Ashtu siç parashikohej studentët që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 kanë braktisur auditorët dhe janë ngritur në protestë përballë sheshit “Nënë Tereza”, ndërsa pritet të zhvendosen drejt Ministrisë së Arsimit kundër vendimit të marrë, për vaksinim të detyrueshëm.
Në fillimin e këtij viti të ri akademik, ata janë lënë jashtë dyerve të fakulteteve ndërsa, çka ka shkaktuar revoltë dhe përplasje edhe me policët.
Sakaq, një senator i Universitetit të Tiranës, është shprehur për mediat se studentët do të nënshkruajë një peticion, ku synojnë që brenda kësaj jave ta dorëzojnë pranë Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë.
“Sot u paraqita me një test PCR negativ. Nuk jam vaksinuar akoma. Ky test është shumë i shtrenjtë dhe duhet bërë çdo javë. Kemi menduar të bëjmë një peticion dhe t’ia drejtojmë Kryeministrisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit duke kërkuar që studentëve t’u ofrohen teste PCR falas. Peticioni po nënshkruhet nga shumë studentë dhe po punojmë që deri të premten të kemi 5 mijë nënshkrime që ta dorëzojmë pranë institucioneve përkatëse”.
Për t’u ulur në auditore, studentët duhet të paraqesin në hyrje certifikatën e vaksinimit, vërtetim që kanë marrë një dozë, vërtetim nga mjeku që ua pamundëson vaksinimin, vërtetim që kanë kaluar Covid, ose test PCR negativ çdo javë.
Nis viti i ri akademik, hyrja në auditore me certifikatë vaksinimi ose test PCR, studentët paralajmërojnë protestë
Studentët janë rikthyer sot në auditorët e universiteteve, pas më shumë se një viti bllokimi për shkak të prezencës së COVID-19. Në Fakultetin Ekonomik, nuk lejohen të hyjnë studentë që nuk paraqesin test vaksinimi, të paktën me një dozë të bërë, ose test PCR. Ky rregull po zbatohet në të gjitha universitetet e kryeqytetit dhe në ambientet e brendshme janë ngritur struktura të posaçme, që aplikojnë dozat vaksinave.
Për studentët që janë skeptikë për të kryer vaksinimin, zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka lajmëruar se në auditorë do të shkojnë ekspertë për të sqaruar të gjithë studentët lidhur me të mirat që sjell bërja e vaksinës, e për të siguruar se në të shumtat e rasteve nuk paraqet efekte anësore.
Ndërsa, në hyrje të Fakultetit Histori Filologji në Tiranë, një student ka hedhur akuza ndaj punonjësit e administratës, duke thënë se ky i fundit diskriminon studentët e pavaksinuar.
“Ku jemi këtu në komisariat për të bërë shoqërime? Për të vëretuar gjëra formale. Diferencimi i studentëve jo po ti je me vaksinë, jo po ti je i pavaksinuar. Çfarë është kjo gjë, a keni lek me bo 60 mijë lekë test ju? Ku i keni të drejtat si studentë, kapini me fytyrë e pështyjini. Protestë, protestë në orën 10:00. Kam ardhur me pa a na lënë të hyjmë. Vetëm 15% e studentëve janë të vaksinuar. Ju që nuk doni të vaksinoheni mos bini pre e këtyre. Me hapa ligjorë, do të protestojmë, jo me shtyrje. Kapini kamerat, shihni ça fytyrash kanë”, – shprehet studenti.
Më herët, Komiteti Teknik, por edhe vetë Kryeministri Rama ka lajmëruar se të gjithë studentët duhet të vaksinohen, në të kundërt rrezikojnë të humbasin vitin akademik. Ndërsa, mbetet për t’u parë në qoftë se ditën e sotme do të ketë përplasje apo edhe protestë të zhvilluar nga studentët , të cilët janë skeptik karshi vaksinimit me detyrim.
Nis sot viti i ri akademik, a do të pranohen në auditore studentët e pavaksinuar?
Pas pothuajse dy viteve të vështira për shkak të pandemisë dhe tërmetit studentët nisin sot vitin e ri akademik 2021-2022 në auditorë. Kusht për zhvillimin e mësimit në universitete është duke paraqitur certifikatën e vaksinës ose një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë, ose duke paraqitur një test PCR negativ. Nëse studenti nuk paraqet asnjërën nga kushtet e vendosura, nuk do lejohet të futet brenda auditorit.
Në vendimin e datës 24 shtator Ministria e Arsimit urdhëroi drejtuesit e Universiteteve që për studentët e pavaksinuar të merreshin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative. Por 3 ditë më vonë, pika nr. 4 e urdhrit u ndryshua, dhe në fuqi u la vetëm kushti që studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit nëse duan të hyjnë në institucionet e Arsimit të Lartë.
Në një prononcim për mediat rektori i UT, Artan Hoxha, tha se mbi 50% e studentëve janë vaksinuar dhe se pikat e vaksinimit në fakultete do të vijojnë që të funksionojnë për të gjithë ata studentë që nuk e kanë të mundur që të vaksinohen. Rektori pohoi se studentët që vijnë për herë të parë në Universitet janë më të vaksinuarit.
Por nga ana tjetër deri më tani janë raportuar shifra të ulëta të studentëve të vaksinuar në të gjitha rrethet. Të rinjtë kanë kërkuar që vaksinimi të mos jetë i detyrueshëm.