Një sasi lënde plasëse është konstatuar mëngjesin e kësaj të hëne pranë makinerive të një kompanie inertesh në zonën e Spaçit, në Mirditë, duke ngritur alarmin tek punonjësit e subjektit.
Sipas informacioneve paraprake, eksplozivi është pikasur nga punonjësit e kompanisë gjatë nisjes së punës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Fatmirësisht, lënda plasëse nuk ka shpërthyer dhe nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, ndërsa pritet edhe ndërhyrja e forcave xheniere për të bërë çaktivizimin në mënyrë të kontrolluar të lëndës plasëse. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar personat që mund të jenë përgjegjës për vendosjen e saj pranë makinerive të kompanisë.
Ky episod vjen vetëm një ditë pas një tjetër rasti të përdorimit të lëndës plasëse në vend. Mbrëmjen e djeshme në Lezhë, një sasi tritoli iu vendos një automjeti në pronësi të një efektivi policie.










Discussion about this post