43-vjeçari Behar Bajri, i kërkuar ndërkombëtarisht nga SPAK për operacionin “Metamorfoza” duhet të sillej nga Franca në Shqipëri mbrëmjen e djeshme, por vetëm mëngjesin e sotëm ai ka shkelur në tokën shqiptare.
Shkak u bënë arsyet e sigurisë për të mos fluturuar me një avion me pasagjerë civilë.
Bajri u soll nga Parisi mëngjesin e kësaj të enjteje, me fluturim me Charter. Bajri u ndalua në Francë më 4 shtator, vend i cili pranoi ekstradimin e të shumëkërkuarit drejt Shqipërisë.
Në ditët në vijim Bajri do të dalë dhe para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë të nxjerrë më 28 korrik.
Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre.
Në këto komunikime, dilte se biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita, i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin.
Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën.
Njoftimi i Policisë:
Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë, një i shumëkërkuar për një sërë veprash të rënda penale.
43-vjeçari i ekstraduar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre në vendet ku ata duhet të kryejnë dënimin, u ekstradua në Shqipëri, shtetasi shqiptar:
B. B. (B. R. alias B. B.), 43 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas u kap dhe u arrestua në Francë, në muajin shtator, falë shkëmbimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e tij.
43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.
Shtetasi B. B. dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi B. B., kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka bërë të mundur lirimin nga burgu, para kohe.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Akuzat ndaj Behar Bajrit:
Vjedhja më 14.01.1999: Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.
Me datë 14.01.1999: Në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
Me datë 21.03.1999: Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
Me datë 28.01.2000: Në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Me datë 15.02.2001: Në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
Me datë 26.06.2002: Në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.
Më datë 12 shtator të vitit 2005: Në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.
Me datë 18.08.2006: Shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.
Discussion about this post