Në një seancë maratonë, SPAK dhe përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve për aferën e incineratorit të Elbasanit parashtruan para Gjykatës së Posaçme të Apelit pretendimet e tyre, duke kërkuar të dyja palët prishjen e vendimarrjes. SPAK kërkoi dënim edhe për veprën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa të pandehurit kërkuan pafajësi.
Për 8 orë e gjysmë, trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit, kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtarë gjyqtarët Saida Dollani dhe Engert Pëllumbi, dëgjoi të premten më 25 tetor, konkluzionet dhe kërkimet e palëve në procesin për aferën e incineratorit të Elbasanit.
Procesi pason atë të shkallës së parë, ku ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 5 vjet e tetë muaj burg për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave më 5 tetor 202. Gjykata dënoi gjithashtu me nga 6 vjet e 8 muaj burg të akuzuarit si organizatorë të skemës korruptive, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ndërsa pronarja e Albtek Energy, Stela Gugallja u dënua me 4 vjet e 8 muaj burgim. Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako fitoi pafajësinë për këtë çështje. Vendimi u ankimua nga shumica e të pandehurve dhe nga SPAK.
Gjatë seancës të premten, kryesuesja e trupës vërejti një vendimarrje të ndërmjetme të mëparshme për pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK për përsëritje të pjesshme të gjykimit dhe u kërkoi përfaqësuesve të akuzës që të vijonin me paraqitjen e provave të reja.
Kraja nënvizoi se këto shkëmbime email-esh provojnë se Bllako i ka bërë me dije Mërtirit përmbajtjen e vendimit të këshillit, si dhe vërtetojnë komunikimin mes tyre. Avokatët e të pandehurve kundërshtuan duke theksuar se këto rrethana nuk përbëjnë prova të reja, pasi janë trajtuar me detaje në shkallën e parë.
Prokurori Klodian Braho konstatoi se nga këqyrja e pajisjeve të gjetura gjatë kontrollit të banesës së Zotos, janë siguruar të dhëna që tregojnë se atij i është njoftuar më parë kontrata. Sipas Brahos, dy email-e nuk janë analizuar fare nga gjykata e shkallës së parë. Megjithëse këto veprime nuk u konsideruan si vepra penale prej organit të akuzës, u vërejt se ato provojnë njohjet dhe komunikimet mes Bllakos dhe të pandehurve si organizatorë të aferës.
Në vijim, prokurorët e SPAK parashtruan dhe ankimin dhe kërkimet e tyre për të pandehurit. Ata kundërshtuan vendimarrjen e shkallës së parë për rrëzimin e akuzës së shpërdorimit të detyrës për Kokën dhe Bllakon. Sipas prokurorëve, arsyetimi i shkallës së parë se shpërdorimi i detyrës nga ana e Kokës përthithet nga vepra penale e korrupsionit nuk qëndron, pasi paligjshmëritë janë kryer në kohë të ndryshme. Ata argumentuan se, edhe nëse procedurat për incineratorin e Elbasanit do të kishin qenë të rregullta, korrupsioni do të ekzistonte veçmas, e për rrjedhojë duhet konsideruar edhe shpërdorimi i detyrës.
Po ashtu, prokurorët theksuan se Bllako ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe detyrën e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
SPAK kundërshtoi edhe rrudhjen e vlerës së korrupsionit nga ana e gjykatës së shkallës së parë në 45 milionë lekë. Sipas prokurorëve, në mënyrë të gabuar gjykata nuk ka konsideruar të ardhura të përfituara nga disa shoqëri që kanë vepruar me fatura fiktive dhe që kanë lidhje me Kokën. Ata theksuan se provohet se krijimi këtyre shoqërive tregtare është pjesë e të njëjtit plan kriminal dhe janë krijuar me qëllim transferimin e vlerave monetare për llogari të Kokës, pasi lidhen me vetë atë, me familjarët dhe bizneset e tij.
Kraja dhe Braho sollën në vëmendje se në seancën paraprake të kalimit të çështjes për gjykim, nuk janë konstatuar probleme me akuzat e ngritura ndaj të pandehurve. Në përfundim, ata kërkuan dënimin e Kokës dhe Bllakos për shpërdorim detyre dhe konfiskimin e pasurive, sipas kërkesës së paraqitur në gjykimin e shkallës së parë. Konkretisht, u kërkua dënimi i Kokës me 4 vjet për shpërdorim detyre dhe në total më 10 vjet, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 6 vjet e 8 muaj. Edhe për Bllakon u kërkua dënimi me 4 vjet burgim për shpërdorim detyre, që me gjykimin e shkurtuar përfiton uljen e 1/3-ës, duke mbetur përfundimisht dënimi me 2 vjet e 6 muaj.
Ish-ministri Lefter Koka ishte vetë i pranishëm në sallën e gjyqit. Ai qëndroi për orë të tëra në kafazin e xhamit dhe paraqiti qëndrimin e tij, pas mbrojtes nga avokatët të cilët parashtruan me hollësi pretendimet dhe kërkimet e tyre.
Ata kundërshtuan si vendimin e shkallës së parë, ashtu dhe pretendimet e prokurorëve, duke këmbëngulur se Koka nuk e ka shpërdoruar detyrën, si dhe se nuk mund t’i atribuoheshin përfitime të parregullta lidhur me të ardhurat e një shoqërie në emër të vëllait të tij të ndjerë. Duke i cilësuar pretendimet e prokurorëve si supozime, ata argumentuan se nuk provohen lidhjet shkak-pasojë. Ata vërejtën se, kur kontratat kanë qenë të ligjshme, nuk ka arsye që të jenë fiktive. Sipas avokatëve, prokuroria nuk arrin të provojë kalimin e shumave në favor të Kokës. Në vijim ata e cilësuan pozicionin e ministrit si një rol politik dhe jo teknik.
Faturat fiktive u konsideruan si pjesë e një skeme me TVSH që nuk mund të ngarkojnë të pandehurin me veprën penale të korrupsionit, pasi nuk kanë lidhje me atë. Po ashtu, u pretendua se nuk ka pastrim parash, pasi kur nuk ka korrupsion nuk ka para të paligjshme.
Përfaqësuesit e Kokës u shprehën se çështjet e incineratorëve të Fierit dhe Elbasanit duhej të ishin hetuar e gjykuar bashkarisht. Sipas avokatëve, Koka ka po dënohet dy herë për të njëjtën gjë dhe duhet të mbahet në konsideratë.
Ata kërkuan pafajësi, megjithatë i kërkuan gjykatës që në rast se nuk bindet për pafajësinë të uli dënimin duke u mbajtur në konsideratë mosha e të pandehurit, gjendja e tij shëndetësore, faktin se është dënuar dy herë dhe se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit, si dhe uljen e vlerës së korrupsionit.
Po ashtu, në rast se deklarohet fajtor, u kërkua që shteti të mbajë të sekuestruar vetëm pjesën e vlerës së korrupsionit në Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe t’i kthehen të pandehurit aksionet e tjera.
Edhe ish-ministri Lefter Koka e cilësoi akuzën të manipuluar dhe theksoi se prokurori Arben Kraja lexoi kallëzimin e deputes Monika Kryemadhi, pa i hequr asnjë presje.
“Unë nuk jam peshku i madh. Peshkoni tek telefoni i Monika Kryemadhit, atje do dalë korrupsioni”, deklaroi Koka në seancë.
Në vijim ai pyeti se si ka mundësi që impjanti i mbetjeve në Vlorë i ndërtuar po nga Klodian Zoto, që ka kushtuar më shumë se projekti incineratorit të Elbasanit, nuk hetohet.
“Unë isha ideatori? Unë i shpika koncesionet? Binduni që nuk jam unë peshku i madh dhe nuk do ta luftoni korrupsionin me Lefter Kokën. Në një moment u gjeta në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar”, deklaroi Koka ndër të tjera.
Një prej avokatëve të ish-deputetit socialist, Alqi Bllako u largua nga seanca dhe tjetri kërkoi shtyrje, me pretendimin se i duhej ta kombinonte mbrojtjen me kolegun. Po ashtu, ai tha se Bllako ka shprehur vullnetin për të qenë i pranishëm, por për shkak të një ndërhyrje kirurgjikale e kishte pasur të pamundur të vinte të premten.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues e rrëzoi kërkesën për shtyrje dhe i kërkoi përfaqësuesit të Bllakos të vijonte me mbrojtjen. Më vonë atij ju bashkua edhe kolegu i tij dhe kërkuan pafajësi për të pandehurin Alqi Bllako. Ata argumentuan se Bllako ka pasur vetëm funksione mbështetëse e këshilluese. Sipas tyre, Bllaku nuk mund të vendoset në përgjegjësi ligjore për veprimet e anëtarëve të komisionit apo të ministrit. “I pandehuri nuk ka pasur ndoikim tek koncesioni pasi ka luajtur vetëm rolin e koordinatorit”, thanë ata.
Sipas mbrojtësve të Bllakos, shpallja e emergjencës mjedisore ishte kryer nga ana e komitetit ndërkominstror dhe se i pandehuri nuk ka pasur asnjë ndikim aty.
Edhe avokatët e Mirel Mërtirit, Stela Gugallias, Klodian Zotos, Pëllumb Abeshit dhe shoqërive të marra të pandehura, kërkuan prishjen e vendimit dhe pafajësi për të përfaqësuarit prej tyre.
Në përfundim, trupi gjykues u tërhoq për vendim që u njoftua se do të shpallet më datë 8 nëntor, në orën 14:00. /birn/
Discussion about this post