Më 26 shkurt, Komisioni Evropian i paraqiti vendeve anëtare Raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme, IBAR, për grupkapitullin e parë, Themeloret.
Në dy mbledhje të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet Negociuese me BE (COELA), më 6 dhe 13 mars, Raporti është diskutuar nga ambasadorët e vendeve anëtare, të cilët fillimisht do duhet të arrijnë një dakortësi në parim, përpara se ta miratojnë. Një proces kompleks që kërkon unanimitet.
Këshilli i Bashkimit Evropian u ka deklaruar dy televizioneve shqiptare se ky proces ka mbetur në një pikë. Këshilli shpjegoi se “Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje mbi të ashtuquajturin ‘draft pozicion i përbashkët i ndërmjetëm i BE-së për Grupkapitullin e parë’.”
Nuk ka një afat të paracaktuar brenda të cilit COELA duhet të dalë me një vendim. Por në rastin e Shqipërisë, përgjigja nuk duket se do të jetë e shpejtë.
“Ka gjasa që edhe shumë mbledhje të tjera të COELA-s ta trajtojnë këtë çështje në javët dhe muajt në vijim”, thuhet në reagimin e KE.
Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Miratimi i IBAR-it është pengesa e radhës për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupkapitujve.
Shtyrja në kohë e miratimit, dëshmon se mes vendeve anëtare, ka nga ato që kanë ngritur pikëpyetje. Burime diplomatike shpjegojnë se në krye të tyre qëndron Gjermania, anën e së cilës kanë mbajtur dhe disa shtete të tjera.
Ditën kur parlamenti shqiptar do të duhej të shprehej me votë për kërkesën për arrestimit të ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ambasada gjermane në Tiranë, doli me një deklaratë që dukej se e lidhte vendimmarrjen me ecurinë e bisedimeve me BE-në. Me të njëjtin tekst, u shfaqën më vonë dhe Holanda e Suedia.
Këshilli u shpreh se nuk mund të jepte detaje për qëndrimet e shteteve anëtare.
“Ndarja e një informacioni të tillë do të rrezikonte seriozisht të dëmtonte pozicionet negociuese të shteteve anëtare, si dhe përpjekjet e presidencës për të arritur një kompromis apo marrëveshje brenda Këshillit dhe organeve të tij përgatitore”, thuhet në reagimin e KE.










Discussion about this post