Në emisionin “Top Story” në Top Channel u diskutua sërish për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani, ngjarje e ndodhur 10 ditë më parë në kryeqytet.
I ftuar në studio ishte Erion Ismaili, zëvendësdrejtor i Krimit në Tiranë, i cili dha më shumë detaje në lidhje me sherrin mes viktimës dhe të miturit.
Ai tha se policia posedon pamje të konfliktit, ndërsa shtoi se momenti i konfrontimit mund të ketë zgjatur rreth 10 sekonda.
Sakaq ai theksoi se nga ana e policisë janë kryer një sërë veprimesh.
“Kemi dy episode, më datë 15 ku jashtë ambienteve të shkollës kemi pasur një debat mes viktimës dhe autorit. Pas këtij episodi ka pasur një komunikim në aplikacionin Snap Chat, ku duket se janë sqaruar, por kanë lënë një takim të hënën pas mësimit.
Episodi i dytë i ka ndodhur në ambientet shkollës. Më pas vijmë te ngjarja, që është rreth orës 13:00, 18 tetor. Viktima dhe personat kanë qenë në mbarim të procesit mësimor. Janë bashkuar 200 metra larg shkollës, duke evidentuar problematikën, kanë përshkuar 40 metra nga vendi i ngjarjes.
Në këtë vendngjarje kemi evidentuar 9 nxënës shkolle, 6 prej tyre janë në krahun e viktimës. Në krahun e autorit është autori dhe një nxënës tjetër. Janë identifikuar këta persona, janë pyetur dhe ripyetur. 3 prej tyre nuk janë të shkollës “Fan Noli”, janë nga krahu i viktimës. Kemi një dinamikë të qartë të ngjarjes. Që nga momenti i sherrit… momenti i goditjes është në disa sekonda. Debati dhe momenti i konfrontimit mund të jetë 10 sekonda. Nuk e kemi të filmuar këtë. Kemi video dhe gjatë momentit.
Nga ana e policisë janë kryer një sërë veprimesh. Jemi deri tek një person, hetimi vazhdon.”, u shpreh ai.
Më tej ai shtoi “Nisur nga veprimet e policisë, dua të siguroj që policia, grupi hetimor që është ngritur për të hetuar ngjarjen që nga dita që ka ndodhur ngjarja dhe deri sot ka punuar orar pa orar, për të zbardhur dhe thënë të vërtetën, që të vijë një ditë që të jemi para këtyre fakteve. Së dyti lidhur me ngjarjen edhe për opinion publik ka dy episode.
Ka pamje filmike të vendit të ngjarjes, jemi duke shqyrtuar edhe pamje të tjera, ka një panoramë të qartë, nuk vjen vetëm nga pjesa e pamjeve filmike, kemi pyetur në momentin e ngjarjes, kemi ripyetur sërish personazhet nëse kemi të bëjmë me të njëjtat thënie.”
“Thika që është postuar është tjetër. Nuk është ajo. Nga ekzaminimi i thikës ka mbetje të gjakut, po bëhen ende ekzaminime dhe së shpejti do dalim në një përfundim. Ajo çfarë ne themi në komunikatën e policisë është e vërtetë. Procesi hetimor nuk ka mbaruar vazhdon. Është spekuluar.”, tha ai.
Ai u ka mëshuar kontradiktave mes deklaratave. “Marseli, kushëriri i Luisit ka qenë pjesë e konfrontimit, ka qenë më i qetë nuk thotë në asnjë rast që ka pasur një person ( të dytë) me një thikë në ngjarje, prandaj thashë se dëshmitë janë shumë të rëndësishme. Shoh deklaratën e babait që e ndryshon nga dita në ditë. Kemi marrë një sërë dëshmish, kemi ripyetur persona, kemi panoramë të qartë të mekanizmit të kryerjes”, këmbëngul zv,drejtori.
Discussion about this post