Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi nuk u dakordësuan me opozitën në grupin e dialogut.
Në nismën e propozuar nga PS adresohet vetëm reflektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që cilat janë detyrim për Kuvendin. Ndërsa janë përcaktuar modalitete që bëjnë të zbatueshme votën e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitit 2025.
Sipas propozimit të maxhorancës, votimi i emigrantëve do të bëhet nëpërmjet postës.
“KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në “Neni 25/1″.
“Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit”.
Gjithashtu, është propozuar formula e re e percaktimit të herësit në ndarjen e mandateve brenda partisë/koalicionit.
Herësi, sipas formulës së re të propozozuar nga PS, nuk do te jetë më i madh se 7000 vota.
“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7.000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”, shkruhet në neni 163, pika 3.
Propozimi i plotë:
Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit
1. KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi.
3. KQZ–ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.
4. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Neni 2
Neni 25 riformulohet si vijon:
“Neni 25
Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit
1. Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.
2. Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
3. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë.
4. KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
5. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi.
6. Në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme sipas nenit 9, pika 5, pika 6, pika 7 ose pika 8 të këtij Kodi, Rregullatori përcakton me akt normativ afatet kohore për listën e zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë.
7. Rregullatori miraton aktet e nevojshme normative nënligjore për përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, si dhe modalitetet dhe rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste. Dokumentacioni që kërkohet për të regjistruar vendbanimin e zgjedhësve që kanë
shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit është i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin “Për identifikimin e regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
8. Komisioneri dhe Ministri përgjegjës për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë
territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit, si dhe regjistrimin e adresës së tyre ne Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”
Neni 3
Pas nenit 25 shtohet neni 25/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 25/1
Votimi nga jashtë vendit dhe rezultati zgjedhor
1. Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për
mbylljen e votimit në qendrat e votimit brenda vendit dhe vetëm kur zarfet me fletët e votimit mbërrijnë në këtë orar në adresën e KQZ-së. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari.
2. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
3. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.
4. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ-së. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Komisionieri përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij
neni.”
Neni 4
Neni 67, pika 3, fjalia e dytë dhe fjalia e tretë shfuqizohen.
Neni 5
Neni 162, pika 1, fjalia e dytë riformulohet si vijon:
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”
Neni 6
Neni 163, pika 3, riformulohet si vijon:
“3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës sipas nenit 162 të këtij Kodi dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.”
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Discussion about this post