Nga David Patrikarakos
“Unherd”
Grupi mercenar rus Wagner mund të jetë vërtet një bandë vrasësish të marrë me qira, por ai është gjithashtu një “makineri e vajisur mirë”. Nëse heq shtresat e sipërm të barbarisë së tij, do të shohësh një kompani ushtarake të shkëlqyer, që ka plane ta shtrijë ndikimin e saj në të gjithë botën.
Ekspertët, përfshirë Kongresin Amerikan, kanë argumentuar prej kohësh se Wagner Group kontrollohet nga shërbimet speciale ruse, veçanërisht nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes, e njohur zakonisht si GRU. Por kjo është e gabuar.
Unë kam investiguar mbi Wagnerin për 6 muaj, dhe si burimet në Ukrainë po ashtu edhe dokumentet e treguara nga Dossier Center, një projekt hetimor i ngritur nga disidenti rus Mikhail Khodorkovsky, tregojnë një histori shumë të ndryshme.
Kompania nuk ka qenë kurrë nën varësinë e GRU; dhe as nuk i raporton Ministrisë së Mbrojtjes për atë që bën, dhe me të cilën tani ka një marrëdhënie gjithnjë e më të konfliktuale, dhe as ndonjë agjenci tjetër të zbatimit të ligjit apo qeveritare.
Në fakt, në dallim nga kompanitë e tjera ushtarake private ose thuajse private ruse, si Redut, ajo financohet dhe drejtohet nga një individ i vetëm:Yevgeny Prigozhin, i cili nga ana e tij i përgjigjet vetëm një njeriu: Vladimir Putin. Pra kuptimi i veprimtarisë së Wagner është jetik për të kuptuar strategjinë globale në zhvillim të Kremlinit.
Mercenarët e tij po kryejnë jo vetëm masakra në Ukrainë, por po vendosen gjithashtu në të gjithë Afrikën, ndërsa Kremlini po synon që të grumbullojë për vete burimet e mëdha të këtij kontinenti. Ndërsa dhuna ka përfshirë sërish Sudanin ditët e fundit, raporte të mbështetura nga kontaktet e mia në terren, pretendojnë se Wagner furnizoi Forcat e Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit me raketa tokë-ajër në betejën e saj për kontrollin e shtetit kundër udhëheqësit sudanez, gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan.
Por po ky grup po mbështet regjimin në Siri, dhe është i zënë me ndërhyrjen edhe në shtetet baltike. Në fund të vitit të kaluar, teksa u përshkallëzua lufta në Ukrainë, Prigozhin, i cili nuk mban asnjë pozicion zyrtar, u konsiderua nga shumë njerëz si më i fuqishëm se shumica e ministrave federalë rusë.
Disa analistë pretenduan se ai kishte madje më shumë ndikim në Kremlin sesa Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Por edhe nëse Prigozhin nuk merr zyrtarisht urdhra nga Ministria e Mbrojtjes, burimet ruse më thonë se ai bashkëpunon me të kur kjo i përshtatet nevojave të tij.
Me kërkesën e drejtpërdrejtë të Putinit apo zyrës së tij, Ministria e Mbrojtjes u detyrua të ofronte mbështetje – përfshirë armë, tanke, avionë luftarakë dhe baza ushtarake – për Wagner Group. Në këmbim, njësitë e Prigozhin do të gjendeshin ndonjëherë në krye të operacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes ose të shërbimeve speciale ruse.
Kështu ka ndodhur në Siri që nga shkurti i vitit 2022. Megjithatë, në pjesën më të madhe, Wagner mbetet një entitet i pavarur, gjë që i përshtatet përsosshmërisht Prigozhin. Nëse pushtimi i Ukrainës shkon keq, ai nuk do të jetë personi përgjegjës. Nëse shkon mirë, ai mund të tregojë rolin e tij në çdo sukses të arritur.
Për herë të parë, dokumentet që kam marrë nga Dossier Center, zbulojnë se si Prigozhin financon Wagner, por edhe shumë projekte të tjera të tij. Fjala është për një rrjet parash të errëta që përhapet në dhjetëra vende të botës.
Prigozhin është i lidhur me disa qindra kompani të regjistruara në Rusi, të cilat kanë fituar shumë tendera qeveritare për funksione të ndryshme shtetërore, si ndërtimi i kampeve ushtarake, grumbullimi i mbeturinave dhe furnizimi me ushqim për ushtrinë, spitalet dhe shkollat.
Gjatë viteve 2011- 2018, këto kompani morën më shumë se 5.000 tendera shtetërore me vlerë 209 miliardë rubla (2 miliardë paund). Disa nga këto fitime shkojnë në projekte që përfshijnë Wagner dhe të ashtuquajturit “teknologë politikë”, të cilët Kremlini i vendos në krye të ndikimit mbi sistemet politike jashtë vendit.
Tenderat jepen përgjithësisht pa garë, por asnjë nga kompanitë e Prigozhin nuk është penalizuar ndonjëherë rëndë për këtë sjellje. Për shkak të lehtësisë ligjore të regjistrimit të kompanive të reja në Rusi, kompanitë e tij mund t’i shmangin me lehtësi sanksionet.
Pasi një kompani futet në listën e sanksioneve, paratë e saj zhvendosen në bilancin e një kompanie tjetër të Prigozhin (ende e panjohur për autoritetet) – dhe biznesi mund të nisë sërish. Dokumentet e brendshme të Prigozhin mbi projektet e tij të shumta në Afrikë dhe Siri e ilustrojnë këtë fluks parash.
Në Afrikë, siç e tregon edhe kriza në Sudan, Wagner po i përkeqëson me shpejtësi problemet. Burime në Republikën e Afrikës Qendrore kanë konfirmuar se Prigozhin u ka paguar ryshfet ndikuesve politikë dhe udhëheqësve ushtarakë lokalë. Ndërkohë raporte të tjera pretendojnë se ky grup po planifikon të rrisë nivelin e tij të aktivitetit në Libi (ndoshta, për shkak të zgjedhjeve që janë planifikuar për në verën e këtij viti.
Në vitin 2019, parlamenti sirian nënshkroi kontrata për shpime në 3 blloqe të reja të gazit dhe naftës me dy kompani ruse, Velada dhe Mercury, që të dyja janë të lidhura me Prigozhin. Fitimi mujor i strukturave të Prigozhin nga nxjerrja e burimeve natyrore ka të ngjarë të jetë rreth 20 milionë dollarë.
Një ish-komandant i Wagner që luftoi në Siri kohët e fundit, më tregoi se si zyra e Prigozhin është në një dhomë të marrë me qira nga Ministria e Jashtme ruse në qendër të Damaskut, ku mbahen sasi të mëdha parash për shpenzimet e nevojshme (paga, rekrutim i vendasve etj).
Ai më shpjegoi se si komandant i batalionit mori dikur rreth 200 mijë dollarë për shpenzime. Paratë transportohen brenda dhe jashtë Sirisë me avionë privatë të përdorur ose nga Prigozhin apo nga vartësit e tij të shumtë. Prigozhin e di vlerën e punësimit të luftëtarëve që kanë shërbyer në disa nga vendet më të vështira në botë dhe që kanë fituar një reputacion për egërsi.
Ai i paguan ata mirë – shpeshherë më shumë se sa përcaktohet zyrtarisht në kontratën e tyre – përmes transfertave bankare dhe paketave të parave të gatshme nga një prej zyrave të tij. Sipas kontratave të nënshkruara nga luftëtarët, të afërmit ose individë të tjerë të paracaktuar mund të tërhiqnin para nga zyrat në emër të tyre.
Gjithsesi në vitin 2020, masat e sigurisë u shtrënguan dhe tani punonjësve të Wagner u kërkohet të paraqesin një distinktiv me një numër identifikimi për të marrë pagesën e tyre në para. Sigurisht, asgjë nuk është kurrë e thjeshtë apo e këndshme me Prigozhin.
Si një mikro-menaxher kompulsiv, ai njihet për ndëshkimin e punonjësve me gjoba të mëdha për mosbindje dhe shkelje të vogla: përdorim i tepruar i alkoolit, përdorimi i drogës, përdorimi i pahijshëm i mediave sociale etj. Ai njihet edhe si i dhunshëm me ata që punojnë për të.
Burimet në Ukrainë më thonë se Prigozhin komunikonte rregullisht me gjeneralë të rangut të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, përfshirë gjeneralin Sergei Surovikin, njeriun përgjegjës për “Operacionin Special Ushtarak” të Rusisë në Ukrainë nga tetori 2022 deri në janar 2023. Gjërat nuk kanë shkuar mirë për Rusinë në Ukrainë, dhe kjo është arsyeja pse Surovikin u zëvendësua, ndërsa Prigozhin ka kritikuar vazhdimisht dhe publikisht Ministrinë ruse të Mbrojtjes për performancën e saj. Ai tallet shpesh me ushtrinë e rregullt, duke pretenduar se njësitë e tijWagner janë shumë më superiore në fushën e betejës.
Marrëdhëniet midis Wagner Group dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes u përkeqësuan gjatë fillimit të këtij viti, dhe simodos në lidhej me betejën për kontrollin e qytetin lindor ukrainas Bakhmut, ku si ushtria ruse po ashtu edhe Wagner po luftojnë për të marrë meritat për rënien e mundshme të qytetit në duart e tyre.
Sipas një raporti të inteligjencës britanike të këtij muaji, marrëdhëniet mes të dyja palëve janë bërë aq të çuditshme saqë “udhëheqja ushtarake e Rusisë ka të ngjarë të dëshirojë një zëvendësim me një grupim tjetër mbi të cilin të ketë më shumë kontroll”.
Por asnjë forcë mercenare tjetër nuk i afrohet madhësisë apo fuqisë luftarake të Wagner. Nëse ky duket si një kaos i shkaktuar nga konflikti i brendshëm, ai mund të ketë një miratim nga lart. Putini e ka lavdëruar Stalinin në disa raste. Dhe ai ndoshta më shumë se çdo gjë, u mbështet tek rivalitetet e brendshme për të mbajtur kontrollin e pushtetit.
Në këtë kontekst, kritikat e përsëritura të Prigozhin ndaj Ministrisë së Mbrojtjes janë të dobishme për Putinin, sepse ato vënë jo vetëm në dukje gabimet që mund të korrigjohen, por e shtyjnë atë të shfaqet më mirë në front (duke siguruar që asnjëra palë të mos bëhet shumë e fuqishme).
Por për pjesën tjetër të botës nuk është kështu. Wagner dhe Prigozhin përballen tani me akuza për terrorizëm, vrasje politike si dhe përdorimin e përdhunimit si një armë lufte. Nëntorin e vitit të kaluar, studioja ligjore britanike “McCue Jury and Partners”, njoftoi se po padiste Wagner-in në emër të viktimave ukrainase që kishin emigruar në Britaninë e Madhe.
Jason McCue më tha se vendimi për këtë padi ishte i lehtë. “Ata kanë kryer krime lufte në Bucha… Ishin ata që identifikuan enkas objektivat civile, në mënyrë që ushtria ruse t’i godiste ato. Pastaj janë aktet e shumta të dokumentuara të torturës që ata kanë kryer kundër ushtarëve dhe civilëve”- thekson ai.
Dhe ky katalog akuzash duket se është i destinuar të shtohet. Që nga viti i kaluar, numri i mercenarëve është 3-fishuar. Këta rekrutë, jo vetëm që i rritën aftësitë e tyre ushtarake në përgjithësi, por fituan një përvojë të çmuar duke marrë pjesë në operacione në shkallë më të gjerë, si në Bakhmut.
Po ashtu janë diversifikuar pajisjet e tyre. Tani ata po pajisen me një numër më të madh të armëve të rënda dhe të teknologjisë së lartë. Tashmë Wagner nuk është më thjesht një kompani private ushtarake, por një ushtri e vërtetë.
Prapa saj qëndron Prigozhin, një njeri, ambiciet politike dhe prania e të cilit në vetëdijen publike ruse nuk ka qenë kurrë më e madhe sesa që nga fillimi i vitit të kaluar. Agresioni rus po rritet globalisht, dhe siç zbulojnë Dosjet Wagner, një ushtri private e lidhur globalisht, e financuar mirë është tani në krye të saj./Bota.al/
Discussion about this post