Në 6 vite vetting, në mbi 800 procese rivlerësimi për gjyqtarë e prokurorë, kanë ndihmuar 6.589 denoncime të qytetarëve. Shifra e konfirmuar për Report Tv nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është regjistruar deri më 31 korrik 2024, ndërsa sipas KPK një pjesë e rëndësishme e denoncimeve kanë shërbyer si provë dhe kanë ndihmuar shumë në vendimet e trupës vlerësuese, madje në disa raste ka qenë edhe vendimtare. Shkallës së parë të vettingut i mbeten edhe 4 muaj mandat, pasi në dhjetor i përfundon misioni. Burime nga institucione bëjnë me dije se 22 subjektet e mbetura për t’u rivlerësuar do të mbyllen brenda muajit shtator, për t’i dhënë kohë zbardhjes së vendimeve që më pas komisionerët publik të kenë mundësinë e ankimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Sipas statistikave që nga 18 shkurti i vitit 2018 i e deri në 31 korrik të vitit 2024, janë futur në sitë dhe janë marrë vendime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për 783 gjyqtarë, prokurorët dhe ndihmës ligjorë.
261 magjistratë janë konsideruar si problematikë nga KPK, në të paktën një prej shtyllave të rivlerësimit, dhe janë marrë vendime për shkarkim. Nga këta 145 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL; 110 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë. Ndërkohë që 3 vendime janë marrë për pezullimin nga detyra, për 3 prokurorë që janë detyruar të ndjekin për një vit studimet në shkollën e magjistraturës.
358 kanë qenë magjistratët që e kanë kaluar me sukses rivlerësimin, nga të cilët janë konfirmuar në sistem, të paktën nga shkalla e parë, 165 gjyqtarë, 163 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 26 ndihmës/këshilltarë ligjorë.
50 vendime janë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, nga të cilët 1 ish gjyqtar, 17 prokurorë; 1 ish- kryeinspektor në KLD-së; 2 ish-inspektorë në KLD dhe 4 ndihmës ligjorë.
103 vendime për ndërprerje të procesit për shkak të dorëheqjes; 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish-prokuror; 1 ish- inspektor në KLD dhe 13 ndihmës ligjorë.
Sipas statistikave gjithashtu janë 8 vendime të marra për për pushimin e procesit, ku përfshihen 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë
Procesi i vetingut në KPK, i cili nisi rreth 6 vite më parë, u nda në tri faza ku dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra.
Gjatë fazës së parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dolën në seancë dëgjimore emra të rëndësishëm të sistemit, siç ishin anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, institucione që në përfundim të procesit të rivlerësimit, dolën jashtë funksionit, për shkak të shkarkimit të anëtarëve.
Në fazën e dytë të procesit të rivlerësimit, KPK-ja vlerësoi kandidatët që synonin të ishin pjesë e SPAK-ut, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si edhe drejtues të gjykatave dhe prokurorive në rrethe. Ndërsa ne fazën e tretë, përpara KPK-së kaluan të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët.
Pas përfundimit të procesit në KPK, vettingu do të vazhdojë në shkallen e dytë në KPA, anëtarët e te cilës kanë një mandat 9 vjeçar, deri në fund të vitit 2026. Mbrojtjen e rekomandimeve të ONM nuk do ta bëjë me Komisioneri Publik që i mbaron mandati njëjtë si me KPK, por sipas Kushtetutës prokurorët e SPAK. Komisionërët publikë kanë kërkuar që t’i bashkëngjiten Prokurorisë së Posaçme, ndërsa anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të marrin statusin e gjyqtarit, fate që ende nuk janë përcaktuar.
Discussion about this post