Procesi i rindërtimit në Durrës nuk është thjesht një çështje teknike apo financiare, por është kthyer në një instrument të fuqishëm shantazhi politik. Deputeti demokrat Igli Cara ka denoncuar me forcë presionin që u bëhet qytetarëve të pastrehë, të cilëve u kushtëzohet marrja e apartamenteve me votën për Partinë Socialiste.
Sipas dëshmive të shumta të mbledhura nga terreni, përfaqësues të Bashkisë dhe strukturave të partisë në pushtet u kanë bërë të qartë banorëve se nëse nuk votojnë për Rilindjen, procesi i tyre i strehimit do të zvarritet pafundësisht. Kjo skemë, e cila është përsëritur në disa fushata zgjedhore radhazi, ka krijuar një klimë frike ku qytetarët hezitojnë të flasin publikisht për padrejtësitë.
Cara theksoi se kjo strategji kriminale elektorale shoqërohet edhe me vonesa të qëllimshme në shpërndarjen e bonusit të qirasë, duke i mbajtur familjet në varësi totale ekonomike. Por opozita nuk kërkon vetëm denoncim politik.
Cara ishte i prerë në kërkesën e tij për drejtësi reale. Ai argumentoi se nuk mjafton që zyrtarët e korruptuar të dënohen me disa muaj apo pak vite burg për shpërdorim detyre, ndërkohë që paratë e vjedhura nuk kthehen kurrë në arkën e shtetit. ‘Është bërë modë që bëjnë pak burg dhe gëzojnë paratë e vjedhura’, u shpreh ai.
Thirrja e tij për organet e drejtësisë, veçanërisht SPAK, ishte e qartë: hetimi duhet të çojë në sekuestrimin e pasurive të vëna përmes korrupsionit me fondet e rindërtimit dhe kthimin e këtyre parave tek taksapaguesit.
Disa vite pas tragjedisë që la mijëra familje pa një çati mbi kokë, situata e rindërtimit mbetet një plagë e hapur. Sipas denoncimeve të bëra publike, mbi 1000 familje ende nuk janë akomoduar në banesat e reja, duke vazhduar të paguajnë bonusin e qirasë, tha Cara.
Igli Cara: Kanë disa fushata rresht që bëjnë presion pikërisht, duhet të bëhesh dhe të votosh Partinë Socialiste, ndryshe nuk merr apartament. Dhe këtë gjë e kemi të provuar se na e kanë thënë banorët në takimet që shkonim. Dhe sot, me thënë të drejtën, në qoftë se dhe ju e keni vënë re me anë të reporterëve tuaj, banorët kanë frikë të flasin, vetëm nga presioni i madh që i është bërë nga përfaqësuesit e bashkisë, qoftë zonja Sako, Rama e me radhë. Prandaj dhe kjo është një problem
Sipas të dhënave që ne kemi duke hetuar, bëhet fjalë që mbi 1000 familje akoma nuk janë akomoduar, vazhdojnë të paguajnë bonus qiraje në xhepat e tyre.
Prej tre vitesh, e jo pak, dhe të llogarisësh që mund të jetë 250 deri në 300 euro një qira, bëhet fjalë që në vit janë rreth 3000 euro, në tre vite janë 9000 euro, 10.000 euro kosto për çdo familje, që vazhdojnë paguajnë. Unë uroj shumë që të mbyllej të paktën këtë vit. Unë nuk jam realist që të them që shumë banorë nuk janë futur, janë futur. Por jemi tre vite pas ngjarjes dhe akoma nuk ka përfunduar.
Dhe prandaj po themi premtimet e Ramës janë gjithmonë premtime fushate. Unë nuk di ndonjë premtim të Ramës që të jetë mbajtur dhe ne tani e kemi të faktuar në çdo fushë. Nuk bëhet fjalë vetëm për rindërtimin. Bëhet fjalë për pensionet, për arsimin, për bujqësinë, për industrinë. Në çdo fushë, Rama nuk i mban premtimet. Por në këtë moment duhet të them që neve do insistojmë fort që komisioni hetimor të ngrihet.
Të vijë një ditë që Shqipëria nuk do të jetë kjo siç është. Nuk do të jetë në duart e Ramës. Dhe duhet t’i sigurojmë qytetarët, duhet t’i sigurojmë në fakt qytetarët që e drejta do të dali, paratë e taksapaguesve, do të dinë se ku janë shpërdoruar, pse jo, dhe do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ato që kanë kanë vënë dorë tek këta para.
Me hapjen e komisionit hetimor do të dalin dhe fakte, siç kanë dalur tanimë dhe për raste të tjera, të zonjës Balluku e me radhë. Dhe në këto raste pastaj patjetër që do të ketë padi penale dhe do të ndiqen, do të ndiqen rrugët gjyqësore. Dhe në fakt këtu dua të ndaj një problem që nuk është vetëm për rindërtimin.
Nuk mjafton vetëm që neve të denoncojmë dhe këto që kanë vjedhur para publike, kanë grabitur para publike, thjesht të dënohen me gjashtë muaj apo një vit burg dhe tanimë është bërë e modës dhe kjo është dhe një thirrje për drejtësinë. Nuk mjafton që dikush që ka vjedhur, me 10, 20, 30 apo shifra të tmerrshme miliona euro, të mjaftohet me gjashtë muaj burg.
Mbi të gjitha qytetarët duan që t’i kthehen paratë e tyre. Sepse është bërë e modës dhe tanimë që nuk prish punë edhe gjashtë muaj dhe një vit burg, ky soj i bën, i bën burg, mjafton që paratë mos t’i ngiten. Dhe nuk kemi parë asnjë rast deri tani, për fat të keq, që paratë të jenë kthyer. Dhe kjo në fakt duhet të jetë dhe një premtim i opozitës. Nuk duhet të mjaftohet thjesht me denoncimin dhe dënimin e tyre? Por mbi të gjitha të kthehen paratë e qytetarëve.










Discussion about this post