Emisioni “Fiks Fare” denoncoi një skandal të rëndë në Shkollën e Magjistraturës, ku kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm hyjnë dhe dalin lirisht nga provimet.
Ata dyshohet se kopjojnë në korridore tezat dhe çelësat e provimit, teksa kanë lirshmëri gjatë gjithë orës. Në vend që të qëndrojnë në vendet ulëse, kandidatët hyjnë dhe dalin nga salla, teksa në duar mbajnë edhe letra me dyshime të forta se kanë edhe përgjigjet e pyetjeve të provimit.
Skandali i ri vjen disa muaj pas atij të provimit të pranimit, i realizuar në verën e vitit të kaluar. Në atë kohë, pajisja që korrigjonte testet u prish, teksa pati edhe shumë debate për një mori problemesh dhe dyshimesh për ndryshimin e listës së fituesve.
Provimet e Magjistraturës, sallat si “han pa porta”
Ndërkohë, ditët e fundit, në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një informacion, i shoqëruar edhe me një video, për provimin e datës 30 qershor 2024. Në këtë datë është mbajtur provimi për dy lëndë, e Drejta Penale dhe e Drejta Civile.
“Këto provime janë zhvilluar në kompjuter. Në këtë ditë, anëtarë të komisionit kanë qenë dy pedagogë të brendshëm të Shkollës. Në fazën e parë është zhvilluar teza e të drejtës penale/procedurale penale dhe në pjesën e dytë, e drejtë civile/procedurale civile”, thuhej në ankesë.
Sipas saj, kandidatët janë ndarë nëpër sallat e Shkollës, ku përpara përfundimit të kohës së rregullt, pedagogu anëtar i komisionit të provimit për lëndën e drejtë penale/procedurale penale ka shpallur çelësin e zgjidhjes së tezës dhe e ka afishuar në ambientet e Shkollës: në korridore dhe pranë sekretarisë së Shkollës. Në përfundim të orës së rregullt, kandidatët janë nxjerrë nga sallat ku zhvillonin provimin dhe janë nxjerrë në korridor.
Ankesa vijonte se, kandidatët kanë pasur liri të lëvizin nëpër korridoret e shkollës dhe pastaj kanë hyrë nëpër salla, janë ulur në laptopët e tyre për të printuar tezën. Nga kamerat e vëna nëpër salla, janë vënë re shumë sjellje të parregullta të kandidatëve, të cilët pasi kanë parë çelësin e zgjidhjes, janë munduar të rregullojnë sa mundet përgjigjet e tyre të hartuara më parë”.
Video – skandali, studentët “kopjacë” të Magjistraturës!
Fiksi siguroi edhe një video të sallës nr.5 të Shkollës së Magjistraturës. Sipas videos, disa prej kandidatëve që konkurruan në këtë provim, shihen duke lëvizur lirshëm në këtë ditë provimi. Madje, njëri prej tyre me iniciale D.K., hynte dhe dilte lirisht nga salla.
Në video duket qartë se kandidati është çuar nga vendi i tij dhe ka dalë nga salla në orën 10:41 të datës 30 qershor 2024. Ka hyrë përsëri në sallë në orën 10:43 dhe pasi ka qëndruar disa çaste në këtë sallë, në orën 10:45 është ulur në vendin e tij dhe ka filluar të shkruajë. Ka shkruar deri në orën 10:49 dhe është larguar përsëri nga salla, duke marrë me vete edhe një fletë që janë pyetjet e tezës.
Në video duket se ai është kthyer përsëri në sallë në orën 11:07:50 dhe është ulur në vendin e tij në orën 11:08:48. Ka filluar të shkruajë dhe ka printuar tezën e punuar në kompjuter në orën 11:10 dhe e ka futur në zarf. Në orën 11:11 duket se nxjerr nga xhepi fletën me pyetjet që e kishte marrë me vete në momentin që doli nga salla në orën 10:49. Ka filluar të shkruajë duke parë shënimet që ka në të. Ka printuar përfundimisht në orën 11:15, ka nxjerrë tezën që kishte printuar më parë dhe fut përsëri atë që printoi së fundmi.
Magjistratura: Përjashtuam 5 kandidatë, kopjuan …
Fiksi u interesua për disa ditë me radhë pranë Shkollës së Magjistraturës, por asnjë prej drejtuesve nuk pranoi të japë intervistë dhe të analizonte pamjet. Më pas, Fiksi i drejtoi disa pyetje kësaj shkolle, nëse lejohen të lëvizin lirshëm, madje të shkojnë në korridore ku janë përgjigjet e sakta, të vijnë brenda sallës dhe të plotësojnë pikërisht zarfin me përgjigjet e duhura?! Dhe siç dukej në ato pamje, të gjithë kandidatët lëvizin lirshëm.
Në përgjigje, Shkolla e Magjistraturës thotë se në vitin akademik 2023-2024 ka pasur 5 procedime disiplinore, 1 nga viti i parë dhe 4 nga viti i dytë. Këta kandidatë janë përjashtuar nga shkolla. Sipas saj, pas përjashtimit, kanë ardhur e-maile anonime, me akuza, gjuhë shantazhuese dhe fyese për Shkollën dhe kandidatët.
Vetë Shkolla pranon se teza dhe përgjigjet e testeve janë printuar dhe janë publikuar në ambiente e Shkollës, por mohon mundësinë që kandidatët ta kenë aksesuar, ta kenë përdorur apo të bënin ndryshime në teza.
“Është verifikuar se kjo pasojë nuk ka ardhur. Koha kur parashikohet të jetë printuar dhe publikuar çelësi i përgjigjeve është një kohë kur kandidatët kanë qenë në salla duke printuar” thuhet në përgjigje. Por, pamjet e publikuara nga Fiksi, të kamerave e sigurisë në sallën nr.5, tregojnë krejt të kundërtën!
Magjistratura pranon se disa kandidatë të përjashtuar kanë përdorur materiale të jashtme për qëllim të plotësimit të pyetjeve në provim, si usb dhe telefona.
“Disa prej tyre, kanë përfunduar provimin për lëndën e parë, e kanë printuar atë, kanë vijuar provimin për lëndën e dytë, dhe në momentin e printimit të provimit për lëndën e dytë, kanë riprintuar tezën e korrigjuar të lëndës së parë, duke përdorur gënjeshtrën ndaj stafit administrativ. Ata kanë vepruar në mënyrë sporadike, kanë komunikuar me njëri tjetrin, kanë riparë dhe rikorrigjuar pjesë nga përgjigjet e tyre, në atë hapësirë të ngushtë kohore që kanë gjetur si të mundshme për të ndërhyrë” vijon Magjistratura.
Por në fund, thotë Shkolla thotë se nuk u pa e arsyeshme që këto të ishin shkelje të rënda!
Shkolla: Kandidati D.K doli nga salla, por nuk kopjoi!
Për rastin e kandidatit D.K, ku Fiksi ka edhe pamje filmike, Shkolla e Magjistraturës thotë se ai është edhe anëtar i Komisionit Disiplinor i zgjedhur nga Asambleja e Kandidatëve për Magjistratë.
“Janë kryer të gjitha verifikimet lidhur me sjelljen e tij në provimin e datës 30 qershor dhe 1 korrik 2024. Nga këto verifikime rezulton se ai ka vepruar në të njëjtat kushte si shumë kandidatë të tjerë. Ka dalë nga salla e provimit, me urdhër të pedagogut përgjegjës të lëndës, dhe ka rihyrë në sallë me qëllim printimin e tezës së provimit” thuhet në përgjigje.
Por, a nuk ishte “çelësi” i provimit jashtë sallës?!
“Sqarojmë se, në momentin që kandidatët kanë dal nga salla, ata janë udhëzuar për të bërë ndryshimet finale në tezë në momentin që do të bëhej printimi. Qëllimi i nxjerrjes nga salla ka qenë unifikimi i orës së përfundimit të provimit. Hyrja sërish në sallë lidhet me mundësinë për të printuar tezën, për ta vendosur në zarf dhe për ta dorëzuar. Për shkak se salla ka pasur në dispozicion 1 printer, kjo bën që koha dhe radha e printimit të caktohet në atë moment nga stafi administrativ i Shkollës” shton Shkolla.
Magjistratura e pranon se kandidatët për gjyqtarë, prokurorë, këshilltar dhe ndihmës ligjorë, lëviznin lirshëm në ambientet e Shkollës, ku ishin të publikuara edhe përgjigjet e pyetjeve të testit. Një shkelje e rëndë e të gjithë procesit të përzgjedhjes, pasi personat që fituan të drejtën e magjistratit “do të flasin në emër të Republikës dhe të Shtetit”.
Në fund, në lidhje me shpërndarjen e pamjeve filmike, Magjistratura thotë se është duke verifikuar nëse pamjet janë autentike apo të montuara, teksa thotë se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës.
Discussion about this post