Për më tepër që ky është një detyrim ligjor i saj dhe një e drejtë e pamohueshme e imja për të kuptuar akuzën e re që më bëhej.
I ngjashëm ka qenë reagimi im në fund të dy proceseve. Tek procesi hetimor parlamentar duhet patjetër të reagoja kur Ina Zhupa dhe Albana Vokshi e mbyllën gjithë atë “pengmarrje” timen pa dashur kurrsesi të më jepnin fjalën. Ndërsa tek procesi gjyqësor vendosa të mos qëndroja më në sallën që më mbajti peng nëntë muaj dhe në fund Gjyqtarja jo vetëm heshti në mënyrë të paligjshme, por edhe na mbylli gojën ne të tjerëve, të akuzuarve, mbrojtësve tanë ligjorë dhe prokurorëve.
Natyrshëm që Berisha dhe Vokshi e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares. Të njëjtës gjyqtare që i hoqi masën “arrest shtëpie” Sali Berishës. Të dy këta, si edhe Petrit Vasilin, do t’i thërras dëshmitarë në gjyq. Të ma thonë në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy t’u them përgjigjen time”, mbyllet reagimi i Ilir Beqajt.
Për të njëjtat akuza SPAK do të kërkojë të bindë gjykatën edhe për ish-zëvendësin e Beqajt tek Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, një nga përfituesit e kontratës koncesionare 100 milionë euroshe të Sterilizimit.
Gjashtë të pandehurit e tjerë të çështjes do të gjykohen për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Gjatë shqyrtimit paraprak Beqaj u tërhoq edhe nga kërkesa për gjykim të shkurtuar, çka do të thotë që të gjitha provat e SPAK kundër tij do t’i nënshtrohen debatit gjyqësor njëra pas tjetrës e po ashtu, në rast fajësie, ai nuk përfiton ulje të dënimit.
Seanca paraprake ndaj Beqajt dhe të bashkëpandehurve zgjati gati 10 muaj dhe procesi mori një kthesë të fortë ndaj tij në fund të dhjetorit, kur SPAK pranoi sugjerimin e gjykatës për të rikualifikuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Beqajt, Rrjepajt e Rrapajt.
Para shpalljes së vendimit Ilir Beqaj nuk i kurseu akuzat ndaj gjyqtares paraprake Flojera Davidhi, duke pretenduar se ajo kishte dëmtuar procesin dhe ishte e ndikuar politikisht.
Discussion about this post