Deputetja shqiptare Albana Vokshi ka ngritur në Asamblenë Parlamentare të Këshilli i Europës çështjen e protestave të zhvilluara në Shqipëri, duke kërkuar vëmendjen e institucioneve europiane ndaj situatës politike dhe sociale në vend.
Në fjalën e saj, Vokshi deklaroi se shtypja e protestave paqësore është një nga shenjat e para të autoritarizmit dhe se qytetarët shqiptarë po përballen, sipas saj, me kufizime të lirisë së protestës, intimidim të aktivistëve dhe presion ndaj zërave kritikë.
Ajo solli në vëmendje protestat në Tiranë dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit, duke thënë se ato kanë nisur fillimisht për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe tokës publike, por më pas janë kthyer në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe lidhjeve mes politikës, interesave ekonomike dhe krimit të organizuar.
Sipas Vokshit, prej disa javësh mijëra qytetarë shqiptarë, veçanërisht të rinj të Gjeneratës Z, po dalin në protesta paqësore duke kërkuar një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Deputetja deklaroi se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike që, sipas saj, do të garantonte organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në fjalën e saj, Vokshi kritikoi reagimin e autoriteteve ndaj protestave, duke akuzuar qeverinë për përdorim të gjuhës denigruese, intimidim dhe ndjekje ligjore ndaj aktivistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Ajo foli gjithashtu për hetime të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj disa biznesmenëve të fuqishëm në sektorin e ndërtimit, duke pretenduar se ato kanë nxjerrë në pah shqetësime mbi pastrimin e parave dhe lidhje të mundshme mes interesave ekonomike, krimit të organizuar dhe zyrtarëve publikë.
Në përfundim, ajo i bëri thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të mbështesë qytetarët shqiptarë, të dënojë çdo formë intimidimi ndaj protestuesve paqësorë dhe të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri.
Deklarata e Vokshit:
E dashur Znj Presidente,
Sot do të flas në lidhje me protestat në Shqipëri.
Historia na mëson se një nga shenjat e para të autoritarizmit është përpjekja për të shtypur protestat paqësore. Udhëheqësit autoritarë kanë frikë nga qytetarët që protestojnë dhe reagojnë duke kufizuar lirinë e protestës, duke intimiduar aktivistët, duke vënë në shënjestër gazetarët dhe duke përdorur gjithë pushtetin për të heshtur zërat kritikë.
Kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në Shqipëri.
Shumë prej jush i keni parë pamjet e protestave masive në Tiranë, si edhe në komunitetet shqiptare në mbarë Europën, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi e më gjerë.
Ajo që nisi prej keqtrajtimit të një protestuesi paqësor nga rojet e një kompanie private sigurie, në prani të policisë së shtetit që qëndroi pasive, është shndërruar në diçka shumë më të madhe. Fillimisht, qytetarët protestuan për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe tokës publike nga projekte jo transparente. Sot, këto protesta janë kthyer në një lëvizje të gjerë qytetare kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe aleancës mes pushtetit politik, interesave oligarkike dhe krimit të organizuar.
Prej gati një muaji, çdo ditë, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, Gjenerata Z, kanë dalë në rrugë në protesta paqësore, dinjitoze dhe plot ngjyra.
Ata nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë një të ardhme në vendin e tyre. Shumë prej tyre besojnë se e vetmja mundësi për të ndërtuar jetën e tyre është emigrimi, sepse nuk shohin më një sistem të meritës.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike, të aftë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në vend që të dëgjojnë zërin e qytetarëve, autoritetet janë përgjigjur me fyerje, intimidim, fushata denigruese dhe përndjekje ligjore ndaj aktivistëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Kryeministri ka akuzuar armiqtë e huaj që synojnë destabilizimin e Shqipërisë, ai i ka fyer dhe mallkuar protestuesit dhe vazhdon të refuzojë të japë dorëheqjen.
Në ditët e fundit, Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arreste për akuza të trafikut dhe pastrimit të parave ndaj disa prej ndërtuesve më të fuqishëm në Shqipëri, duke ekspozuar një skemë të pastrimit të parave në shkallë industriale pas bumit të ndërtimeve në vend. Hetimet kanë nxjerrë në pah lidhje shqetësuese mes krimit të organizuar, interesave të fuqishme ekonomike dhe zyrtarëve qeveritarë.
Por, të nderuar kolegë,
Paratë e krimit që pastrohen përmes projekteve gjigante të ndërtimit nuk mbeten brenda kufijve. Ato shtrembërojnë tregjet, minojnë konkurrencën e ndershme dhe ndikojnë në ekonomitë e mbarë Europës.
Ky është sistemi që qytetarët shqiptarë po sfidojnë në mënyrë paqësore. Ata kërkojnë llogaridhënie, sundim të ligjit, mbrojtjen e të drejtës së pronës dhe të mjedisit, institucione demokratike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo çështje shkon përtej një grupi politik, përtej partive politike dhe përtej PPE, PS etj. Protestuesit paqësore ndajnë vlerat mbi të cilat është themeluar kjo Organizatë: dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Këshilli i Europës ekziston për të mbrojtur këto vlera.
Prandaj, i bëj thirrje kësaj Asambleje të qëndrojë në krah të qytetarëve shqiptarë, të dënojë çdo formë intimidimi apo represioni ndaj protestuesve paqësorë, të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe të mbështesë një zgjidhje të mirëfilltë demokratike për këtë krizë.










Discussion about this post