Pamjet e djegieve të mbetjeve të ferrokromit, krejtësisht jashtë standardeve dhe që shkaktojnë ndotje masive të ajrit dhe ujërave nëntokësore të Elbasanit, janë xhiruar nga policia gjatë një operacioni për goditjen e 2 kompanive që sipas policisë ushtrojnë aktivitetin krejtësisht në kundërshtim me ligjin.
Djegia që bëhej kryesisht natën, në qiell të hapur, dhe brenda ambienteve të oborrit dhe kompanisë, kryhej prej të paktën 2 vitesh, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore jo vetëm pranë ish-Metalurgjikut ku ushtrohej aktiviteti, por me kilometra të tëra rreze.
Burime pranë Policisë së Elbasanit bëjnë me dije se sa herë është konstatuar tym i rëndë që dilte gjatë natës brenda kompanive “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk, policia ka tentuar të ndërhyjë, por nuk është hapur dera. Pasi për disa muaj janë mbledhur prova të mjaftueshme të aktivitetit shkatërrues të mjedisit, blutë ndërhynë gjatë orëve të natës, duke kapur në flagrancë punonjësit duke djegur mbetjet e rrezikshme.
16 persona u arrestuan në akuzë për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit. Zyrtarisht policia njofton se mes tyre janë 9 të huaj dhe 7 të shqiptarë, në role drejtuese, teknikë dhe punonjës në të dy subjektet, mes të cilëve edhe administratori korean, Juncheol Chung, 64 vjeç. Po ashtu u arrestua edhe Ismail Dybeli, 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, në akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Në kërkim u shpallën edhe 8 të tjerë, të cilët rezultojnë të jenë aksionarë të dy kompanive që helmuan Elbasanin për të paktën 2 vite me radhë. Ata janë në akuzë për 4 vepra penale, nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, te fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim.
Policia thotë se kanë shkelur ligjet mjedisore dhe ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive. Në kushte normale, djegia e materialeve të tilla duhet të bëhet sipas standardeve për të mos krijuar ndotje, të cilat “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk nuk i plotësonin, pasi brenda ambienteve të punës nuk janë gjetur pajisje që shërbejnë për filtrim.
Për shkak të shkeljeve masive të konstatuara, policia vendosi 2 gjoba me vlerë totale 13 milionë lekë, përkatësisht 3 milionë për njërin dhe 10 të tjera për kompaninë tjetër. Me vendim të autoriteteve u pezullua aktiviteti i tyre deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
TË ARRESTUAR
-Juncheol Chung
-Ismail Dybeli
-Prakash Kadel
-Rahul Pal
-Styend Pal
-Munna Singh
-Rajesh Yadav
-Aaditiya Raj
-Rahul Pal
-Dheeraj Kumar
-Jakup Karaj
-Dorjan Xhufka
-Elton Bejkolli
-Besnik Abdiaj
-Elton Beqi
-Eglis Flaga
NË KËRKIM
-Agron Shapllo
-Serafin Orgocka
-Ilir Londo
-Ajet Kala
-Dritan Konica
-Fejzo Meçaj
-Bujar Zogu
-Gjergji Bezati
“DVP ELBASAN
Finalizohet operacioni policor i koduar “Metalurgjiku”, i ndjekur prej disa muajsh me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Procedohen penalisht 2 subjekte juridike, bazuar në nenin 3 të ligjit Nr. 9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
Vihen në pranga 16 shtetas (9 prej tyre shtetas të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjë
Shpallen në kërkim 8 shtetas, aksionerë.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Metalurgjiku”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga 16 shtetas, konkretisht:
- C., 64 vjeç, shtetas korean, E. F., 48 vjeç, banues në Elbasan, administratorë;
- A., 62 vjeç, E. B., 48 vjeç, të dy banues në Elbasan, drejtorë prodhimi;
- B., 51 vjeç, banues në Elbasan, A. R., 31 vjeç, shtetas indian, inxhinierë/drejtues teknik;
- P., 24 vjeç, S. P., 27 vjeç, D. K., 32 vjeç, R. Y., 38 vjeç, M. S., 43 vjeç, R. P., 24 vjeç, gjithë shtetas indianë, P. K., 32 vjeç, shtetas nepalez, J. K., 63 vjeç, D. Xh., 45 vjeç, të dy banues në Elbasan, përgjegjës turni/operator furre/punëtor;
- D., 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Z., 43 vjeç, D. K., 54 vjeç, F. M., 55 vjeç, Gj. B., 48 vjeç, A. Sh., 72 vjeç, S. O., 67 vjeç, I. L., 53 vjeç, A. K., 38 vjeç, aksionerë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Po punohet për kapjen e tyre.
Nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative si më poshtë:
3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
U sekuestruan celularë dhe DVR.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
gijotina.com/










Discussion about this post