Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), monitoroi mbi baza tërësisht vullnetare procesin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024.
Përgjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politike dhe institucionale në të cilën zgjedhjet u mbajtën, si dhe vëzhguan në mënyrë të pandërprerë përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ekipi i ekspertëve kreu edhe misione vëzhgimi në Bashkinë Himarë, ku realizoi takime me Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) dhe me të dy kandidatët garues për Kryetar të bashkisë Himarë.
Ditën e zgjedhjeve dhe përgjatë numërimit të votave, KRIIK angazhoi tetë aktivistë të cilët vëzhguan procesin e votimit në 32 Qendra Votimi dhe situatën jashtë tyre, aktivitetin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve përgjatë procesit të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave , si dhe procesin e numërimit të votave.
Në zgjedhje u regjistruan 11 parti politike , dhjetë prej të cilave u regjistruan në koalicionin parazgjedhor “Bashkë Fitojmë” duke propozuar si kandidat z. Petraq Gjikuria.
Ndërsa Partia Socialiste paraqiti si kandidat z. Vangjel Tavo.
Sipas raportimeve paraprake nga KQZ, ditën e zgjedhjeve të djeshme të 4 gushtit votuan rreth 37.6% e zgjedhësve të regjistruar në Bashkinë Himarë.
Me përfundimin e procesit të numërimit, Kandidati i Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo pritet të shpallet Kryetar i Bashkisë Himarë duke fituar 5,022 vota (ose 58.6%), ndërkohë që Kandidati i mbështetur nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” z. Petraq Gjikuria mori 3,545 vota (ose 41.4%).
Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë të 4 gushtit 2024 u mbajtën në një klimë politike të ngarkuar, ndërkohë që opozita në vijimësi e akuzon mazhorancën qeverisëse dhe eksponentë të saj për korrupsion të thelluar dhe lidhje me krimin e organizuar.
Zgjedhësit pa karta
Një problem madhor në zgjedhjet e 4 gushtit ishte pamundësimi i votimit për zgjedhësit që kishin dokumente identifikimi të skaduara.
Ditën e zgjedhjeve, u bë publike një problematikë e ditur edhe më parë nga partitë politike dhe vetë KQZ-ja, që lidhej një numër shumë të lartë zgjedhësish, të cilët nuk dispononin në ditën e zgjedhjeve një dokument identifikimi të vlefshëm, pasi u kishte kaluar afati i përdorimit.Kjo problematikë është artikuluar publikisht përgjatë përgatitjes së procesit zgjedhor nga anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, z. Muharrem Çakaj, i cili në mbledhjen publike të datës 29 korrik] 2024, ka ngritur publikisht këtë problematikë duke bërë thirrje për reflektim ndaj saj. Ai i kërkoi administratës së KQZ-së që t’i drejtohej Ministrisë së Brendshme dhe të koordinoheshin për të
marrë masat e duhura për zgjidhjen e këtij problemi.
Gjithashtu, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pranoi publikisht në një deklaratë publike51 në ditën e zgjedhjeve se kjo problematikë është prezente, por se KQZ-ja nuk ka kompetencë dhe nuk ka patur kërkesë zyrtare nga partitë politike për t’iu drejtuar Ministrisë së Brendshme.
Kjo është një problematikë, që ka qenë prezente edhe në zgjedhjet e viteve 2021 e 2023. Por në
këto procese me ngritjen e problemit prej partive politike dhe vetë KQZ-së, qeveria shqiptare
nëpërmjet VKM-ve shtyu afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, duke i dhënë mundësinë çdo qytetari që të ushtronte të drejtën e votës.
Ndërkohë që në raunde të mëparshme zgjedhore, votimi i personave me dokumente identifikimi të skaduar ishte bërë i mundur me anë të një akti normativ të qeverisë shqiptare, në Zgjedhjet e 4 gushtit asnjë hap i tillë nuk u ndërmor. As në mënyrë proaktive nga vetë Këshilli i Ministrave, e as nga KQZ-ja dhe partitë politike për të institucionalizuar menjëherë me shpalljen e datës së zgjedhjeve, rrugëzgjidhjen e kësaj problematike.
Në gjykimin e KRIIK, e drejta kushtetuese e së drejtës së votës prevalon ndaj çdo teknikaliteti të gjetur si arsye për të mos ndërmarrë miratimin e VKM-së për zgjatjen e vlefshmërisë së këtyre kartave. Për më tepër që për më shumë se 3 palë zgjedhjesh kjo masë lehtësuese për qytetarët ishte bërë një praktikë pozitive që ndërmerrej me vullnet të mirë prej institucioneve shtetërore, bazuar pikërisht tek detyrimi dhe parimet kushtetuese. Koha e papërshtashme e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve dhe problematika e njohur edhe në zgjedhjet e mëparshme, duhet të shërbente si indicie e mjaftueshme për të vënë në lëvizje paraprakisht që nga
Presidenti i Republikës, së paku për caktimin e datës së zgjedhjeve në limitin fundor të periudhës së parashikuar nga ligji e nxitjen e institucioneve kompetente për ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese për qytetarët, ashtu edhe vetë KQZ-në, Partitë Politike garuese apo Ministrinë e Brendshme në propozimin e miratimit të aktit përkatës nga Këshilli i Ministrave”.
Listat e votuesve
Në datën 15 korrik 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi emërimin e auditit teknicien dhe ndihmësit të tij, që do të verifikonte integritetin e listave të zgjedhësve38
Raporti39 i tij ngre shqetësime madhore në lidhje me lëvizje potenciale të zgjedhësve për qëllime elektorale përgjatë periudhës parazgjedhore.
Sipas audituesit, në listën përfundimtare të zgjedhësve, në Bashkinë Himarë ishin shtuar 311 zgjedhës të cilët kishin ndryshuar vendbanimin mes zgjedhjeve të vitit 2023 dhe 2024. Data e lëvizjes së këtyre zgjedhësve është e paqartë, por prirja është tejet e dyshimtë, duke qenë se dukshëm lëvizjet janë bërë mes dy proceseve zgjedhore. Shumica e zgjedhësve që kanë ndryshuar vendbanimin janë nga bashkitë Tiranë dhe Vlorë (90 dhe 68 respektivisht).
Një tjetër problematikë e vërejtur nga auditi teknicien është prania në listën e zgjedhësve e 157 zgjedhësve nga i njëjti trung familjar që votojnë në qendra të ndryshme votimi, ndryshe nga sa parashikohet në raste të tilla nga Kodi Zgjedhor.
Referuar të dhënave të transferimeve, sipas dokumentit që DPGJC i ka dërguar KQZ-së, ajo çka bie në sy është se, ndërkohë që shumica e ndryshimeve të gjendjes civile janë me numra të vegjël dhe të shpërndarë në një kohë thuajse një vjeçare, vetëm në katër ditë pune, mes shpalljes së datës së zgjedhjeve (5 korrik) dhe ditës kur është gjeneruar lista e zgjedhësve (10 korrik), janë regjistruar 30% e transferimeve totale; 93 zgjedhës nga 311 në total që kanë ndryshuar vendbanimin pas 14 majit.
Kjo shifër e panatyrshme, menjëhere pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, është një tregues i fortë për një lëvizje të koordinuar të zgjedhësve, me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve.
Në datë 23 korrik 2024, kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z. Petraq Gjikuria, ka kallëzuar në SPAK kandidatin e Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo dhe 13 persona të tjerë. Sipas burimeve në media, kallëzimi ka ardhur për shkak të lëvizjes së vendbanimit të këtyre personave.
Discussion about this post