Nga Gjergj Erebara
Më 15 mars, ish-presidenti për pesë vjet dhe ish-kryeministri për tetë vjet, Sali Berisha, udhëtoi drejt Mirditës, një bashki që nominalisht ka katër qyteza minerare, 28 mijë zgjedhës në lista dhe 81 fshatra, shumica e të cilave duket se nuk janë lidhur ende me rrugë të asfaltuara me pjesën tjetër të vendit.
Media e opozitës syri.net njoftoi se kandidati i opozitës është Albert Mëlyshi, ndërsa raportoi gjerë e gjatë se çfarë tha Berisha. Vetë kandidati nuk foli, së paku jo në këtë lajm. Ndërsa në media të tjera, emri i kandidatit humbi nëpër të pa u përmendur fare.
Shqipëria ka 45 subjekte të licencuara për transmetime televizive dhe shumë e shumë media, të cilat kanë transmetim 24-orësh vetëm me lajme. Ta ha mendja se ndonjë prej këtyre televizioneve do të kishte shfrytëzuar rastin të mbushte ndonjë cep të programacionit që është jashtëzakonisht rraskapitës për t’u mbushur, edhe me një ngjarje të tillë si prezantimi i kandidatit të opozitës në bashkinë Mirditë. Në fakt, për aq sa mund të gjendet duke kërkuar online, asnjë nga televizionet kryesore nuk rezulton të ketë bërë ndonjë kronikë, apo të ketë intervistuar kandidatin.
Kandidati përballë tij, Ndrec Deda, nuk rezulton gjithashtu të ketë dhënë ndonjë intervistë gjëkundi prej shumë dhe shumë vitesh.
Sa i përket Mëlyshit, fjalimi i tij i kandidimit mund të gjendet vetëm në një faqe youtube të vetë Partisë Demokratike, ku fjalët e tij ndëpriten nga brohoritjet e herëpashershme të pjesëmarrësve në takim “Sali Berisha, Sali Berisha.”
Në anën tjetër në Shqipërisë, në Vlorë, dy socialistë garuan për postin e kandidatit të kryetarit të bashkisë. Ta ha mendja që një garë e tillë, megjithëse brenda partisë, duhet të shfaqë mjaftueshëm interes publik sa ndonjë gazetar a gazetare nga ndonjë prej shumë televizioneve kombëtare a lokale, t’i afrohet kandidatëve paraprakisht për t’i intervistuar. Për t’i pyetur se çfarë ka ai ndër mend të bëjë për qytetin që ka në plan ta qeverisë për katër vitet e ardhëshme, ose, mos o Zot, për t’i bërë ndonjë pyetje provokative, nga ata që gazetarët i bëjnë rëndom nëpër botë: ta pyesin, fjala vjen, nëse kandidatit i pëlqen mishi apo peshku, nëse i pëlqen çokollata e bardhë apo çokollata e zezë, nëse preferojnë qentë përkundrejt maceve, nëse shqetësohen për ngrohjen globale apo zinë e bukës në Somali.
Votuesi, vlonjat apo tjetër, ka gjasa do të zhgënjehet. Qytetarët ka shumë gjasa që këto zgjedhje, njësoj si të në shkuarat, do të shkojnë në kutinë e votimit (nëse do të shkojnë), pa pasur ende të qartë në kokë emrat e kandidatëve, e jo më, ndonjë ide të secilit prej tyre se çfarë duhet bërë me qytetin.
Në vend të kandidatëve, në shumë televizione, ata që po intervistohen janë gazetarët. Gazetari raporton në lajme dhe po ashtu edhe në emisionet e mbrëmjes, ku intervistohet nga moderatori se çfarë ndodhi. Në vend të kandidatëve për deputetë dhe çështjeve të rëndomta vendore, si ujësjellës a kanalizime, urbanistikë, parqe a kazanë mbeturinash, shqiptarëve po u buçasin veshët nga gjëra të mëdha.
P.sh., në shumicën e televizioneve, lajmi mbi caktimin e kandidatit socialist të Vlorës konsistonte në faktin që vetë Edi Rama ka marrë mundimin të shkojë atje. Vetë Rama del çdo ditë në media për të folur se si ka ai në plan të rrisë pagat e pensionet dhe se sa të pashpirtë janë pronarët që mbajnë paga të ulëta. Berisha ka hallin e tij me emërtimin “i korruptuar” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa akuzon Ramën për të korruptuar.
Dukshëm, kandidatët socialistë kanë një si tip kod heshtjeje, një lloj omerta-je në këto zgjedhje ndërsa në rastin e kandidatëve të opozitës, ata ose nuk kanë ndonjë gjë për të thënë, ose, media nuk u qaset për t’i intervistuar. Duke pasur parasysh se shumica e televizioneve kryesore dukshëm favorizojnë qeverinë, ka gjasa që është kjo e dyta.
Ambasadorja Audrey Glover ishte drejtuesja e misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR në zgjedhjet e vitit 2019. E njëjta qëlloi që do të jetë edhe këtë vit. Herën e kaluar ajo vërejti se si politikanët shqiptarë “kanë pak respekt” për votuesit, se media nuk ofron informacion mbi kandidatët dhe rrjedhimisht, votuesit kanë pak shanse të bëjnë një zgjedhje të informuar.
“Për kë bëhen zgjedhjet, për politikanë apo për votuesit?” pyeti Glover në mënyrë retorike në atë kohë. Ajo ka gjasa që do ta përsërisë këtë vërejtje edhe kësaj here. Këto nuk kanë zgjedhje për kryebashkiakë, Shqipëria nuk ka të tillë. Këto janë zgjedhje për të votuar Ramën ose Berishën dhe Metën, ndërsa kandidatët duket se janë të gjithë ‘kukulla’ të kryetarëve.
Discussion about this post