Vrasja e 30 vjeçares Liridona Ademaj ka tronditur jo vetëm Kosovën, por edhe më gjerë. I dyshuar për vrasjen e Ademajt po mbahet burri i saj, Naim Ismajli, i cili sipas prokurorisë, dyshohet se ka paguar 30 mijë euro Granit Plavën për ta kryer vrasjen.
Kjo ka nxitur reagimin e profesorit të kriminalistikës, Mensut Ademi, i cili ka thënë se Kosovë dhe Shqipëri gjenden vrasës me pagesë.
“Shqiptarët e Shqipërisë si vrasës me pagesë mund të gjenden pothuajse në çdo vend të botës. Dhe veçanërisht janë prezent në SHBA , Evropë dhe në Ballkanin Perëndimorë. Shumica e vrasësve me pagesë janë trafikant droge po ata kryejnë edhe vrasje me pagesë. Vrasësit me pagesë mund të kategorizohen në dy grupe; kontingjent të botës së krimit me rekorde kriminale të hershme, dhe ish-pjesëtarë të Forcave Elite policore dhe ushtarake. Sipas të dhënave nga Shqipëria vrasës shqiptar me pagesë kemi rreth 40 veta”, thotë Ademi për “Bota sot”.
Por sa kushtojnë vrasësit me pagesë sipas Ademit?
“Çmimet fillojnë nga 5000 deri në 30 mijë, ndërsa vrasjet që kërkojnë profesionalitet të lartë dhe që kryhen nga ish-ushtarakë profesionistë që mund të vrasin me snajper, çmimi i tyre vijon nga 30 mijë deri në 200 mijë dollarë”, thekson Ademi.
Ai shprehet se mënyrat që përdorin vrasësit me pagesë për t’i realizuar vrasjet janë nga më të ndryshmet, por të menduara fare mirë nga autorët. Krejt kjo për të mos lënë asnjë gjurmë dhe për të bërë siç thuhet në gjuhën e tyre “një punë të pastër”.
“Një nga mënyrat më të përdorshme nga autorët e këtyre vrasjeve është përdorimi i pistoletës me silenciator. Vendosje e një moszhurmuesi në tytën e pistoletës së armës bën që autorët e një krimi të kryejnë vrasjen e më pas të largohen në mënyrë fare të qetë për të mos u vënë re nga personat përreth. Një tjetër mënyrë që përdoret është ajo e snajperit. Një vrasje farë perfekte, pa lënë asnjë grimcë gjurme që policia apo edhe prokuroria ta zbulojë. Një shënjestër në zemër të viktimës e kryen këtë krim në mënyrë perfekte. E jo vetëm kaq, në fund të punës autorët shpërblehen. Por, nëse do të mos lësh as nishan në vendin e ngjarjes, eksplozivi është fare mire (kjo metode së fundmi ka nisur të përdoret shpesh)”, shpjegon profesor Ademi për “Bota sot”.
“Shumica e vrasësve shqiptarë preferojnë të përdorin një pistoletë me një shtypës të zërit. Sidoqoftë, në të kaluarën e afërt, kishte edhe shumë atentate me eksplozivë. Që nga prishja e rendit publik gjatë trazirave të vitit 1997, sasi të mëdha armësh dhe eksplozivësh kanë gjetur rrugën e tyre nga depot e ruajtjes së ushtrisë shqiptare në duart e popullatës civile. Që atëherë, rendi publik është rivendosur, por pajisja ushtarake është ende atje”, shton Ademi.
Por ku veprojnë vrasësit shqiptarë me pagesë?
“Shumica e vrasësve shqiptarë janë mjaft të efektshëm në atë që po bëjnë. Rastet kur dikush kapet janë relativisht të rralla. Ata janë shumë të suksesshëm, rrallë humbasin synimet e tyre dhe nuk bëjnë shumë gabime. Shumica e vrasësve profesionistë në Shqipëri u përkasin klaneve familjare të cilat janë të krahasueshme me mafien italiane. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ata vrasin vetëm për klanin e tyre. Shumica e tyre mund të punësohen nga kushdo që është në gjendje të paguajë çmimin e tyre. Për më tepër, ata shpesh punësohen për të vrarë njerëz në vende të tjera. Kishte raste, kur vrasës profesionistë nga Shqipëria ishin të përfshirë në atentate në Kosovë, Itali, dhe madje edhe në Shtetet e Bashkuara”, thotë profesor Mensut Ademi.
Në fund, Ademi i ndan në 5 grupe vrasësit me pagesë, duke përfshirë edhe ata shqiptar.
1 -Vrasës fillestarë- Në këtë kategori bëjnë pjesë ata vrasës që kryejnë një krim për herë të parë dhe nuk kanë përvojë.
2 -Vrasës amatorë- Ky, në ndryshim nga i pari, ka njëfarë përvoje, por nuk ka një profil kriminal. Pra, përveç vrasjeve me pagesë nuk ka kryer tjetër veprimtari kriminale. Për rrjedhojë, kjo kategori vrasësish ka lidhje të kufizuara me botën e krimit, gjë që ia vështirëson shtënien në dorë të armëve dhe eksplozivit. Amatorët pranojnë kontrata për të mbuluar problemet e tyre financiare, por nuk e kanë vrasjen me pagesë profesion të parë. Vrasësit amatorë në përgjithësi kryejnë një ose dy vrasje me pagesë. Ata mund t’i kryejnë këto vrasje edhe për të rritur reputacionin e tyre në botën e krimit. Në ndryshim nga “profesionistët”, amatorët nuk e kanë vrasjen me pagesë mjet pune, por e bëjnë atë për një çështje specifike.
3 -Vrasës ekskluzivë- Në këtë kategori vrasës të cilët kryejnë vrasje vetëm në emër të një bande dhe, për arsye studimore në këtë punim, kjo kategori vrasësish do të quhet “vrasës ekskluzivë””.
4-Vrasës me përvojë- Në këtë kategori bëjnë pjesë vrasës që nuk shquhen për ndonjë aftësi të rrallë, por që kanë një përvojë të gjerë vrasjesh. Ata njihen dhe kanë lidhje me botën e krimit. Zotërojnë burime të mjaftueshme armësh dhe eksplozivësh. Policia mund t’i zbulojë duke përdorur burime lokale në zonat ku banojnë. Forma e vetme e jetesës është thjesht nëpërmjet veprimtarisë kriminale, dhe vrasja me pagesë nuk është e vetmja veprimtari e tyre.
5 -Vrasës profesionistë (specialistë)- Në këtë kategori bëjnë pjesë në përgjithësi individë me një karrierë ushtarake në forcat speciale apo në forcat e policisë. Kjo kategori është kontingjenti më i vështirë për t’u zbuluar, pasi nuk kanë lidhje me zonën ku kryejnë krimin. Janë gjithmonë në lëvizje dhe janë shumë të aftë të fshehin gjurmët. Vrasësi profesionist e konsideron vrasjen si profesion dhe si mjet pune. Ata zakonisht janë anëtarë të një organizate kriminale ose veprojnë te vetmuar”, përfundon profesori i kriminalistikës, Mensut Ademi.
Discussion about this post