Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e Alekandër Sadikajt në 2022 në Tiranë, por edhe nga ekzekutimi i biznesmenit Edmond Papa.
Emisioni “Në Shënjestër” ka hedhur dritë mbi lidhjen që mund të kenë këto dy ngjarje. Ndërsa është zbardhur edhe dëshmia e Dashnor Alushatj, babait të Ledjan Alushajt.
Dokumentari, pjesa e dytë:
Familjarët dhe të afërmit e Aleksandër Sadikaj, i cili u ekzekutua me shpërthim të komanduar tritoli në Tiranë më 11 Qershor 2022, kishin dyshime se mentori i vrasjes së njeriut të tyre ishte Edmond Papa, biznesmeni nga Saranda. Ky i fundit u ekzekutua 6 muaj më pas në zonën e Selitës në Tiranë.
Bazuar në analizën e kryer nga policia dhe prokuroria, familjarët e Aleksandër Sadikaj kishin dyshime të forta se vrasja e tij u porosit në hotelin e Edmond Papës në qytetin jugor bregdetar. Ky skenar mund të lidhet me ngjarjet e tjera në kontekstin e luftës kriminale që duket se po ndodh mes grupimeve kriminale të ndryshme, përfshirë të afërmit e Sadikaj dhe Edmond Papën. Për të vërtetuar këto dyshime dhe lidhjet e mundshme, hetimet do të duhet të vazhdojnë me analizën e detajuar të provave dhe dëshmive.
Për këtë arsye nëna e 27-vjeçarit, kishte marrë rrugën dhe kishte shkuar vetë në këtë hotel për të takuar Ledjan Alushaj, mikun e djalit të saj, që mendohet se ishte kthyer në bukëshkalin e tij, duke çuar deri në fund skemën e ekzekutimit.
Ledjan Alushaj, i cili thuhet se kishte marrë pjesë edhe në varrimin e 27 vjeçarit, duke mbajtur mbi supe edhe arkivolin e tij, nuk i kishte dalë në takim nënës së Aleksandër Sadikaj. Në anën tjetër, Adriatik (Andrea) Kalemi rezulton të ketë lidhje të ngushta shoqërore me Albano Velon dhe Andrew Boden. Të dy, bashkë me individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, mendohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e njeriut të tyre është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin e Edmond Papës, i cili menaxhohej edhe nga vëllai i 49-vjeçarit, Kristo Qirici.
Ngjarjet që pasuan duket se lidhen me një skenë kriminale të pasur me kompleksitet dhe intriga. Zhdukja e dy personave, Leonard Theodhori, i njohur si ‘Koçole’, dhe Fatmir Sulovari, shfaq një dimension të ri të kësaj historie. Koçole ka një profil kriminal, veprimtari të lidhura kryesisht me drogën, ndërsa Sulovari ka pasur një diskotekë në Sarandë dhe njihet për konflikte të mëparshme me ligjin.
Përfundimisht, lidhja midis zhdukjes së Leonard Theodorit dhe Fatmir Sulovarit me ekzekutimet e Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës nuk është ende e qartë. Megjithatë, disa elementë të përbashkët mund të shërbejnë si indikacione për një lidhje të mundshme.
Por si lidhet zhdukja e këtyre dy personazheve, trupat e të cilëve kërkohen edhe sot nga familja dhe policia me ekzekutimet e Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës? Dhe pse mendohet që Ledjan Alushaj, personi që dyshohet se organizoi vrasjen e Sadikaj është personi kyç në këtë histori?
Sipas të dhënave të publikuara më herët nga emisioni ‘Në shënjestër’ më datë 7 prill, Theodhori dhe Sulovari u futën në grackë gjatë udhëtimit drejt fshatit Çukë në Sarandë. Ata fillimisht udhëtuan me makinën e tyre, por më pas u marrën nga persona tjetër në fshat, të cilët dyshohet se kryen rrëmbimin e tyre. Pastaj, ata transportohen me një makinë të dytë në fshatin Vrinë, ku gjurmët e tyre zhduken përfundimisht. Hetuesit dyshojnë se pas rrëmbimit mund të jetë Eldjan Alushaj, i cili tani besohet të jetë në Dubai. Dyshimet e policisë lidhen me faktin se Alushaj ka supozuar se ‘Koçole’ dhe Sulovari janë përfshirë indirekt në vrasjen e mikut të tij, Edmond Papa.
Dyshimet shtohen, duke sugjeruar se ‘Koçole’ kishte informacion mbi vrasjen e Sadikaj dhe mund të kishte rrezikuar krerët e grupit nëse fliste. Ledjan Alushaj, i dyshuar për organizimin e rrëmbimit të ‘Koçoles’ dhe shoqëruesit të tij, Sulovarit, këtë ditë kishte thirrur Theodhorin për t’u bashkuar, duke e informuar se kishte armë me vete. Alushaj përmendet në dëshminë e nënës së Aleksandër Sadikaj si pjesë e ekzekutimit të tij. Hetuesit, në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Sulovarit, kryen shumë kontrolle në ambiente të ndryshme. Kryesisht, fokusi i tyre ishte te banesa e babait të Ledjan Alushaj dhe në hotelin e pronarësisë së Edmond Papës. Emisioni ‘Në shënjestër’ zbulon dëshminë e Dashnor Alushaj, babait të Ledjan Alushaj.
Dashnor Alushaj: Kam 3 fëmijë, 2 vajza dhe një djalë të rritur, të tre të martuar dhe banojnë të ndarë nga unë. Si familje prej vitesh kam aktivitet tregtar në kultivimin dhe tregtimin e mandarinave dhe posedoj një plantacion në fshatin Xarrë, Sarandë si dhe një fermë lopësh në zonën e Stillos, Sarandë.
I pyetur për vendndodhjen e të birit, Dashnor Alushaj, deklaroi se Eldjani ndodhet prej disa muajsh në Britaninë e Madhe.
Dashnor Alushaj: Djali është i martuar me shtetasen K.S, kanë dy fëmijë dhe jetojnë në Sarandë. Nusja e djalit ka probleme shëndetësore dhe prej muajit Janar ata janë larguar në drejtim të Anglisë ku ajo po kurohet. Nuk e di qytetin e saktë ku janë vendosur, pasi më tepër me ta komunikon bashkëshortja. Për herë të fundit me djalin kam folur para rreth 6 ditësh. Ai po fliste me nënën e tij dhe ma ka kaluar dhe mua në telefon.
Por Dashnor Alushaj mohoi para grupit hetues që të kishte konflikte me dy të zhdukurit, madje edhe ‘Koçolen’ tha se e njihte vetëm si emër. Dashnor Alushaj: Leonard Thodhorin dhe Fatmir Sulovarin nuk i njoh, nuk kam patur asnjëherë të bëj me ta. Shtetasin me pseudonimin ‘Koçole’ thjesht e kam të dëgjuar nëpër Sarandë.
I pyetur në lidhje me automjetin tip furgon pa targa të gjetur në magazinën e tij, që dyshohet të jetë përdorur në rrëmbimin e ‘Koçoles’ dhe Sulovarit. Dashnor Alushaj, mohoi gjithashtu të jetë i tij.
Dashnor Alushaj: Këtë furgon e kam blerë rreth 9 vite më parë në Shijak. Është i targuar me targa shqiptare dhe e përdor për qëllime biznesi, transport të mandarinave. Furgonin para 3 vitesh ia kam kaluar me kontratë shitje kunatit, shtetasit Niko Gazheli. Këtë furgon e përdor dhe një punëtor i tij i quajtur Sebastian Islamaj, me origjinë nga Tropoja. Furgoni është pa targa sepse kam aplikuar për çregjistrim, kjo para 4 apo 5 vitesh pranë DSHTRR Sarandë.
Ne dijeni time furgonin për herë të fundit ka lëvizur para disa ditësh, kohën e saktë nuk e kujton, por e ka përdorur Sebastiani, ka shkuar në Tiranë për të marrë mish për qentë dhe është kthyer në Xarrë.
Furgoni prej atij momenti ka qenë i parkuar në magazinën e tij në Xarrë.
Gjatë kontrollit në plantacionin me agrume të Dashnor Alushaj, babait të Ledjan Alushaj, policia sekuestroi disa automjete, përfshirë një automjet tip ‘Land Rover’ dhe një furgon të bardhë. Automjeti ‘Land Rover’ është zbuluar të parkuar pranë një stacioni karburanti në qytetin e Sarandës. Një tjetër furgon i bardhë, i cili rezulton të ketë targa të një furgoni të ngjashëm të tashmë sekuestruar nga policia në plantacionin me agrume të Dashnor Alushaj, ka intriguar grupin hetues. Këtu për herë të parë, emri i Sebastjan Lataj del në skenë, një person që punonte në biznesin e familjes Alushaj.
Nëpërmjet informacioneve të mbledhura, është zbuluar se pranë stacionit të karburantit ‘Pit Stop Islamaj’, ndodhet një automjet markë ‘Land Rover’ me ngjyrë të zezë, i cili ka targa të huaja BK E 81 58. Pas verifikimeve në Interpol Tirana, konfirmohet se ky automjet është vjedhur në Greqi në vitin 2022. Më datë 10 Prill 2022, ky automjet parkohet tek ky stacion karburanti dhe një person, identifikuar si Sebastjan Sami Lataj, zbret nga automjeti. Lataj merr një çantë nga ‘Land Roveri’ dhe e vendos në një furgon që ndodhet pranë. Më pas, ai merr furgonin markë ‘Benz’ me ngjyrë të bardhë dhe afrohet për të mbushur karburant.
Verifikimet tregojnë se furgoni ‘Benz’ me ngjyrë të bardhë ka targa AA 006 UV, të cilat përkasin një furgoni pa targa të tashmë sekuestruar në plantacionin e Dashnor Alushaj. Edhe pse Dashnor Alushaj ka shfaqur në këtë stacion karburanti, ai mohon se ka një automjet ‘Land Rover’ të tillë.
Dashnor Alushaj: Në lidhje me karburantin ‘Pit Stop’ dhe automjetin tip ‘Land Rover’ unë mund të them se kam vajtur aty me këtë mjet në shoqërinë e një djali që e njoh si Niku i Hotit, i cili ka një servis në rrugën e Çukës. Arsyeja që kam vajtur ka qenë për t’u furnizuar me karburant. Por as unë dhe as familjarët e mi nuk kanë një mjet në pronësi apo përdorim të tipit ‘Land Rover’ me targa BKE 81 58.
Ndërsa, hetuesit do të identifikonin një tjetër të dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e ‘Koçoles’ dhe Sulovarit dhe kjo falë gjurmëve të gishtërinjve që u gjetën në automjetet që u sekuestruan gjatë kontrolleve, jo vetëm në bizneset e Alushajt, por edhe vende të tjera.
Ajo që zbuluan më pas hetuesit është se të gjithë mjetet e sekuestruara, të përdorura apo të gjetura në fshatin Nivicë, janë të vjedhura dhe të raportuara si të tilla, kryesisht në Greqi, ku u zbuluan gjurmë papilare. Me rëndësi për grupin hetues për të shkuar drejt emrave të urdhëruesve të rrëmbimit dhe zhdukjes së ‘Koçoles’ dhe Sulovarit, është gjetja e një gjurmë papilare që mund çojë drejt zbardhjes së ngjarjes. Kjo gjurmë i përket Albi Meçinit, i cili u arrestua teksa transportonte dy çanta me eksploziv në qytetin e Fierit, teksa ishte në përgatitje bashkë me persona të tjerë për të kryer një vrasje në këtë qytet.
Nga akti i ekspertimit daktiloskopik Nr. 3533 ka rezultuar se nga kqyrja e automjetit ‘Land Rover’ me targë BKE 81 85, vetëm gjurma papilare e shënuar me shkronjën ‘C’ është formuar nga gishti tregues i dorës së majtë së shtetasit Sebastjan Lataj. Ndërsa nga kqyrja e banesës ku është gjetur dhe sekuestruar automjeti i dyshuar i përdorur në ngjarje janë përftuar 4 profile gjenetike.
Nga përgjigjja e Interpol Manchester, Britani e Madhe, është informuar se një nga profilet gjenetike i përket shtetasit Albi Meçini, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘Arrest në burg’, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’.
Ndërsa Albi Meçini ka refuzuar të flasë për këtë ngjarje duke vendosur të heshtë, grupi hetues nuk ka mundur ende të zbardhë të plotë rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit. Një tjetër personazh që mund të rrëfejë për këtë krim, është edhe shoqëruesi i Dashnor Alushajt, i cili është skeduar nga policia, nërsa Eldjan Alushi, apo Ledjan Alushaj, vazhdon të jetë i pakapshëm për drejtësinë.
Tashmë vetëm shenjat e plumbave, mund të përcaktojnë qartë në këtë histori fatin e gjithsecilit prej personazheve të përfshirë, të cilët kanë ngritur armën për të mos e ulur deri në shfryrjen e fundit të një mllefi që nuk dihet se ku do të përfundojë.
Discussion about this post