Tani që po afrojnë zgjedhjet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po kujtohet edhe për lagjet periferike. Këtë herë karremi për të lëvruar fonde është zona e Freskut. Një zonë kjo që ka filluar të popullohet së fundmi dhe janë krijuar lagje të mëdha, por që prej vitesh nuk është vënë dorë as në rrugët kryesore të saj.
Janë të shpeshta denoncimet që në rrugët e freskut janë shembur trotuaret, shpërthejnë tubat e ujit në asfalt apo bllokohen pusetat. Por pavarësisht se çdo 4 vjet drejtuesit e njësisë administrative premtojnë investime, gjithmonë kanë marrë votën edhe nuk janë dukur më andej.
Tashmë që rrugët janë amortizuar plotësisht dhe sa herë që bie shi situata rëndohet. Kur pamë këtë tender kujtuam se Veliaj po reagon. Por, në plan të parë është përvetësimi i fondit për këtë kontratë. Këtë e realizon përmes një tenderi fiktiv me biznese që janë favorizuar haptazi në shkelje të ligjit mbi për prokurimet.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rikualifikimi i Bllokut që Kufizohet nga Rrugët “Mahmut Allushi” – “Ramazan Lici”- “Muhamet Deliu” – “Sotir Caci”. Kjo zonë është e mjaft e vizituar edhe nga turistët, pasi atje gjejnë shtëpi me qira për të vizituar më pas pikën Bunkart1, për t’i ngjitur me teleferik dhe për të bërë hiking në Malin e Dajtit.
“Në zonën e Freskut kalojnë disa linja urbane dhe me e ngarkuara është linja e Pocelanit. Korsitë e rrugëve dhe kthesat duhet te trajtohen sipas standardit te kërkuar në lidhje me autobusët urbane’, përshkruhet në dokumentet e tenderit.
Kjo zonë ka vërtetë nevojë për ndërhyrje dhe bashkia ka vënë në dispozicion afro 4.7 milionë euro për këtë qëllim. Por është e dyshimtë nëse ky projekt do të realizohet me cilësi apo në afatin e kontratës. Dyshimi forcohet duke parë kohën e zgjedhur për të kryer punimet, kur fillojnë shirat, duke shtuar edhe manipulimin e procedurës së prokurimit. Për këtë po ju tregojmë abuzimin që ka bërë Lali Eri përmes këtij prokurimi.
Shkeljet në prokurim
Garë është hapur qysh më datë 9 korrik 2024 dhe është mbyllur më datë 24 korrik, kur janë paraqitur 10 oferta. Janë kompani të njohura, por në këtë tender janë lënë jashtë loje.
Që në fazën e parë komisioni i Erion Veliajt ka skualifikuar 9 oferta, ky vetëm për njërën është dhënë argumenti se u përjashtua për shkak që ka “ofertë anomalisht të ulët”. Kuptohet se po ta frysh fondin limit për të kënaqur kompanitë e favorizuara, ofertat ekonomike rezultojnë anomalisht të ulëta. Duke parë diferencën e ofertave dhe fondin e palnifikuar rezulton një diferencë prej 1. 6 milion euro. Ofertat e tjera ishin të gjitha pothuajse në një nivel, mesatarisht 3 deri në 3.5 milionë euro.
Por, kjo nuk përbëri rëndësi për Veliajn! Njerëzit që autorizon Veliaj për të firmosur kanë të qartë se mund të shkojnë edhe në dyert e SPAK-ut, por e kanë marrë përsipër këtë rrezik sepse kanë mbrojtje politike. Pra në tender u favorizua oferta e bashkimit të operatorëve “B93 II” shpk – “ELMAZAJ KONSTRUKSION” shpk – “B-93” shpk, me vlerë 3 milionë euro. Metoda e përdorur është “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit”.
Duke vlerësuar riskun e korrupsionit, Open Data Albania ka ngritur “Flamurin e Kuq” për këtë prokurim.
I njëjti pronar me dy kompani
Por cilët janë biznesmenët e paracaktuar të merrnin këtë fond të bashkisë Tiranë? Veliaj përveçse ia ka dhënë këtë tender “miqve” të tij, është siguruar që shuma më e madhe të shkojë për familjen Liçaj, të cilët janë përfshirë me dy firmat e tyre në këtë ofertë.
“B93 II” shpk është në pronësi të Ardit Liçajt, ndërsa firma B-93 në pronësi të Shpëtim Liçaj dhe Dashnor Liçajt, të afërm mes tyre. Këto dy kompani zakonisht operojnë sëbashku për të mbuluar kështu mungesat e njëra tjetrës, pasi njëra nuk asnjë licencë.
Gjithsesi prej vitesh ata janë përfitues të shumë tenderëve, sidomos nga bashkitë Durrës dhe Tiranë.
Sakaq, edhe firma “ELMAZAJ KONSTRUKSION” shpk në pronësi të Mirel dhe Shkëlqim Elmazajt nuk qëndron pas për përfshirje në korrupsionin me tenderat. Një nga këto është ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në një zonë të Vlorës.
Afera është finalizuar në shkurt të vitit 2021. Këtë tender asaj kohe e fitoi firma Gener 2 e Bashkim Ulajt pa garë, ndërsa e kanë thelluar më tepër aferën duke përfshirë edhe firmën “ELMAZAJ KONSTRUKSION” shpk.
Kjo e fundit ka kryer punimet për ujësjellësin dhe pse nuk ishte e përfshirë në kontratë dhe nuk i plotësonte kriteret. Alarmi për këtë rast është ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2023, siç tregohet në dokumentin më sipër.
Kujtojmë se kryetari i bashkisë Tiranë është thirrur në SPAK dhe është marrë në pyetje në lidhje me skandalin e inceneratorit, si dhe për korrupsionin me tenderat në kuadrin e dosjes “5D” ku rezultojnë disa vartës të tij të arrestuar dhe shumë të tjerë nën hetim.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post