Hetimet e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit për çështjen “Kayo-Timak Defence” kanë ngritur dyshime mbi mënyrën se si biznesmeni izraelit Ron Yeffet u certifikua si partner i përshtatshëm për aktivitetin në industrinë ushtarake shqiptare. Sipas dokumenteve të dosjes, katër struktura të Ministrisë së Mbrojtjes, me urdhër të ish-ministrit Pirro Vengu, hartuan dhe firmosën relacione që i hapën rrugë marrëveshjes. Në hetim është edhe mënyra se si u kryen verifikimet për figurën e biznesmenit, garancitë financiare dhe lidhjet e tij me kompani e furnizues ndërkombëtarë. Dokumentet ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi rolin e kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit Vengu në procedurat që i dhanë Yeffet mundësi të përfshihej në sektorin e armatimeve dhe pajisjeve ushtarake.
Sipas Pamfleti, në fokus është veçanërisht raporti i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, e cila, sipas materialeve hetimore, nuk pasqyroi disa procese gjyqësore dhe konflikte financiare të biznesmenit. Mes tyre përmenden akuza për mashtrim financiar dhe falsifikim dokumentesh në Senegal, një padi e paraqitur në mars 2026 nga shtetasi amerikan Mark Faist, i cili pretendon se është mashtruar për 8.6 milionë dollarë, si dhe çështje të mëparshme financiare në SHBA. Një prej tyre lidhej me një hua prej 250 mijë dollarësh, ndërsa një tjetër, e ngritur në vitin 2025 nga një kantier riparimi anijesh në Florida, sipas informacionit të dosjes vijon të jetë në shqyrtim. Pavarësisht këtyre të dhënave, agjencia firmosi procedurën për pajisjen e Yeffet me certifikatën e sigurisë për aktivitetin industrial ushtarak, dokument që mundëson ushtrimin e aktivitetit dhe kryerjen e importeve e eksporteve në këtë sektor.
Dyshimet shtrihen edhe te aktiviteti i kompanive “Timak” dhe “UNO 18”, si dhe te mënyra se si institucionet shqiptare verifikuan burimet e armatimeve, pajisjet ushtarake dhe partnerët e mundshëm ndërkombëtarë. Sipas materialeve të përgjimit të administruara në dosje, Yeffet dyshohet se planifikonte të sillte armatime nga Afrika në Shqipëri dhe më pas t’i dërgonte drejt Ukrainës përmes “Timak Defence”, duke përdorur dokumente dhe etiketime të falsifikuara. Tashmë, hetuesit duhet të sqarojnë nëse mungesat në dokumentacion dhe verifikime erdhën si pasojë e neglizhencës institucionale apo nëse të dhënat u lanë qëllimisht jashtë raporteve. Përgjegjësia e personave të përfshirë dhe vërtetësia e dyshimeve mbeten për t’u përcaktuar nga hetimi dhe procesi gjyqësor.










Discussion about this post