“Piranjat” këtë herë kanë udhëtuar drejt Patos-Marinzës.
Nnjë ndër zonat më të pasura me naftë, e me këtë pasuri do duhej të kishte ardhur një standard i lartë jetese dhe mirëqenie.
Mirëpo realiteti nuk është kështu.
Përveç shfrytëzimit dhe pabarazisë, zona përballet edhe me probleme të rëndësishme shëndetësore të cilat shkaktohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndotja dhe shfrytëzim i pafre nga ana e Bankers Petroleum.
Ja si shprehen banorët për ‘Piranjat’
-Kam 8 vjet, vuaj nga fenolet në gjak.
-Nipi vdiq nga leuçemia.
-Këtë vit që ka vdekur bashkëshortja ime, vdiqën edhe 10 nuse të reja këtu në fshat.
-Për 3 muaj kemi patur 13 vdekje.
-Nga mushkëritë jam blozë.
– Helm, helm, helm!
Këto janë banorët e Patos-Marinzës, të cilët thithin çdo ditë gazin që çlirohet nga rafineritë e naftës
Për situatën në këtë zonë mund të jetë folur shumë, por jo për ata që nuk flasin dot: për jetët e humbura.
“Një vajzë vetëm kam, 4 fëmijë më janë dëmtuar. Vëllai vdiq, ishte prekur nga fenolet, i prekën cipën e trurit. Në tetor bëri vitin nipi, 38 vjeç vdiq nga leuçemia. Kam 8 vjet, vuaj nga fenolet në gjak, me karbon në gjak”, shprehet një banor.
“Fenolet në gjak janë matjet në gjak të ekspozimit ndaj hidrokarbureve. Hidrokarburet shpesh herë mund të prodhojnë e neuro toksina, që nga probleme kardiovaskulare, tumorale, akute”, thotë mjeku Ilir Alimehmeti.
“Vjet në gusht jam operuar në mëlçi. Bëra spirometrinë, jam 77% i prekur me astmë nga helmet. Aty ku banoj unë, vetëm unë kam ngelur kanë ikur të tërë. Jam ankuar te Bankers, e thotë: kam zonë nafte, do ta shfrytëzoj”, shprehet ky banor.
“Nga familja ime jemi dy të sëmurë. Dy janë këtu, dy atje… të gjithë të sëmurë. Kunata iku në Fier, se i ra trompozë. Djalin e kurova 2 vjet në Greqi. Bëra skanerin, mushkëria më doli me njollë. Është ambjenti më thane”, thotë një banor tjetër.
“Për vitin 2022 ne kemi pasur, për 3 muaj 13 vdekje, nga mushkëritë, kancer… edhe vdekje të parakohshme, rreth 8 fëmijë”, thotë Kryetari i Shoqatës Ambientaliste Zharrëz (Qani Rredhi).
Rrëfimet e banorëve:
“Kam 4 vite me astmë, nga ndotja.”
“44 vjet këtu unë, mushkëritë copa.”
“Kam punuar në naftë 30 vjet. Kam qenë shtruar për karbon në Tiranë, 5 ose 6 herë. Eshtë e kontaminuar toka, ajri”.
“Kur ngrihesh në mëngjes era gaz dhe tym i zi kur punon kaldaja aty. Shumica këtu është me karbon në gjak dhe dhimbje koke nga era e gazit. Kam vjehrrën 85 vjeç, ajo ka problem gjithnjë me frymëmarrjen dhe s’e duron dot.”
“Puset janë në Marinzë dhe derdhen këtu tek kanali i Hoxharës. Unë vuaj nga frymëmarrja. Nga mushkëritë jam blozë, marr ilaçe, por s’më bëjnë efekt, se dal në ajër të keq. Të tërë të sëmurë jemi, me astmë”.
Doktori Ilir Alimehmeti thotë: Hidrokarburet transmetohen kryesisht përmes ndotjes ambientale dhe ekspozimi është kronik. Rrugë të ndryshme ekspozimi ka përmes frymëmarrjes, ushqimeve të ndryshme, kontaktit me lëkurën. Të gjitha organet e trupit mund të jenë të prekshme. Nga rruga me frymëmarrjen do jenë mushkëritë, në formë astmash, probleme nekrotizuese më poshtë. Mushkëria, nëse ekspozimi është shumë i madh mund të ketë tumore të sistemit respirator. Por këto hidrokarbure kalojnë edhe në gjak dhe në atë moment fillojnë edhe bëhen edhe sistemike.
Banor: Këtu nuk po lindin më, por edhe ato që lindin lindin gjysmakë.
Alimehmeti: Hidrokarburet kanë edhe aftësi mutogjene. Kemi probleme gjatë shtatzënisë, lindjet, abortet, por mund të kemi problematikë edhe tek fëmijët e lindur normalisht, sepse do t’i trashëgojnë këto semundje më mbrapa.
Një situatë që nuk jep shpresë për askënd, as për më të rinjtë, të cilët mendojnë vetëm një gjë: Të ikin sa më parë nga aty.
I riu: E gjithë rinia këtu po ikën. Ikin në shkollë të lartë dhe nuk kthehen më. Nuk ka përspektivë. Janë të sëmurë të gjithë. Unë edhe miqtë e mi vuajmë nga frymëmarrja. Jetesa është bërë e pamundur. E kemi të pamundur të bëjmë organizime, të mblidhemi në lagje. Këkrojmë nga shteti që të ulet ndotja, që ato të rinj që kanë ikur dhe ne që jemi këtu, të kemi mundësi të krijojmë të ardhmen tonë këtu.
Naftë është nxjerrë dhe është përpunuar edhe në sistemin e kaluar.
Por ndotja nuk ishte në këto nivele.
Banor: Kur ishim të vegjël laheshim te kanali, kemi gjuajtur për peshk. Tani jo vetëm që peshku nuk hahet, por në verë era e naftës është më e theksuar, serë…
Si kjo gropë, në këtë zonë ka 7 të tilla. Me rritjen e temperaturave mbetjet fillojnbë të shkrijnë dhe çlirojnë gaz, i cili shkon drejtpërdrejt në organizmin e banorëve. Shikoni se sa afër janë shtëpitë e banuara. Detyrimisht fëmijët që banojnë këtu dalin çdo ditë në këtë rrugë për të luajtur dhe imagjinojeni se sa i lartë është rreziku kur gropat janë kaq afër.
Kryetari i Shoqatës Ambjentaliste Zharrëz (Qani Rredhi): Në vitin 2020 vdiq një grua, se ra në gropë të tillë. Vdekja ishte e paralajmëruar sepse para 3 ditësh lajmëruam ALB Pretol me një letër për rrethimin e gropave. Pas 3 ditësh ndodhi fatkeqësia. Kanë rënë edhe shumë fëmijë në këto gropa, por janë shpëtuar fatmirësisht.
Por dëmet nuk mbarojnë me kaq!
Uji i pijshëm produkti më i domossdosshëm në përditshmëri është i papërdorshëm, prandaj banorët e marrin nga shumë larg që aty.
Banor: Uji vjen nga Berati, e blejmë një bidon 10 kg, 500 lekë. Kam punuar dhe në tregtinë e perimeve, nuk ta ble njeri nga helmet e gazit. Janë me gaz thonë, janë me helme.
Dhe kjo ndotje e ujit ka dhënë pasoja të pariparueshme edhe në prodhimet bujqësore
Banor: Me puset as nuk lajmë vetëm sa për të vaditur, se ka cipë sere. Prodhimet janë të ndotura dhe nuk ecin, kanë 10 vjet. Kam misër, jonxhë, mbushen me pluhur se janë ato të naftës.
Banor: Para 2 vitesh shpova këtë pusin, 30 metra thellësi dhe shih çfarë uji del. Më shkoi investimi kot. Kështu i ndodhi edhe komshiut tim. Kam shpuar një pus tjetër tani, 13 metra që ta përdor për të larë e shpëlarë. Për ta pirë e blejmë. Ja shihi, kemi mbjellë qepë, ja bëra të githë shërbimin, por prapë thahen.
Toka është e kontaminuar në të gjithë sipërfaqen e saj dhe si pasojë banorët s’kanë mundësi të kultivojnë prodhimet bujqësore. Edhe ato pak prodhimë që i mbjellin për konsum vetjak thahen si pasojë e ndotjes.
Alimehmeti: Kemi edhe problem të zinxhirit ushqimor. Nëse ujërat janë ndotur, do shkojnë përmes vaditjes në organizmin tonë. Duhet që insitucionet të ndërhyjnë.
Dhe kjo nuk ka sesi të mos demonstrohet direkt në shëndetin e konsumatorëve të këtyre prodhimeve, që janë vetë banorët.
Alimehmeti: Kemi rrugën e ushqimit, që vjen nga uji, ushqimet e tjera dhe kemi problem me dëmtim mukozash, stomaku, dëmtim të rrugëve intenstinale…dhe shkojnë drejt sëmundjeve tumorale.
Në bashkinë e Patosit matja e ndotjes bëhet nëpërmjet metodave tradicionale popullore.
Blerina Laci, bashkia Patos: Bashkia s’ka aparatura për të bërë matje, matjet mund t’i bëjmë me anë të shqisave, se nuhatet. Kemi bërë para dy vjetësh monitorime dhe laboratori ka nxjerrë që ka ndotje, por nuk dihet burimi.
Nuk dihet burimi? Domethënë rafineritë e naftës nuk qenkan burimi vetëm i kësaj ndotjeje?
Dhe siç ka ndodhur në gjithë këto vite, në raport me kompanitë që shfrytëzojnë puset e naftës në territor, autoritet vendore ia kalojnë përgjegjësinë Agjencisë Kombetare të Mjedisit.
Blerina Laçi: Çfarë kanë bërë subjektet për ta kompensuar ndotjen? Sa herë kemi pasur ankesa u jemi drejtuar gjithmonë subjekteve për të marrë masa për ta zbutur ndotjen. Kanë rrethuar vendin, kanë bërë mbjellje të pemëve, rreth 7000 rrënjë në Zharrëz, që është zona më e ndotur. Ka ca vite. Sa herë kemi ankesa i jemi drejtuar Inspektoriatit të Mjedisit, ose ARM. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor kishte bërë një ankesë për përroin e Zharrzës, që kishte derdhje të naftës dhe i jemi drejtuar ALB Petrol që të mos shkaktojnë më derdhje të tilla.
Piranjat: Për takompensuar ALB Petrol çfarë bëri?
Blerina Laçi: Deri tani s’na ka kthyer përgjigje.
Piranjat: Subjektet i kalojnë normat, çfarë mund të bëhet nga bashkia?
Blerina Laçi: Kaq mund të bëhet, çojmë ankesa. Monitorimi dhe inspektimi i këtyre i përket instancave më të larta, jo bashkisë.
Piranjat: Ndonjë rehabilitim rrugësh?
Blerina Laçi: Në dijeninë time, jo.
Ndërsa kryetarja e bashkisë së Patosit i ka idetë më të qarta.
Raimonda Balili, kryetare e bashkisë Patos: Një monitorim që ne kemi bërë nga një ekspert për një shkak të qytetarëve në Zharrëz, ekspertja na e nxorri të pandotur mjedisin, edhe pse pagesën e bëri vetë Bashkia.
Të pandotur?! Kanali i Zharrëzës tregon gjë tjetër ama.
Pavarësisht ankesave të banorëve ALB Petrol vazhdon të shkaktojë derdhje. Nafta bruto vjen nga stacioni i grumbullimit, më pas kalon nëpërmjet kanalizimeve dhe derdhet në përroin e Zharrëzës. Nga përroi shkon në lumin Vija e Ngjalës dhe pastaj derdhet në det. Shiheni vetë se çfarë krimi mjedisor po i bëhet këtij vendi.
Por ndotja nuk është vetëm këtu.
E njëjta situatë ndotjeje paraqitet edhe në bashkinë e Roskovecit
Majlinda Bufi, kryetare e bashkisë Roskovec: Roskoveci është shumë i ndotur. E ndjejmë ndotjen, por s’e themi me shifra, se matjen nuk e bëjmë ne. Kemi ankesa për ajrin e ndotur, për erën e rëndë, për sëmundjet që shkaktohen. Jemi detyruar të bëjmë 3 herë prokurimin, se nuk futej asnjë studio për të matur nivelin e ndotjes dhe në fund kemi marrë një produkt, që e nxorri “as mish, as peshk”. Nuk tregonte se sa është ekzaktësisht niveli i ndotjes.
Pra, kryetarja e shpreh qartë që Roskoveci është shumë i ndotur, por vetëm kaq! Fuqia apër të vepruar është 0. Dhe kjo që do të dëgjoni më pas është përtej absurdes.
Majlinda Bufi, kryetare e bashkisë Roskovec: Vumë një tarifë ndaj subjekteve naftënxjerrëse dhe me këto tarifa donim të realizonim projekte për reduktimin e ndotjes, por për ironi të fatit prefektura na hodhi në gjyq, sepse e quajti të padrejtë. Kanalet kulluese dhe vaditëse sot kanë mbetje hidrokarbure, që janë të rrezikshme. Bankersi duhet të marrë masa për këtë.
Teksa Bashkitë të paktën marrin mundimin t’i bëjnë thirrje kompanive naftënxjerrëse për të reduktuar ndotjen, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e sheh fare ftohtë situatën dramatike të krijuar në këto zona.
Enkeleda Shkurta, përgjegjëse e sektorit të informacionit GIS dhe regjistrave mjedisorë: AKM nuk bën monitorime për ndotjen nga hidrokarburet, por është e akredituar për parametra të tjerë. Nuk e kemi në kompetencë. Ndotjen nga hidrokarburet ose janë subjekete private, ose në varësi të tokave p.sh e monitoron Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore ose Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ne monitorojmë elemnetët kimiko-fizikë të ujit, cilsinë e ajrit urban dhe nivelin e zhurmave. Për Patos- Marinzë parametrat kanë dalë me nivele të larta të ndotjes në ujërat sipërfaqësore, me elementë të hidrokarbureve, por edhe ndotje që vjen nga shkarkimet urbane. Për ta, zona e klasifikimit është shkallë e keqe, e cilësisë së ujërave. Stacioni i monitorimit të ajrit është në Fier. Ne çdo vit pas raportit që bëjmë lajmërojmë bashkitë mbi nivelin e ndotjes që kanë. Një rekomandim që i kemi çuar Bashkisë së Fierit është që të trajtojë ujërat urbane duke ndërtuar impiante, se Gjanica është shumë e ndotur. Subjektet duhet të trajtojnë ujërat industrisale. Bashkia duhet t’i kërkojë subjekteve impiante për pastrimin e ujit, gjelbërim hapësirash, rehabilitim rrugësh. Nuk di ta them të saktë çfarë kanë bërë për Patos -Marinzë.
Piranjat: A s’do ishte më mirë të bëheshin matje për naftën në Patos-Marinzë, se sa t’i merrni tërthortazi?
Enkeleda Shkurta, përgjegjëse e sektorit të informacionit GIS dhe regjistrave mjedisorë: Kjo është e mirë, por ne presim projekt propozime dhe s’na kanë ardhur për monitorimin e këtyre indikatorëve.
Ndërkohë që AKM pret, banorët vazhdojnë të vuajnë pasojat…
Enkeleda Shkurta, përgjegjëse e sektorit të informacionit GIS dhe regjistrave mjedisorë: Në tokat e Patos -Marinzës, në kuadër të projektit të para 2 viteve nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore , toka ka dalë me nivele të larta ndotjeje. Krahasuar me normat e BE vlerat e nikelit janë në 10 herë më të larta, ndërsa plumbi është në 3 herë më i lartë. Nga raportet që bëjmë çdo vit shohim që çdo vit ndotja është më e lartë, psh Gjanica është duke u degraduar. Ne monitorojmë nëse subjektet dalin jashtë kushteve të lejes mjedisore, nëse po vëmë gjoba. Ose kanë paguar gjobë, ose kan bërë mbjellje të zonës, rehabilitim. Të mos harrojmë që është edhe zhvillimi ekonomik në mes. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për zonën ku janë.
Piranjat: Njerëzit apo subjektet?
Enkeleda Shkurta, përgjegjëse e sektorit të informacionit GIS dhe regjistrave mjedisorë: Subjekti ka detyrimet e veta në bazë të kushteve të lejes. Ndotja zbutet duke i kërkuar subjekteve rehabilitime rruge, impiante uji industrial, mbjellje-pemësh. Subjektet duhe të dorëzojnë një raport vetë monitoirimi çdo 3-6 muaj për nivelin e ndotjes dhe dalin brenda vlerave të lejuara. Në stacionin që kemi në Fier vlerat dalin brenda normave të lëjuara, por është stacion urban dhe jo industrial. Vendosja e stacionit ka kosto dhe është në varësi të buxhetit që ne kemi. Ne kemi kërkuar që të shtojmë edhe 10 stacione të reja, por do jenë sërish për ndotjen urbane dhe jo industriale. Sa më afër puseve të naftës, ndotja e tokës është jashtë normave të lejuara të BE-së. Kur subjektet do bëjnë monitorimin ne u kërkojmë datën, që t’i vëmë në presion që ta dinë që këto monstra do maten edhe nga ne, që matjet të mos i bëjnë fiktive. Kur kemi nëdyshje shkojmë të marrim mostra. Këtë nismë e kemi marrë në 2022.
Piranjat: Mos është pak vonë?
Enkeleda Shkurta, përgjegjëse e sektorit të informacionit GIS dhe regjistrave mjedisorë: Unë mendoj se asnjëherë nuk është vonë për të marrë nisma e për të vazhduar në evoluim e sipër.
Ndërsa ne xhironim për të realizuar këtë histori, Komiteti Shqiptar i Helsinkit nëpërmjet një komunikate ngriti alarmin për ndotjen në nivele shqetësuese nga hidrokarburet në Zharrëz, ku në deklaratë thuhet se:
Deklarata e KSHH: “Në datën 18 Tetor 2022, një grup vëzhguesish nga KShH monitoroi këtë njësi, duke takuar banorë, përfaqësues të institucioneve dhe duke kqyrur disa zona hotspot, ku ndotja ishte lehtësisht e identifikueshme dhe u vërejtën vendgrumbullime të mbetjeve hidrokarbure, apo puseve të vjetra, në mungesë të masave të sigurisë dhe masave rehabilituese. KShH vëren nivele të dobëta reagimi dhe mungesë bashkëpunimi midis institucioneve, që në mënyrë të koordinuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të parandaluar ndotjen dhe për të sanksionuar ndotësit. Deri sa institucionet të mësojnë se si të veprojnë, janë banorët ata që do të vazhdojnë të vuajnë pasojat. /Syri.net/
Discussion about this post