Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dhe ka dërguar në gjyq tre persona, Elvis Shkambin, Gjon Shkambin dhe Banush Koxhajn, roja i gjykatës.
Sipas Prokurorisë, Elvis dhe Gjon Shkambi akuzohen për vepra penale që lidhen me vrasjen e gjyqtarit dhe tentativën për vrasjen e dy personave të tjerë, ndërsa Banush Koxhaj akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore që lidhej me një konflikt pronësie. Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri pak pasi shpalli vendimin e gjykatës dhe humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Më pas, sipas organit të akuzës, Shkambi drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë, R.K. dhe E.K., të cilët po tentonin të largoheshin nga salla. Si pasojë, E.K. u plagos në dorë, ndërsa R.K. pësoi dëmtime në trup.
Elvis Shkambi akuzohet për “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në dosjen e Prokurorisë është përfshirë edhe Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit.
Sipas hetimeve, Gjon Shkambi dyshohet se ka bashkëpunuar me nipin e tij në ngjarje. Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Në lidhje me punonjësin e sigurisë, Prokuroria thotë se Banush Koxhaj, qëndroi i ulur dhe nuk kreu kontrollin fizik të Gjon dhe Elvis Shkambit kur u futën në gjykatë. Gjithashtu, sipas organit të akuzës, ai nuk bëri regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve, fakt që provohet edhe nga këqyrja e regjistrit. Prokuroria konstaton se ai ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim ndaj tre të pandehurve.









Discussion about this post