Një ish polic në Kavajë, denoncoi në Fiks Fare një ngjarje të ndodhur në 4 maj 2022 në komisariatin e atij qyteti, ku u vetëvar 31-vjeçari Ilvi Meta me lidhësen e kapuçit të bluzës, vetëm disa orës pas arrestimit ku akuzohej për disa vjedhje në Kavajë.
Behxhet Berberi thotë se ka qenë polic i thjeshtë dhe pas ngjarjes është arrestuar dhe dënuar. Ai është përjashtuar nga policia. Behxheti akuzon ish shefat e tij, sërish në detyrë, që i shpëtuan hetimeve dhe dënimeve, megjithëse ata kanë pasur për detyrë kontrollin e të ndaluarit.
“I jam drejtuar Fiks Fare se jam arrestuar padrejtësisht. Unë jam arrestuar në datën 4 maj 2022. Më arrestuan shefi i SHKB-së se kam qenë në turnin e dytë. Arsyeja një person ka qenë i shoqëruar në komisariat, nga ora 14.00 deri në orën 16.00. Në orën 16.00 na merr OPGj Nevruz Duro dhe e çova te zyra e tij. E shoqërova nga dhoma e shoqërimit. I komunikoi urdhrin e arrestit, e kontrolluan që s’ka sende të paligjshme, hedh firmën oficeri Nevruz Duro dhe kam hedhur edhe unë firmën që kam qenë i pranishëm. Unë që isha i pranishëm më kanë futur në burg, kam bërë burgun. Kurse oficeri është në gjendje të lirë. Nuk u arrestua, as u procedura”, thotë ish polici.
Më tej pohon se pas komunikimit të vendimit të gjykatës në zyrën e OPGj-së e ka çuar te dera e dhomave të shoqërimit, pasi nuk lejohen persona të tjera brenda.
“Pastaj kam dalë në shërbim në qytet. Nga ora 16.10 deri në orën 19.30 unë kam qenë në qytet, Kavajë. Detyra ime ka qenë patrullë policie, jo te dhomat e shoqërimit. Unë e kam çuar të ndaluarin nga dhoma e shoqërimit deri te zyra e OPGj. Te dhomat janë punonjës tjetër, punonjës ka qenë Reshit Kola dhe Petrit Berhama. Këta merreshin me kontrollin, ruajtjen brenda. Kur ndodhi ngjarja na lajmëruan dhe shkuam te spitali, I ndaluari kishte ndërruar jetë. Viktimës i është gjetur një lidhëse, jo këpuce. Këpucët i ka pasur pa lidhëse. Unë dyshoj se kanë qenë lidhëse te batanijet”, thotë Behxheti.
Ai thotë se ka bërë 135 ditë burg me akuzën shpërdorim detyre. “Unë Behxhet Berberi, Reshit Kola dhe Petrit Berhama jemi ndaluar dhe akuzuar. Dy të tjerët janë te dhomat e shoqërimit. Unë s’kam pasur lidhje fare. OPGj që unë i çova të ndaluarin, Nevruz Duro, nuk u procedua. Ai është ende në punë. Vijon punën, kurse unë në burg. Unë kërkoj vetëm drejtësi. Unë me arrestimin kam shkatërruar familjen, depresion dhe jam ndarë me grua”, shton Behxheti.
Më pas tregon se ambientet e Komisariatit të Policisë në Kavajë kanë kamera. “Edhe te dhomat e shoqërimit, te oborri, ka kamera. Kanë të gjitha kamera. Detyra ime ka qenë shoqërimi i personit nga dhomat e shoqërimit deri te oficeri. Që të mos arratisej dhe të mos godasë OPGj. Mua më dënuan dhe arrestuan për të mbushur numrin, për të mbrojtur oficerin. Un s’kisha përkrahje. Oficeri Nevruz Duro është kushëriri i Flamur Duros. Flamur Duro është shef i rendit. Janë kushërinj me njëri-tjetrin. Vëllai i Flamurit ka qenë prokuror në Kavajë. Kurse të dy, shefi I SHKB-së së Durrësit dhe komandanti I SHKB-së janë kushërinjtë e Nevruz Duros. Edhe Nevruz Duro ka firmosur te procesverbali. Dhe procesverbali është te oficeri”, thotë Behxheti.
Pas denoncimit, Fiksi ka siguruar dosjen e plotë të kësaj ngjarje, ku detajohen të gjitha veprimet. Behxheti akuzoi shefin e tij, Novruz Duro, se ishte personi përgjegjës për kontrollin e viktimës. Dokumenti “proces-verbali” i kontrollit personal të viktimës, fillon; Në Kavajë më datë 4 maj 2022, ora 16.00, unë Novruz Duro, Oficer i Policisë Gjyqësore, pranë Komisariatit Policisë Kavajë, në prezencë të punonjësit Behxhet Berberi, me detyrë pranë komisariatit të policisë Kavajë, kontrollova të arrestuarin për një krim shtetasin I.M. NUK U GJETËN SENDE, NUK KA GJË PËR T’U SHËNUAR! Në fund të këtij dokumenti, është firma e të arrestuarit, të OPGJ-së dhe të denoncuesit, Behxhet Berberi, ku sipër emrit të tij shkruhet “prezent”. Pra, në këtë dokument shkruhet mjaft qartë se denoncuesi ka qenë vetëm “prezent”. I arrestuari është kontrolluar nga OPGJ Novruz Duro.
Por, a u procedua dhe a u hetua?! Fiksi shfletoi dosjen hetimore, të marrë në Prokurorinë e Kavajës. Ne kërkuam dëshminë e OPGj-së Novruz Duro, të dhënë në datën 4 maj 2022. Ai thotë se nuk kanë ushtruar dhunë dhe në zyrën e tij ka qenë edhe shefi I krimeve Andi Banushi. Por, edhe emri i shefit nuk figuron si i hetuar apo ndaluar.
Ndërkohë, në dokumentin për regjistrimin e procedimit penal, jepen disa detaje nga dëshmia e këtij OPGJ. Ai thotë se “kam njoftuar policin e dhomave të shoqërimit inspektor Behxhet Berberi që të sjelli në zyrë shtetasin e ndaluar. Kam përpiluar aktet proceduriale, për ekzekutimin e vendimit penal, letrën e të drejtave dhe në zyrë së bashku me punonjësin e policisë Behxhet Berberi kemi bërë kontrollin personal të shtetasit”. Pra, OPGJ-ja e pranon se e ka kontrolluar personalisht, bashkë me denoncuesin. Ndërkohë në intervistë dhe në dokument, denoncuesi thotë dhe shkruhet se ka qenë vetëm “prezent”.
Në dosje është edhe një dëshmi e z. Flamur Duro, me detyrë shef i rendit publik në Policinë e Kavajës. Flamuri është kushëriri i OPGj-së Novruz Duro. Në këtë dëshmi, Flamuri ka thënë se i arrestuari është kontrolluar jo nga Novruzi, por nga Behxheti dhe një person tjetër, Petrit Berhami. Pra, kushëriri ka mbrojtur kushëririn! Në dosje janë këqyrur pamjet filmike të kamerave të sigurisë në komisariat, kur i shoqëruari futet brenda në dhomën e shoqërimit. “I bëhet kontroll fizik nga punonjësi Rushit Kola” thuhet në dosje. Sërish, edhe kur kthehet nga gjykata, i shoqëruari kontrollohet nga Rushit Kola. “Nga ora 16.26.28 i shoqëruari shfaqet në korridorin e dhomave të sigurisë deri në përfundimin e kontrollit të ushtruar nga punonjësi policisë Rushit Kola. Kalojnë 32 sekonda kontroll personal i ushtruar nga punonjësi ndaj të ndaluarit” thuhet në dokumente. Më pas në orën 19 e 12 minuta e 5 sekonda, punonjësi i policisë Rushit Kola vëren se diçka nuk shkon dhe më pas shoqërojnë të shoqëruarin në spital.
Në fund, Prokuroria e Kavajës ka dërguar në gjykatë policët e thjeshtë Rushit Kola dhe Behxhet Berberi. Është pushuar hetimi ndaj Petrit Berhamajt, shefi i dhomave të shoqërimit. Në dosje nuk ka asnjë gjurmë të OPGj-së Novruz Duro apo edhe të shefave të tjerë. Dy policët e thjeshtë, Berberi dhe Kola u dënuan me burg. Të tjerët, të gjithë shefa, shpëtuan nga hetimi dhe dënimi.
Denoncuesi, shkon te komisariati për të marrë librin e shërbimeve. Takon punonjësit, ish kolegët, të cilët i thonë se e ka marrë prokuroria. Ata pranojnë se Behxheti s’ka qenë me shërbim brenda komisariatit, por ka qenë duke bërë patrullë në qytetin e Kavajës. Fiksi ka siguruar edhe librin e planëzimit të shërbimit 24 orë. Rezulton se në krah të emrit të denoncuesit, Behxhet Berberi, shkruhet “patrullë” në qytet.
Discussion about this post