Pas një pjesëmarrjeje rekord në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, Lista Studentore, e dalë nga protestat gati dyvjeçare kundër korrupsionit dhe për demokraci, ka arritur një rezultat të rëndësishëm elektoral, duke lënë pas partinë e drejtuar nga Aleksandër Vuçiç. Sipas rezultateve paraprake, Lista Studentore ka siguruar rreth 52% të votave, kundrejt 38.7% të forcës politike të Vuçiçit, duke pretenduar rreth 140 vende në Parlament.
Sukses në këto zgjedhje kanë shënuar edhe partitë shqiptare, të cilat u bashkuan nën siglën e “Koalicionit Shqiptar” dhe siguruan dy mandate deputetësh. Përfaqësimi shqiptar në Kuvendin e Serbisë deri më tani është mbajtur kryesisht nga deputeti Shaip Kamberi, ndërsa koalicioni pretendon se mund të sigurojë edhe një mandat të tretë, në varësi të përllogaritjes përfundimtare të rezultateve.
Pas daljes së rezultateve të para të zgjedhjeve në Serbi, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uruan Listën Studentore për fitoren në zgjedhje, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve evropiane për të mbështetur përparimin e Serbisë drejt BE-së.
“Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për realizimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, shkruan ata në një postim të përbashkët në rrjetin social ‘X’.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve shënon një fillim të ri në marrëdhëniet e Serbisë me Brukselin.
“Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dyert e BE-së janë të hapura dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, theksoi Kos në një deklaratë me shkrim, të shpërndarë për gazetarët nga kabineti i saj.
Duke uruar Listën Studentore, ajo tha se qytetarët e Serbisë e shprehën zërin e tyre duke marrë pjesë në zgjedhje në numër historik, pas pothuajse dy vjetësh protesta për demokraci, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.
“Pikërisht këto janë vlerat që qëndrojnë në zemër të Bashkimit tonë Evropian”, nënvizoi Kos.










Discussion about this post