Biznesmeni Zani Zogaj është favorizuar nga Blendi Gonxhe dhe vartësja e tij Arlinda Pogaj që drejton Operatorin e Blerjeve të Përqendruara, për të marrë tenderin e rikonstruksionit të Burgut të Fushë Krujës. Në vend që të shkonte në burg, sepse është zënë në një rast me presh në dorë nga SPAK, Zogaj merr paratë e bojatisjes së qelive.
Skema e zakonshme e përdorur për të cuar kontratën në dorën e Zani Zogajt është “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”.

Open Data e Albania e ka shënuar tenderin me “Flamur të kuq” që është sinjalizimi për risk korrupsioni.
Bëhet fjalë për prokurimin nga Operatori i Blerjeve të Përqëndruara për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me objekt “Rikonstruksion i Godinës i të IEVP Fushë Krujë”.
Financimi është bërë nga Ambasada e Mbretërissë së Bashkuar në Shqipëri dhe do të ishte mirë që britanikët ta bënin vetë tenderin, sepse zyrtarët tanë e kanë mendjen të bëjnë korrupsion.
Fondi Limit i financimit të projektit është 125 042 240,00 lekë pa TVSH.
Tenderi është mbajtur 7 nëntor 2025 dhe megjithëse kanë aplikuar 6 operatorë konkurrues, procedura është zhvilluar pa garë. Për të shmangur konkurrencën, janë skualifikuar të gjitha kompanitë dhe është anuluar tenderi.

Me sa duket veprimi i komisionit të tenderit ka qenë i koordinuar me kompaninë e paracaktuar
Në datën 17 nëntor 2025 operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit janë njoftuar elektronikisht mbi klasifikimin përfundimtar të ofertave.

Nëse do të konsideroheshin ofertat dhe nuk do të kishte fitues të paracaktuar, do të kishte rezultat tjetër.
Kështu, bashkimi operatorëve “Kevin Konstruksion” sh.p.k & “CARA” sh.p.k ka bërë ofertën me vlerë 98,099,529 lekë pa tvsh.
Po ashtu B.O.E “INERTI” sh.p.k & “NEWGEN” sh.p.k ka ofertë më të ulët: 95.270.849 lekë pa tvsh.
Ndërsa operatori ekonomik “INA” sh.p.k ka propozuar ta bëjë këtë punë me 105 992 182 lekë pa tvsh.
Gjithashtu, “SAI COMPANY” sh.p.k ka ofertën 103,575,771.85 lekë pa tvsh. Dhe së fundi, bashkimi i operatorëve ekonomikë “C O L O M B O” sh.p.k & “AGI KONS” sh.p.k kanë bërë ofertën ekonomike me vlerë 88,166,818. lekë pa tvsh.
Oferta fituese e kompanisë ”2Z KONSTRUKSION” me pronarin Zani Zoga në bashkëpunim me ”TOTILA” sh.p.k është më e lartë se të gjitha: 117,499,290.50 lekë pa tvsh. Kjo kompani, që dyshohet se është e paracaktuar si fituese, ka bërë ankesë edhe në komisionin e tenderit edhe në KPP.
Në datën 26.11.2025 nëpërmjet sistemit të ankesave elektronike njëherazi pranë Komisionit të Prokurimit Publik dhe autoritetit kontraktor, është administruar ankesa me numër A/2025/6129, datë 27.11.2025 e BOE “2Z Konstruksion” SHPK & “Totila” SHPK për procedurën e prokurimit.
Nga shqyrtimi paraprak i ankesës të sipërcituar, u konstatua se objekti i ankesës lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës së paraqitur nga BOE “2Z Konstruksion” SHPK & “Totila” SHPK, në procedurën e mësipërme të prokurimit.
KPP me nënkryetar Fiorent Zguron ka bërë vetëm “noterizimin” përmes dy vendimeve. Në fakt, vetë komisioni i Arlinda Pogajt, ndërkohë që operatorët e tjetrë prisnin rishpalljen e tenderit dhe të paraqiteshin me “të meta” të korrigjuara, e kishte kualifikuar Zani Zogën si fitues.
Komisioni i Prokurimit Publik me vendim 11 dhjetor 2025 ka miratuar kualifikimin e kompanisë së Zani Zogës, që në fakt ishte bërë de facto nga nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

Pra, KPP është përdorur thjesht si noter i tenderit korruptiv. Vendimi përfshin: “Të mbyllë çështjen mbi ankesën e paraqitur. 2. Autoriteti kontraktor të zbatojë vendimin e Komisionit të Shqyrtimit të Aneksave me nr. 146/2025 datë 05.12.2025 të ngarkuar në sistemin e ankesave elektronike dhe të dërguar përmes shërbimit postar datë 10 dhjetor 2025”. Pra, komisioni i Blendi Gonxhes dhe Arlinda Pogës e kishin rikthyer vlerësimin për “2Z Konstruksion” shpk dhe e kishin kualifikuar. Dhe anulimi ishte thjesht lojë për të mos u ballafaquar me ofertat më të ulëta.
Në mënyrë formale, më 24 dhjetor 2025 Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë vendimin tjetër: Të lejojë autoritetin kontraktpr të vijojë me hapat e mëtejshem të procedurës së prokurimit.

Ndërsa më 6 janar 2026, është njoftuar fituesi Zani Zogaj.

Në pamjet të parë duket cdo gjë normale, por ky tender është shembull se si kompanitë fituese të favorizuara nga zyrtarët nuk verifikohen në raport me kushtet dhe kriteret. Sic do ta shohim më poshtë, kjo kompani e ka personelin dhe mjetet të angazhuara në një kontratë tjetër publike, në bashkinë Has. Ka qenë detyrim i kompanisë ta deklaronte këtë fakt, po ashtu, komisioni duhet ta verifikonte para se ta shpallte fitues.
Kë do mbarojë më parë Zoga, shkollën në Has apo Burgun?
Paralelisht me tenderin për rikonstruksion në burgun e Fushë-Krujës, Zani Zoga ka marrë një kontratë tjetër publike. Bëhet fjalë për tenderi i firmosur nga kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, që ka si objekt “Rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Sejdi Dida”, Krumë”. Punimet janë përllogaritur të kushtojnë një fond limit prej 125 968 569,00 lekësh pa TVSH.
Këto janë lekë të taksapaguesve shqiptarë të cilat Bashkia Has i ka përfituar duke aplikuar me këtë projekt në Ministrinë e Arsimit.
Ky tender është anuluar një herë dhe më pas është mbajtur me shpejtësi rrufe. Konkretisht prokurimi u njoftua për herë të parë më 13 gusht 2025 dhe duhej të mbahej më 29 gusht. Pas anulimit është mbajtur më 3 shtator 2025. Ndërsa më 25 shtator 2025 është shpallur fituesi.

Edhe ky tender është marrë me “Flamur të kuq” korrupsioni. Në këtë tender kanë aplikuar 4 operatorë ekonomikë, por nuk ka pasur konkurrim për shkak të skualifikimeve. Kryebashkiaku Dauti ka favorizuar kompaninë e Zani Zogës dhe duket qartë në vlerësimin e ofertave.
Operator Ekonomik Kontraktues “2Z KONSTRUKSION” sh.p.k dhe “ASI – 2A CO” sh.p.k fitoi me ofertën 119 780 675,00 lekë pa TVSH, ndërkohë që kishte propozime më ekonomike.
Korrupsion me kontratat dhe ryshfet zyrtarëve
Blendi Gonxhe dhe vartësja e saj që është marrë me tenderin, ia ka dhënë kontratën biznesmenit që merr paratë dhe nuk kryen punë me cilësi. Për më tepër është vërtetuar se ka dhënë ryshfet për të marrë tendera.
Ja çfarë ndodhu në Kallarat të Himarës në vitin 2021. Reshjet e shiut morën përpara urën e fshatit që ishte e rikonstruktuar vetëm 3 vite më parë.
Prurjet e lumit Shushicë kishin gërryer njërën këmbë të urës e për pasojë ajo u mbulua nga uji, duke izoluar plotësisht banorët e kësaj zone. Denoncimi është bërë dhe nga deputeti Arbi Agalliu, i cili thoshte se kjo urë, ishte ndërtuar para 3 vitesh dhe banorët e saj kishin mbetur të izoluar për shkak të abuzimit që bëhet me ndërtimin e këtyre veprave publike.
Duke iu referuar edhe dokumenteve, tenderi me objekt ‘Rikonstruksioni i urës së varur të fshatit Kallarat’ i zhvilluar në tetor të vitit 2018 rezulton në listën e procedurave me “Flamur të kuq” me shënimin mungesë konkurrence.
Kjo pasi në tender ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, i cili është shpallur automatikisht dhe fitues për rikonstruksionin e urës.
Kontrata është fituar nga operatori ‘2Z KONSTRUKSION SHPK’ me administrator shtetasin Zani Zoga.
Ndërsa para 2 vitesh, Gjykata ka lënë në burg Joana Duron dhe Laura Sheton, sepse sipas SPAK, Joana Duro ka marrë 330 mijë lekë ryshfet nga operatori ekonomik për ta shpallur fitues të tenderit. Në njoftim thuhet se lekët u dhanë nga shtetasja Laura Sheto. Tenderi për të cilin e akuzon SPAK-u ka patur një fond limit prej 51 146 571 lekë pa TVSH dhe në garë kanë qenë 11 operatorë ekonomik.
Fitues është shpallur bashkimi i dy kompanive “2Z KONSTRUKSION” shpk me administrator Zani Zoga dhe “I.C.C GROUP” shpk me administrator Eduart Zoi, të cilët kanë ofruar 40 444 769 lekë pa TVSH.
Joana Duro dhe Laureta Sheto akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Nga këto dy shembuj kuptohet pse Blendi Goxhe ka ka preferuar t’ia japë kontratën kompanisë së Zani Zogës.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post