Procedura e prokurimit publik për pastrimin e njësive administrative Himarë, Horë dhe Vranisht është mbyllur me shpalljen e kompanisë ALKO IMPEX CONSTRUCTION si operator ekonomik kontraktues, ndërsa sistemi i monitorimit të prokurimeve ka evidentuar indikatorë të kategorisë “RedFlag”.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e monitorimit të prokurimeve publike, autoritet prokurues është Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Himarë, në varësi të Bashkia Himarë, e drejtuar nga kryebashkiaku Vangjel Tavo.
Objekti i kontratës është shërbimi i pastrimit për njësitë administrative Himarë, Horë dhe Vranisht, ndërsa financimi realizohet nga buxheti i bashkisë.
Fondi limit i parashikuar për këtë procedurë ka qenë 256,568,919 lekë pa TVSH, ndërsa procedura është zhvilluar si marrëveshje kuadër me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar. Në garë kanë marrë pjesë katër operatorë ekonomikë: “Pastrime Silvio” shpk, “Rej” shpk, “Alko Impex Construction” shpk dhe “Fusha” shpk.
Në përfundim të procesit, fituese është shpallur ALKO IMPEX CONSTRUCTION, me ofertë 254,379,766 lekë pa TVSH, për një kontratë me kohëzgjatje 36 muaj. Tenderi është shpallur më 8 prill 2025, ndërsa fituesi është njoftuar më 20 maj 2025.
Megjithatë, sistemi i analizës së riskut ka evidentuar indikatorë të kategorisë “RedFlag”, të cilët lidhen me skualifikimin e të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit si dhe me skualifikimin e ofertës me vlerë më të ulët. Sipas shpjegimit të platformës së monitorimit, këta indikatorë përdoren për të identifikuar procedura që mund të paraqesin rrezik potencial për konkurrencën ose për respektimin e standardeve të prokurimit publik, edhe pse nuk përbëjnë automatikisht provë për shkelje ligjore.
Në dokumentacionin e tenderit thuhet se operatori ekonomik “Pastrime Silvio” shpk është skualifikuar pasi xhiroja e tre viteve të fundit nuk ka përmbushur kriterin financiar të kërkuar. Ndërsa kompania “Fusha” shpk është skualifikuar pasi nuk ka paraqitur dokumentacion që vërteton disponimin e një ambienti brenda territorit të Bashkisë Himarë që do të shërbente si pikë parkimi për mjetet dhe organizimin e shërbimit.
Sipas të dhënave të publikuara, pas përfundimit të afatit ligjor nuk është paraqitur asnjë ankesë nga operatorët pjesëmarrës në procedurë.










Discussion about this post