Propozimi për Vettingun e politikanëve dhe kalimin e tyre në filtrin e pastërtisë morale, performancës së pasurisë, bazuar në përvojën e Reformës në Drejtësi, nëse realizohet me të vërtetë mund ta lërë vendin pa politikanë, tek e fundit, cili politikan nuk u bë i pasur në politikë?
Ideja e Vettingut në politikë, e propozuar nga PD, që pati një aprovim për uljen në tryezë edhe nga kryeministri Edi Rama, përvese shtoi zërat për një marrëveshje mes të dyve, zgjoi ndërgjegjen e gjithë secilit prej nesh për të ditur emrat e politikanëve të korruptuar apo të përfshirë në botën e krimit.
“Propozimi i opozitës për Vettingun e politikanëve është identik me propozimin dhe dispozitën që Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla e Damian Gjiknuri kanë votuar për gjyqtarët, prokurorët madje edhe policët, i njëjti rregull vlen edhe për politikanët. Çfarë ka këtu për të negociuar?”
Kjo ishte deklarata e liderit demokrat, Lulzim Basha në shtator të 2018, ku PD sapo kishte depozituar në Kuvend idenë e pastrimit të politikanëve përmes një procesi identik me atë të implementuar në sistemin e drejtësisë.
Asokohe palët ranë dakord t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias për një mendim nga ekspertët, por siç ndodh rëndom, secila nga palët e lexoi këtë të fundit sipas dëshirës së tyre. PS u shpreh se Komisioni e kishte rrëzuar nisëm, ndërsa PD tha se Venecia “kishte rrëzuar teknikalitetet e zbatimit të tij”, por nisëm në tërësi e kishte miratuar.
Në opinionin e saj, Venecia tha se Vettingu në politikë nuk mund t’i ngjasojë atij në drejtësi, nisur nga natyra dhe burimi i ndryshëm i këtyre dy pushteteve. Ekspertët thanë se drafti nuk kishte siguri juridike dhe nuk përcaktonte institucionin që do kryente Vettingun. Në 2018 mazhoranca me 74 vota kundër nuk e kaloi për miratim propozimin e opozitës, ndërsa tani kjo e fundit i rikthehet sërish idesë së Vettingut. Risi këtë herë në propozim është parashikimi i strukturave që duhet të kryejnë procesin e verifikimit, ku këtë herë PD propozoi t’i kalohet SPAK një proces kaq i rëndësishëm, ndonëse herë pas herë e akuzojnë këtë të fundit se bëhet palë me pushtetin.
Në rast se SPAK vendos moskonfirmim në detyrë, politikanët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, më pas në atë të Apelit dhe në fund futet në lojë Gjykata Kushtetuese. Është GJK që thotë fjalën e fundit dhe vendos nëse mandati i funksionarëve të “emëruar nga populli” mbaron ose është i vlefshëm kur konstatohet se subjekti në fjalë përfshihet në rrethin e personave që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të inkriminuar ose kanë pasur të pajustifikuara. Në këtë rast GJK urdhëron ndalimin për t’u zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për 15 vjet.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha pranoi më herët se edhe kur PD ishte në qeveri kishte korrupsion, ndërsa sipas tij është “interes kombëtar” që të pastrohet Shqipëria nga “llumi”.
“Kjo që është depozituar në Kuvend përfaqëson vullnetin politik të PD. Unë gjykoj se ndryshimet kushtetuese duhet të kenë patjetër konsensus, jo të shikohen si masa propagande, është interesi i të gjithë shqiptarëve që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz q në 30 vjet kanë përdorur politikën për tu pasuruar. Ky është interes kombëtar dhe jam i bindur që nuk ka socialist të ndershëm, çfarëdo mendon për mua, që nuk më jep të drejtë kur sheh kacidhet në fund të muajit dhe sheh bosët. Dhe ne kemi pasur llumin tonë. Llumi i tranzicionit është një dhe vetëm një, nuk ka rëndësi pas cilës sigle fshihet”, tha ai.
Ky vendim i PD ka vënë në lëvizje deputetët më të afërt të Bashës, si Gazment Bardhi pasi burime ekskluzive për Gijotina.com shprehen se ky i fundit po kujdeset personalisht për takimet me bazën. Një lëvizje e tillë më shumë se sa të rrisë gjasat për transparencë në vendimmarrje nga selia blu, shton zërat se “Foltorja” e ish- liderit historik, Sali Berisha po lëkund themelet e PD dhe po zgjon Bashën nga gjumi.
Nga ana tjetër, ndonëse ishte PS që në 2018 rrëzoi me shumicë votash propozim e Vettingut, mbrëmjen e djeshme kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm për t’u ulur në tryezë me opozitën dhe diskutuar kushtet e nismës.
“Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite, në tre vite gjërat evoluojnë, argumentet po. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën. Seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile. E kam thënë që cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord duke gjuajtur me gurë, por edhe duke argumentuar normalisht. Ne duam këtë të dytën”, tha Rama.
Kjo gatishmëri e kryeministrit Rama mund të vijë nga marrëveshjet e hershme me Bashën, si ajo e vitit 2017, ku ndonëse palët ranë dakord për një qeveri tranzitore para zgjedhjeve, PS arriti sërish të fitonte, dhe PD nuk i ndali akuzat për vjedhje të zgjedhjeve.
Sot, politika i rikthehet idesë së Vettingut brenda vetes. Pra, do jetë vetë politika që do të bëjë përzgjedhjen se kush janë “kolegët” që nuk kanë justifikuar pasurinë, nuk meritojnë përfaqësimin e qytetarëve. Janë përfshirë në masakra elektorale, vjedhje votash, korrupsion dhe kanë llogari bankare në parajsat fiskale ose llogari në bankat e huaja dhe ato brenda Shqipërisë.
Por pyetja që mundon opinion publik është se: Kush do jenë komisionerët e paanshëm, ata që do skualifikojnë vetveten? Historia ka treguar se palët do sulmojnë njëra tjetrën, Lulzim Basha do sulmojë me të gjitha armët Edi Ramën. Të njëjtën do bëjë edhe Rama ndaj tij. Ata që janë rreth foltores së Sali Berishës do nxjerrin vrer për tërë politikanët. Shumica do shpallen varfanjakë edhe pse janë të pasur, dhe në gjithë do jenë kundër të gjithëve. Po nëse do zbatohen realisht kriteret e Vettingut në drejtësi, shumë shpejt vendi do të mbetet pa politikanë, dhe kjo ndoshta mund të jetë gjëja më e mirë në këto 30 vite pluralizëm. D.L/ Gijotina.com