Plot 75 milionë lekë do të shpenzojë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj për “riorganizimin dhe integrime të reja në platformën dixhitale” të Bashkisë. Me pak fjalë, 75 milionë lekë për një “refresh” sistemi. Qenka bërë bashkia si NASA. Por këto para nuk shkojnë në hiç, se Lali Eri ia jep një mikut të tij të vjetër.
Konkretisht, bëhet fjalë për tenderin me objekt “Përmirësime, riorganizime, integrime e zhvillime të reja të platformës zyrtare në institucion”. Prokurimi është mbyllur me datë 5 janar dhe sipas Open Data Albania, ka një sërë shkeljesh dhe hapësira për abuzime.
Tenderi është shënuar me “Flamur të kuq”
Ndërsa në dokumente evidentojmë veprimet që janë bërë në kundërshtim me ligjin. Së pari, Veliaj ka shkelur rregullin e konkurrencës. Për këtë projekt kanë paraqitur oferta 2 kompani. Por njëra prej tyre është skualifikuar prej fillimit me justifikimin se nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.
Kështu, në garë mbeti vetëm firma “SOFT & SOLUTION” SH.P.K. Tenderi nuk u përsërit. Pa zhvilluar një garë dhe pa ndjekur pikat që sugjeron ligji në këto raste, Veliaj e shpalli fituese këtë kompani. Pra, ka nisur edhe viti 2023 me tenderë pa garë dhe shpërdorim të fondeve të qytetarëve të Tiranës.
Gjithashtu, bie në sy se kompania fituese ka paraqitur ofertën sa 98% e fondit limit. Theksojmë se kompania e skualifikuar ka ofruar të kryejë këtë shërbim me 65 milionë lekë. Pra 10 milionë lekë më lirë se fondi limit dhe se fituesi. Kjo është anashkaluar nga Bashkia Tiranë, duke regjistruar një tjetër shkelje.
Fiton kompania pa licencë
Ndërkaq, në një pikë të dokumenteve standarde thuhet se: “Operatori ekonomik duhet të jetë i pajisur dhe të paraqesë certifikatat e lëshuara nga organizmat e vlerësimit të konformitetit. Të jenë të vlefshme, e që kanë lidhje me objektin e kontratës, si më poshtë. ISO 9001, ose ekuivalente, për sistemin e menaxhimit të cilësisë. ISO 20000-1 ose ekuivalente, për sistemin e menaxhimit të shërbimit të teknologjisë së informacionit. ISO 27001 ose ekuivalente, për sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit; Në rastet e Bashkimit të Operatorëve ekonomik, çdo anëtar i grupit duhet të paraqesë çertifikatat ISO”.
Por, nga verifikimet e bëra me të dhënat e firmës të regjistruar në QKB rezulton se SOFT & SOLUTION” SH.P.K nuk i posedon këto certifikata. Kompania disponon vetëm licencë për X.2.B – Formim profesional dhe VX – Licencë “Për subjekt financiar jo-bankë”. Kështu, Lali Eri bën pazare me firma të palicencuara, ndërsa bizneseve të tjera në kryeqytet ua mori frymën me një sërë taksash dhe procedurash.
Lekët shkojnë tek Ermal Beqiri
Lali Eri i ka shkelur këto rregulla për të kënaqur mikun e tij Ermal Beqiri. Ky i fundit ka qenë drejtor informatik i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Që asaj kohe, Beqiri i jepte dhjetëra tendera firmës, të cilën e kishte të regjistruar në emër të Arjola Koromanit. Kjo është administratore, por pronari me 100% të aksioneve është vetë Ermal Beqiri. Ai është një zyrtar, i cili përveçse ka vjedhur kur punonte te Hipoteka, arriti të fshinte të gjitha serverët që mund të nxjerrin zbuluar qeverinë dhe abuzimet që bëheshin me regjistrimet e pronave.
Duke futur në lojë edhe kompaninë “SOFT & SOLUTION” SH.P.K, përmes të cilës mori miliardat, Beqiri abuzoi me sistemet dhe nuk u penalizua kurrë.
Aferat e Beqirit
Pas fitores së qershorit 2013 nga koalicioni PS-LSI, Beqiri u mor edhe si konsulent i qeverisë për hetimet e brendshme mbi skandalin e serverit të Tatimeve. Me kryerjen e detyrës delikate, Beqiri më pas u shpërblye me emërimin si drejtor informatik i Hipotekave.
Ndërkohë, një bashkëpunëtore e Ermal Beqirit, Arjola Koromani, kishte krijuar shoqërinë informatike Soft & Solutions, e cila deri në vitin 2014 llogariste një xhiro prej vetëm 10 milionë lekësh në vit. Por, pas emërimit të Beqirit në Hipotekë, puna eci ndryshe.
Më 17 gusht 2015 Soft & Solutions fitoi nga ZRPP (Hipoteka) një garë me vlerë 3.894.000 lekë për blerjen e disa softëare-ve: në garë ishin edhe dy ndërmarrje të tjera, por natyrisht atë e fitoi Soft & Solutions.
Më 28 gusht Soft & Solutions fitoi një garë të dytë nga ZRPP, në bashkëpunim me një ndërmarrje tjetër, me një vlerë prej 9 milionë lekësh.
Më 14.12.2015 fitoi një garë të tretë, gjithnjë të shpallur nga ZRPP, me një vlerë prej 3.250.000 lekësh për blerje software-sh: në garë ishte edhe një subjekt tjetër, që ofron çmim më të ulët, por natyrisht është Soft & Solutions ajo që fitoi.
Por më 22 dhjetor 2015, shënohej goditja e parë e madhe.
Soft & Solutions bashkë me një firmë tjetër fitoi nga ZRPP një garë të katërt, me vlerë 26.579.000 lekë.
Këtu, pak a shumë siç ndodhi me 300 byzylykët që duhej të dorëzoheshin brenda një afati rekord prej dy javësh, në shpalljen e garës saktësohej që dorëzimi i një moduli të posaçëm dixhital duhej të bëhej “brenda 31 dhjetorit”, në kulmin e festave të fundvitit. Edhe për këtë nuk ka konkurrentë të tjerë dhe Soft & Solutions fiton me një skonto prej vetëm 87 mijë lekësh.
Sqarojmë se tenderi i byzylykëve u fitua nga kjo kompanji në vitin 2017, kur u nënshkrua kontratën për furnizimin me 300 “pranga” elektronike dhe me software-in e administrimit të tyre. Këto do të shërbenin për kontrollijn e të dënuarve me arrest shtëpiak apo me kusht.
Nga dita që u bë drejtor kompania “lulëzoi”.
Vetëm në katër muaj të vitit 2015, Soft & Solutions fitoi, nga zyra që drejtohej prej Ermal Beqirit, tendera me një vlerë të përgjithshme katër herë më të madhe se e gjithë xhiroja e deklaruar nga shoqëria në bilancet e vitit 2014.
Pranë selisë së Soft & Solutions në adresën rruga Hoxha Tahsim, nr. 2, kati 2 në Tiranë, është regjistruar edhe shoqëria Forensic Lab, që më parë ishte me seli tek zyrat e Ermal Beqirit.
Biznesi mes Soft & Solutions dhe ZRPP mund të ketë qenë edhe më i madh se kaq! Në vitin 2016, ZRPP hapi garë me vlerë 296 milionë lekë (të reja), gati 2.5 milionë euro, për dixhitalizimin e 51 shërbimeve të hipotekave.
Dukje parë këtë historik abuzimesh, këto para që i jep Lali Eri mikut Beqiri, duken vetëm si “lekë xhepi”. Gjithsesi, e sollëm këtë shembull për t’i treguar SPAK-ut se të njëjtët personazhe po vazhdojnë të vjedhin pa u shqetësuar paratë e taksapaguesve shqiptarë!
Lexo edhe:Erion Veliaj, 800 mijë euro për trotuaret e “Myslym Shyrit”
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post