Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK për grupin e narkotrafikut nga Amerika Latine në drejtim të Evropës. Në dosjen hetimore zbardhen përgjimet midis ish-zyrtarit të policisë Erzen Breçanit dhe të birit, i cili ndodhet në Amerikën Latine, ndërsa i shpreh edhe dyshime për Ervin Matën, kunatin e djalit të tij.
Emisioni në “Shënjestër” në News 24, ka publikuar disa nga përgjimet, rolin e ish-zyrtarit të policisë, Erzen Breçani, Ervin Matës dhe personave të tjerë që janë nën hetim nga SPAK.
PJESA E DYTË
Por cilat janë zbulimet e SPAK, lidhur mbi veprimtarinë kriminale të Ervin Matës, në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga Amerika e Jugut në Evropë. Mata që ishte edhe njëri prej personazheve kryesorë të përfshirë në masakrën e Ish-Bllokut, më 4 Tetor 2018? Emri i të cilit del në transportin e 250 kg kokainë, të cilat po vinin me linjë ajrore, nga Brazili në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, në shtator të vitit 2020.
“Për sa i përket aktivitetit të personit nën hetim Ervin Mata: Në Shtator 2020 ky shtetas, bashkëbisedon në gjuhë të huaj në një grup chat-i. Nga ku dyshohet se në bashkëpunim me përdorues të tjerë Sky EÇ, kanë trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main-Gjermani”.
Por ndërsa Ervin Mata priste që kjo sasi droge të kalonte me sukses në aerportin e Frankurtit, kjo gjë rezulton se nuk ndodhi pasi droga siç edhe ai thotë në bisedë, u kap në terminal.
“Më 29 Shtator 2020, Ervin Mata tregon bashkëbiseduesit të tij që i janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 240 kg, dhe të presë nesër që të dalë në gazetë. Ervin Mata, evidentohet se ka komunikime edhe me shtetasin Eralbi Breçanin, të cilin e orienton në lidhje me aktivitetin e trafikimit të narkotikëve”, thuhet në përgjime.
Një nga këto biseda midis Ervin Matës dhe Eralbi Breçanit është edhe ajo e datës 10 Gusht 2020. Ku Mata I shpreh Breçanit, me të cilin ka edhe raporte familjare, se është i pakënaqur nga puna që ka bërë, lidhur me një trafikim të një sasie lënde narkotike.
“Më datë 10 Gusht 2020 në orën 13:39, Ervin Mata i dërgon mesazhe Eralbi Breçanit me këtë përmbajtje: Mata: Dua çdo gjë transparent me mua.
E ke kuptu kur ishte malli me 27 jua dhash me 23 ne Valencia më thoje 12…”
Por interesant në të gjithë këtë histori përgjimesh, trafiku droge dhe krimi, është edhe përfshirja e Erzen Breçanit, dikur ish drektues i lartë policie në Tiranë. Episodi për të cilin ai akuzohet nga SPAK lidhet me ndihmën që i ka dhënë në një moment Bujar Gërmizit me mbiemrin Ajeti. Të cilin e informon se është në përgjim nga policia.
“Në muajin Gusht 2020, shtetasi Erzen Breçani ka kontaktuar me personin nën hetim Bujar Ajetin dhe e ka njoftuar atë që është në përgjim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kur kanë qenë bashkë tek Bar ‘Stani’ në Kukës. Bujar Ajeti pasi ka marrë këtë informacione nga Erzen Breçani, e ka pajisur atë me një telefon me aplikacion SkyECC, kod të cilin evidentohet që ka nisur ta përdorë me datë 17 Gusht 2020 ora 12:41, ku bisedën e parë e ka patur me Bujar Ajetin”, thuhet në dosje.
Por kush është Bujar Gërmizi, që sipas dosjes së përpiluar nga SPAK, qëndron në krye të grupit të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë edhe zyrtarë aktualë dhe ish-drejtues të policisë, të përfshirë në trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt Europës, si dhe krime të tjera të rënda të ndodhura në Shqipëri dhe jashtë saj.
Gërmizi që rezulton të jetë një nga emrat më sugjestionues të krimit në veri në verilindje të vendit, në zonën e Kukësit. Gërmizi i cili mbante mbiemrin e ndryshuar Ajeti, që kishte shërbyer në vitet e tij të hershme të punës si oficer i gardës së Republikës, edhe si pjesë e grupit të shoqërimit të politikanëve. Njohje të cilat shpejt e kishin dhënë reputacionin e një njeriu të fortë dhe me lidhje të sigurta në sferat e larta të politikës. Por që një ngjarje ku ishte përfshirë vetë në vitin 1999 në Kukës, që lidhet me grabitjen e një banke, e shtyu përfundimisht në krahët e krimit. Dhe më tëj në historikun e trafikut të drogës. Punë për të cilat ishte arrestuar dy herë në Kosovë dhe Maqedoni dhe po aq herë ishte arratisur nga burgjet në këto dy vende. Ndërsa së fundmi sipas SPAK, ai thuhet se po bënte plane edhe për vrasjen e dy vëllezërve që jetojnë në Britaninë e Madhe, me të cilët Ismail Zeneli kishte hasmëri të vjetra, pasi I kishin vrarë vëllain.
Bujar Gërmizi bashkë me Xhelal Domin (roje i sigurisë së Bankës së Kursimeve në Kukës) si dhe kunati i këtij të fundit, grabitën në 1999 Bankën. Gjatë përplasjes më policinë, mbeti i vrarë Xhelal Domi dhe kunati i tij, ndërsa u plagos edhe Bujar Gërmizi, i cili më pas u arrestua në fshatin Gorozhub të Kosovës. Gjatë kohës që qëndronte në burgun e Prizrenit, ngriti burgun në revoltë, e cila u shtyp nga forcat e sigurisë. Gërmizi u ekstradua drejt Shqipërisë dhe qëndroi pak kohë në burg. Bujar Gërmizi u arrestua në arrestua edhe në Maqedoninë e Veriut për trafik droge ku u arratis nga burgu i Idrizovës.
Por ndërkohë që bënte këto punë dhe ishte i lidhur me politikën, Bujar Gërmizi rezulton se nuk i kishte të shkëputura lidhjet me krimin. Ai del në biseda se ka ndihmuar disa herë vrasësin me pagesë, Nuredin Dumani, për të dalë jashtë Shqipërisë, kryesisht në Kosovë, kjo nëpërmjet njohjeve të tij në polici. “Rezulton se në muajin gusht 2020, Erzen Breçani ka kontaktuar me personin nën hetim Bujar Ajetin dhe e ka njoftuar Bujarin që e ka përgjuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kur kanë qenë bashkë tek Bar “Stani” në Kukës. Bujar Ajeti pasi ka marrë këtë informacion nga Erzen Breçani, e ka pajisur atë me një telefon me aplikacion SkyECC, kod të cilin evidentohet që ka nisur ta përdorë me datë 17.08.2020 ora 12:41, ku bisedën e parë e ka patur me Bujar Ajetin. Rezulton se para datës 17.08.2020 përdorues i këtij telefoni ka qenë shtetasi Nuredin Dumani.
Erzen Breçani ka komunikuar edhe me djalin e tij Eralbi Breçani, i identifikuar si përdorues i SkyECCçS7DEGI. Rezulton se shtetasi Eralbi Breçani është i fejuar me shtetasen E.M, e cila është motra e Ervin Matës dhe për shkak të kësaj marrëdhënie, shtetasi Erzen Breçani ka hyrje e dalje familjare tek familja e Ervin Matës. Në biseda ai i referohet Ervin Matës si “Vini” apo “Ervini” dhe babai të Ervinit si “Luan”apo “L”. Erzen Breçani ka komunikuar edhe me djalin e tij Eralbi Breçani, i identifikuar si përdorues i Sky ECC.
Me datë 14 Gusht 2020 ora 14:37, Bujar Ajeti i tregon një personi tjetër që tek lokali ku qëndrojnë ato, policia ka vënë përgjues dhe informacionin e ka marrë nga Erzen Breçani”.
Gërmizi dërgon mesazhet:
‘…Sdi qa me të than… E paskan pas bombardu stanin e hoxhës…Me përgjusa….’. Rreth përgjimit që i kanë bërë Bujar Ajetit, jep të dhëna edhe Nuredin Dumani në deklarimin e datës 17 Tetor 2023 ku ndër tjera deklaron: ‘…Po ashtu, kam takuar edhe Erzen Breçanin, 2 apo 3 herë në Kukës në një bar restorant në qendër të Kukësit. Erzeni me sa më kishte fol Bujari, ishte shok i ngushtë i tij pasi kishin punuar edhe bashkë në polici në repartin Renea. Erzeni e ndihmonte Bujarin me informacione në rastet kur policia vinte në Kukës për të arrestuar Bujarin apo persona të tjerë, pasi vetë Bujari ishte në kërkim për arratisje nga burgu në Maqedoni’.
Po kështu në një tjetër bisedë, Erzen Breçani, del se i tregon të birit edhe për telefonin që po përdorte. Si edhe për mikun që ia kishte mundësuar. Që në këtë rast ishte Bujar Gërmizi.
“Erzen Breçani flet me të birin dhe i tregon që aparatin telefonik ja ka dhënë Bujar Ajeti për shkak se janë përgjuar. Erzen Breçani i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar. Në bisedë më Eralbi Breçanin i tregon për HEC-in dhe etapat e ndërtimit që po zhvillohen aty. Ai i kërkon të birit që mos të vazhdojë më aktivitetin e tij jashtë shteti duke rrezikuar, ku dyshohet që i referohet aktivitetit të jashtëligjshëm me lëndët psikotrope që zhvillon Eralbi Breçani dhe për ti vënë në dukje rrezikshmërinë i tregon edhe për rastin që e ka përgjuar policia së bashku me Bujar Ajetin. SPAK thotë se Erzen Brecani ka marrë më pas nga i biri shumën prej 350 mijë eurosh dhe ka blerë turbinat për HEC”, thuhet në dosje.
Marrja e kësaj shume të konsiderueshme parash nga i biri, që del se i ka përftuar këto para nga aktiviteti i paligjshëm i drogës me të cilin po merret, ka çuar edhe në akuzën e ngritur nga SPAK në drejtim të Erzen Breçanit, për pastrim parash.
“Për këtë shkak shtetasi Erzen Breçani dyshohet për pastrim parash, sepse dyshohet se ai ka dijeni për aktivitetin ku ishte përfshirë i biri. Nga biseda e zhvilluar krijohen dyshime se shtetasi Eralbi Breçani ka dërguar një shumë prej 350 mijë euro tek Erzen Breçani para zhvillimit të kësaj bisede. Po në vazhdim të komunikimit, Erzen Breçani duke i shpjeguar të birit situatën, se Ervin Matës nuk i kërkon para. Por nëse do kishte nevojë për para do ja kërkonte babait të tij, Luanit, të cilit i referohet në bisedë me ‘Luan’. Ai më pas komunikon me të për detaje që lidhen me aktivitetin kriminal.
Po kështu gjatë bisedës, Erzen Breçani, e mëson të birin edhe si të komunikojë me Ervin Matën. “Erzen Breçani i tregon të birit në vazhdim si të komunikoj me Ervin Matën dhe si të flasë në takim duke i dërguar mesazhet: ‘….Nuk merrem thuej me asgja. Baba e mixht e mij i kan ba tre miljon euro për pes vjet, e na kan majt me lek, me shpia, me pun të pastër, dhe un do jem i zoti me i ba tre miljon euro me mixhen tem pa drog, pa pun te pista, kaq asht e vërtet dhe thuja në mes tanve….Mos fol gja në sy të tij pun droge e gjana se asht i infiltruar i policis në grupet kriminale se kam pyet qysh herën e parë…’.
Nga këto tekste të dërguara nga Erzen Breçani krijohen dyshime se ai është në dijeni të aktivitetit që ushtron Eralbi Breçani, kur dërgon tekstin ‘mos fol gja në sy të tij për punë droge…”.
Discussion about this post