Kriza e punonjësve nuk ishte pasojë e shkaktuar nga COVID-19, sikundër u përfol pas daljes nga karantina. Tre vite pas izolimit prej virusit, bizneset vazhdojnë të lëngojnë për punonjës, për të gjitha profesionet elementare e deri tek ato më profesionale.
Ndërtimi, fasoneria, bujqësia, industria përpunuese, shërbimi apo turizmi sot vuajnë mungesën e punonjësve, dhe kjo është shkaktuar nga emigrimi masiv.
Sipas ekspertëve të këtij sektori mungesa e punonjësve ishte e paralajmëruar pasi biznesi prej dekadash nuk i ka vlerësuar dhe i ka keq paguar.
“Kërkesat më të larta janë për punë elementare që nuk preferohen jo vetëm nga pagat e ulta por edhe për shkak se për të njëjtën punë në Europë paguhesh minimalisht 4 herë më shumë”, thotë eksperti Erion Muça.
Pavarësisht rritjes së pagave ndër vite, ato konsiderohen të pamjaftueshme në këto kushte ekonomike ku çmimet janë rritur ndjeshëm, duke vështirësuar jetesën. Në këto kushte largimi nga Shqipëria është zgjidhja e shumë qytetarëve.
Pagat lënë pa punonjës vendin!
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në tremujorin e tretë të vitit pagat u rritën me 9.2% (në rritje përfshihen shpërblimet dhe shtesat mbi pagë). Në dukje kjo është një rritje e konsiderueshme por në fakt nuk është reale për xhepin e qytetarëve, kjo pasi pagat e tyre janë zhvlerësuar nga rritja e vrullshme e çmimeve. Nëse pagat në periudhën korrik-gusht-shtator u rritën me 9.2%, në këtë periudhë vetëm ushqimet dhe i pijeve joalkoolike janë shtrenjtuar me 13.7%, duke e bërë këtë rritje të pagave të pavlefshme në xhepin e qytetarëve.
“Paga ka një rol po aq të lartë sa dhe kushtet e tjera të lidhura me aspekte jo materiale me qëllim të ndjerit mirë në ambjentin e punës apo klimën dhe hapësirën e nevojshme për zhvillim dhe promovim të brendshëm. Sa më i lartë të jetë inflacioni dhe standartet e jetesës në një vend dhe sa më e lartë nevoja ekonomike e punëkërkuesve aq më shumë rol të lartë merr paga si instrument referimi për një vendimarrje dhe qëndrim apo largim nga një pozicion pune”, thotë Muça.
Si pasojë e kushteve të vështira ekonomike, mundësive të pakta dhe mos vlerësimit në punë shumë të rinjë dhe jo vetëm zgjedhin të largohen nga shqipëria, për një jetë më të mirë.
Një nga fushat që prej kohësh vuan mungesën e profesionistëve është shëndetësia, pasi me qindra punonjës të bluzave të bardha janë larguar nga Shqipëria, kryesisht në drejtim të Gjermanisë. Eksodi vijon edhe tani në sy të institucioneve që nuk bëjnë asgjë për ti mbajtur në vend. Në portalin publik ‘Shoqata e Infremireve të Shqipërisë’, gjenden njoftime për punësime të bluzave të bardha në Gjermani, Itali etj.
Manifaktuar është një tjetër sektor që vuan prej kohësh mungesën e punonjësve. Burime pranë këtij sektori pohojnë se kanë nevojë për 15-20 mijë punonjës. Më herët ata kanë kërkuar edhe ndihmë nga shteti për të marrë edhe punonjës të huaj. Fasoneria është një nga sektorët që punëson më shumë qytetar në vend, por pagat gjithmonë janë vlerësuar të ulta.
Edhe pse në vend nuk ka një bilanc të saktë se sa është numri i punonjëve që kërkon i gjithë biznesi, në çdo rrugë të Tiranës shikohen tabela që kërkohen punonjës për pozicione të ndryshme pune.
Por teksa biznesi vazhdimisht ankohet për fuqinë punëtore të dhënat e INSTAT, flasin për një realitet kontradiktor pasi janë mbi 77 mijë punëkërkues të regjistruar në sistem në fund të muajit shtator 2022, nga rreth 70 mijë punëkërkues që ishin në fund të vitit 2021.
Pra vihet re një rritje e numrit të qytetarëve që kërkojnë të punësohen, edhe pse ka vende të lira pune, duke dëshmuar edhe një herë se problemet e mbartura të tregut po frenojnë qytetarët të punojnë.
“Shumë kompani dhe subjekte kanë një qasje aspak mikëpritëse në trajtimin e punonjësve duke krijuar një imazh negativ në treg që nxit mosaplikimin dhe mosinteresimin për të mos aplikuar për të punuar me ato”, thotë eksperti për çështjet e punësimit.
Nga ana tjetër është rritur shkalla e inaktivitetit në vend. Lezha, Dibra dhe Tirana kanë numrin më të lartë të personave që nuk janë aktivë në punë, po ashtu edhe numrin më të lartë të papunësisë.
“Qytetarët refuzojnë të punojnë sepse ajo që marrin në këmbim është shumë më pak se ajo që ofrojnë e më pak akoma nga ajo që duhet konform standarteve normale e komode të jetesës. Ata nuk pranojnë më mosvlerësimin, mungesën e motivimit apo trajtimin shpërfillës dhe përbuzës të punëdhënësit”, thotë Muça.
Mungesa e motivimit të punonjësve dhe pagat jo të mira, po shtyjnë dita ditës qytetarët jashtë vendit.
Lehtësohen proceduart për punonjës të huaj!
Prej kohësh shumë sipërmarrje kërkojnë nga shteti që të lehtësohen procedurat në mënyrë që ata të marrin punonjës të huaj, por në shumicën e rasteve punonjësit vinin nga Bangladeshi, Nepali, Filipinet etj,,, dhe produktiviteti i tyre ishte minimal.
Eksperti Erion Muça pohon se tregu i huaj ofron për Shqipërinë vetëm profesionet elementare, pasi pagat që ofron shqipëria nuk janë tërheqëse. Madje në shumicën e rasteve të huajt që vijnë në vendin tonë e përdorin atë për të dalë në një shtet tjetër të Evropës ku pagat janë edhe më të larta. Për këtë arsye eksperti thotë se duhet që sipërmarrjet fillimisht të bëhen tërheqëse për punonjësit vendas dhe më pas ti drejtohen shteteve të huaja për punonjës.
“Tregu i huaj është një opsion për profile pune elementare për të siguruar mbarëvajtjen e kompanive të ndryshme por pak për profile me një kualifikim të lartë pasi rrezikon të rritë papunësinë në vend. Në këtë kuadër do të propozoja që kompanitë me nevoja të tilla të përmirësojnë pagën dhe paketën e benefiteve për të punësuarit dhe ti promovonin sa më shumë ato për tu bërë së pari atraktivë dhe joshës për punonjësit vendas e në mungesë të tyre me pas ti drejtoheshin tregut ndërkombëtar”, pohon Muça.
Por duke qenë se nuk ka përmirësim të situatës në tregun e punës, dhe ccdo ditë sipërmarrja po përballet me mungesë të fuqisë punëtore shteti po lehtëson kushtet për të marrë punëtor nga jashtë.
Prej datës 6 shkurt 2023, punësimi i të huajve do të bëhet përmes një procedure të unifikuar online, njoftoi Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave shpjegohen hapat që punonjësit e huaj të marrin një leje unike. Kjo leje do të merret dhe do të ripërtërihet sipas udhëzimit përmes sistemit elektronik.
Në pikën tre të udhëzimit thuhet se:-“ Për kategoritë e të huajve, punëmarrës, punonjës stinorë, të transferuar brenda ndërmarrjes, punonjës me kualifikim të lartë, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale, kërkesa shqyrtohet fillimisht nga autoriteti përgjegjës rajonal/vendor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), që mbulon territorin ku i huaji kryen aktivitetin”.
Kurse në pikën 10 të këtij udhëzimi sqarohet se do të zyra e kufirit dhe migracionit do të informojë periodikisht Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për të huajit.
“Autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin informon periodikisht AKPA-në nëpërmjet sistemit elektronik online, për fillimin e punësimit të të huajit në bazë të deklarimit të punëdhënësit”, thuhet në udhëzim.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post