“Po jetojmë një ëndërr”. Ishin këto fjalët e trajnerit të Shqipërisë, Sylvinho, pas ndeshjes së fundit në kualifikueset e Euro 2024, ku përveç kualifikimit, kuqezinjtë festuan edhe vendin e parë në grup, duke lënë pas ekipe se Çekia dhe Polonia.
Braziliani kishte të drejtë. Tifozët e Shqipërisë, sigurisht edhe ai vetë, po përjetonin një ënderr. Por, ishte një ënderr e cila mund të mos ishte bërë realitet nëse në stolin kuqezi nuk do të ishte një mjeshtër si Sylvinho.
Fillimisht kishte shumë nga ata që nuk besuan te aftesitë e brazilianit, ndoshta me të drejtë, duke parë jetëshkrimin e tij. Tre aventura të mira si zëvendëstrajner ishin zhbërë nga dy periudha të errta në krye të Lyon dhe Corinthians.
Por, pavarësisht gjithçkaje, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vendosi të hidhte një hap tepër të guximshëm me Sylvinho-n, trajnerin që kishte dëgjuar dhe dinte pak gjëra për Shqipërinë.
Ishte një hap i rëndësishëm nga qeveria e futbollit në vend, pasi për gati 10 vite kuqezinjtë drejtoheshin, pothuajse, nga një dorë. Nuk po flasim për një trajner të vetëm, por për tre të ndryshëm që vinin nga e njëjta shkollë dhe e njëjta filozofi, ajo italiane. Gianni de Biasi, Christian Panucci dhe Edy Reja të tre lanë gjurmë te kuqezinjtë, i pari më shumë, ndërsa dy të tjerët më pak.
Me De Biassi-n në stol, Shqipëria arriti kualifikimin e parë historik në një turne madhor si Euro 2016 në Francë. Megjithatë, pas tij pati disi rënie në nivelin e përgjithshëm të ekipit me Panucci-n.
Kuqezinjtë, me Reja-n në stol, do të arrinin shumë pranë play-off-it për Kupën e Botës 2022, por një humbje direkte ndaj Polonisë në “Air Albania” do të prishte planet e tyre.
Teksa FSHF-ja vijonte punën me ndërtimin e infrastrukturës fizike e jo vetem, lindi nevoja për një trajner të ri, që të pasone Reja-n, 77-vjeçar dhe me një karrierë drejt mbylljes. Ishte e nevojshme mbi të gjitha që ekipi tu përgjigjej kushteve që federate po i ofronte.
Mes shumë alternativave që u shfaqën, në shtyp, emri i Sylvinho-s ishte më pak i përmenduri. Braziliani i cili kishte qenë ndihmësi i Tite-s te kombëtarja e tij dhe Corinthinas, si dhe i Roberto Mancini-t, e kishte njohur Shqipërinë falë Rey Manajt, në kohën kur lushnjari ishte pjesë e Inter-it.
Por, kjo nuk do e pengonte Armand Dukën, kreun e FSHF-së, të hidhte një hap të guximshëm, drejt një trajneri të ri që do te sillte një ndryshim të ritmit të lojës. Një ndryshim që shumë e kishin pritur, shumë e kishin kërkuar, por pak e kishin besuar.
Duka, si njohës i mirë i futbollit, jetëgjatësia e tij në krye të FSHF-së i kalon 20 vite, prej kohësh pjesë e Komitetit Ekzekutiv në UEFA dhe së fundmi edhe zëvendëspresident në organin drejtues të futbollit në Evropë, kishte besuar plotësisht te Sylvinho. Ai kishte vënë bast për brazilianin para katër-pesë emrave të tjerë, siç pranoi së fundmi.
“Jemi nisur nga profesionalizmi dhe jo nga nacionaliteti. Disa kanë luajtur me Zotin, kush është ai më thanë, ai është (Lionel) Messi iu përgjigja. Dhe të luash me më të mirin sigurisht ke mentalitet fituesi, shumë njohuri për futbollin”, tha Duka gjatë prezantimit të Sylvinho-s te Shqipëria më 9 janar 2023.
Së bashku me Sylvinho-n, do të vinin edhe Pablo Zabaleta dhe Doriva. Dy brazilianë dhe një argjentinas. Tashmë, Shqipëria po merrte nuanca amerikano-jugore, nuanca të një toke ku futbolli është, pothuajse, gjithçka.
Vetë trajneri, në fjalën e tij gjatë prezantimit, tregoi pak a shumë se çfarë pa Duka në të vërtetë te ai dhe pse ai vet zgjodhi të kalonte te Shqipëria pas bisedës me kreun e FSHF-së.
“Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit”, tregoi Sylvinho në konferencën e prezantimit të tij.
Në kohën kur Sylvinho mori drejtimin e Shqipërisë, trajneri dhe vetë kuqezinjtë kishin një objektiv të përbashkët, rilindjen dhe përmbushjen e potencialit. Braziliani kërkonte të riniste karrierën e trajnerit pas dështimeve te Lyon dhe Corinthians, ndërsa, në krahun tjetër, kuqezinjtë dëshironin të ktheheshin në shina.
Pak muaj para se Sylvinho të merrte drejtimin e Shqipërisë, në tetor 2022, kuqezinjtë kishin mësuar ekipet kundërshtare në kualifikueset e Euro 2022. Ata u pozicionuan në Grupin E së bashku me Poloninë, Çekinë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Grupi ishte i favorshëm për kuqezinjtë dhe që mund tu jepte atyre një shans të madh për të qenë në Euro 2024. Por, duke parë ecurinë e Shqipërisë në atë kohë, besimi për një kualifikim të dytë historik në Kampionatin Evropian ishte tepër i zbehtë.
Kishte shumë tifozë që dëshironin që Shqipëria të shkonte në finalet e Euro 2024, por ishin të paktë ata që e besonin një arritje të tillë. Mes asaj pakice gjendej edhe vetë Duka.
Pasi kuqezinjtë mësuan kundërshtarët, në një prononcim për mediat Duka u shpreh i kënaqur me shortin dhe shkoi deri atje sa të bënte një parashikim prej “orakulli”.
“Kombëtaren e parashikoj në vend të parë”, tha Duka.
Duke vijuar me tej, kreu i FSHF-së theksoi: “Nëse shkojmë si ushtarë, mund të dalim gjeneralë. Nëse shkojmë si gjeneralë, mund të dalim ushtarë. Mendoj që mund të mundim të gjithë kundërshtarët që kemi në grup. Por mund të humbim edhe ndaj Ishujve Faroe nëse nuk japim maksimumin”.
Rrugëtimi i kuqezinjëve tregoi se Duka kishte të drejtë për dy arsye. E para se Shqipëria doli e para në grup. Dhe e dyta, se kuqezinjtë në rastet kur shkuan si “gjeneralë”, si ndaj Ishujve Faroe në Tiranë, rrezikuan të dilnin “ushtarë”. Ndërsa, ndaj Çekisë dhe Polonisë ku u futën në fushë si “ushtarë” në fund dolën si “gjeneralë”.
Parashikimi i Dukës u përmbush pjesërisht falë Sylvinho-s dhe pjesërisht falë guximit të tij për të vendosur në krye të një ekipi të ri dhe me plot talente një trajner si braziliani.
49-vjeçari nuk pati kurrë ankesa për debutimin e tij të menjëhershëm në kualifikuese, por, përkundrazi, me diplomacinë që e karakterizon, ai gjithmonë u mundua të përçonte te lojtarët një ndjenjë të fortë pozitive se ata do të ishin në Euro 2024 me patjetër.
Kualifikueset e Euro 2024 nisën ndaj Polonisë në Varshavë. Një nisje jo me këmbën e mbarë përsa i përketë rezultatit, pasi kuqezinjtë u mundën 1-0. Por, ishte pikënisja e një kombëtarje të bukur, që luante futboll modern dhe mbi të gjitha afrimet e reja ishin befasuese.
Parimet e punës, rregullat, mos prania e lojtarëve të paprekshëm e shumë të tjera, treguan profesonalizmin e madh që përbënte trajnerin Sylvinho.
Nuk ndodh shpesh në futboll që tifozët të duan ekipin kur ai humbet. Sidomos në Shqipëri. Epo, ky nuk ishte rasti me Shqipërinë e Sylvinho-s. Ajo humbje në Poloni me atë mënyrë loje të kuqezinjëve vetëm sa e shtoi ndjenjen e tifozëve në mbështetje të ekipit kombëtar shqiptar.
Nëse mund ta themi ndryshe lidhjen që tifozët krijuan me të, mund ta cilësojmë si një dashuri me shikim të parë.
Gjithashtu, Duka, shpeshherë i kontestuar për zgjedhjet e tij, kësaj here kishte marrë merita të plota. Merita që vinin, siç u përmend më sipër, nga ajo mënyrë loje e implementuar nga Sylvinho.
Humbja me Poloninë shpejt i la vendin rezultateve pozitive. Kuqezinjtë morën dy fitore radhazi, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, para se të barazonin me Çekinë, dhe te ktheheshin me dy fitore të tjera ndaj çekëve dhe polakëve.
Një barazim 1-1 në ndeshjen e parafundit me Moldavinë në Kishinau do priste biletën e kuqezinjëve për në Euro 2024. Ndërsa, një barazim pa gola në ndeshjen e fundit në Tiranë përballë Faroeve vulsoi vendin e parë në grup.
Me katër fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje, Shqipëria përmbylli fushatën kualifikuese më të mirë që ka zhvilluar ndonjëherë. Ndërsa, Sylvinho arriti të heshte kritikët dhe të lumturonte tifozët, që aq shumë e kishin pritur këtë moment.
Ecuria fantastike me kuqezinjtë, bëri që ish-lojtari i Manchester City, Arsenal dhe Barcelona të rreshtohej në mesin e trajnerëve më të mirë të vitit 2023 (vendi i tetë), në një përzgjedhje nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS).
Ata që do të kishin menduar këtë revansh të karrierës së Sylvinho-s një vit më parë mund të numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë. Por, mund të themi me siguri se Duka dhe vetë braziliani, tashmë i natyralizuar në shqiptar, e kishin besuar dhe jo më kot guxuan dhe shpresuan.
Fushata kualifikuese tregoi se Sylvinho ishte zgjedhja perfekte për atë rol. Përveç kualifikimit, Shqipëria nuk kishte arritur asnjëherë të merrte 15 pikë nga tetë ndeshje kualifikuese, diçka që e arriti me ish-lojtarin e Barcelona-s në stol. Në fakt, Shqipëria e Edy Reja-s kishte arritur 18 pikë, por ata kishin zhvilluar 10 ndeshje në total.
Tani sfida më e madhe e Sylvinho-s, ekipit kuqezi dhe FSHF-së është paraqitja sa më dinjitoze në finalet e Euro 2024.
Shorti i 2 dhjetorit 2023 nuk u tregua bujar për kuqezinjtë duke i vendosur ata në një grup me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Por, “I fort bëhesh kur fiton me të fortët”, siç theksoi edhe Duka menjëherë pasi Shqipëria mësoi rivalët.
Shqipëria do të provojë forcën me tre skuadrat që renditen në “top 10”-shen e FIFA-s. Është një rrugëtim i vështirë, por jo i pamundur, pasi kjo fjalë nuk ekziston në futboll. Mbi të gjitha, pjekuria e një ekipi varet nga përballje të tilla.
Përgatitjet e para për Euro 2024 kanë nisur. FSHF-ja nga ana e saj ka gjetur kampin bazë për qëndrimin e kuqezinjëve në Gjermani, “SportCentrum Kaiserau”. Një qendër stërvitore në të cilën janë stërvitur më herët kombëtare si Gjermania dhe Brazili, si dhe skuadra si Bayern Munich, Leipzig, Borussia Dortmund, Real Madrid, Liverpool e shumë të tjera.
Pas nuk ka mbetur as qeveria shqiptare, e cila së fundmi ka akorduar një fond në shifrën e 200 milionë lekëve për ekipin dhe FSHF-në.
Përsa i përketë ekipit, dhe përzgjedhjes përfundimtare të 23 lojtarëve, mbetet ende kohë për ta bërë këtë. Kuqezinjtë do të kenë disa miqësore për të zhvilluar, para se Sylvinho të vendos përfundimisht se kë do të ftojë në “Gjermani 2024”.
Megjithatë, e thënë me fjalë të tjera, ecuria fantastike e Shqipërisë nuk është vetëm ajo që shihet në stadium apo ekran, por ka shumë pune, sfida e përpjekje në parapaskenë. Vetëm në vitin 2023, futbollit në vend i janë bashkuar rreth 2 mijë të rinj, siç bëri të ditur Duka gjatë mesazhit të urimit për festat e fundvitit.
Falë investimeve, bashkëpunimeve dhe vizionit, Shqipërisë po i rikthehet dashuria për futbollin. Kampionatet amatore, të të rinjëve, femrave dhe ato të meshkujve vijojnë rrugëtimin në kushtet më optimale.
Viti 2023 ishte një vit i jashtëzakonshëm për futbollin në Shqipëri, vendin që organizoi 13 turne ndërkombëtarë të UEFA-s. Dhe, vendin që mori votbesimin për të organizuar Euro 2025 për U-17.
Viti 2024 premton gjithashtu të jetë i suksesshëm për Shqipërinë. Është viti i Euro 2024, por do të jetë edhe viti ku do të mësohet e ardhmja e Sylvinho-s, e cila për momentin duket kuqezi. Gjithashtu do të jetë viti ku ekipi do të përgatitet për fazën e re pas Evropianit. /Albanianpost.com
Discussion about this post