Zbardhet raporti, i cili çoi në arrestimin e drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport ku evidenton shkeljet e bëra nga drejtuesi i RTSH me fondet si dhe tenderin korruptiv që u bë shkas për arrestimin e tij. Në raport thuhet se, Gëllçi i dha tenderin një kompanie, e cila nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në ligjin e prokurimeve. Bëhet fjalë për kompaninë “T”, të cilës i ka dhënë të drejtën e tenderit për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro.
Nga dokumentacioni i këtij tenderi ka rezultuar se Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka përcjellë për publikim për herë të parë njoftimin për procedurën prokuruese në Buletinin nr. 42, datë 22.10.2018 te APP-së. Në këtë njoftim, krahas llojit të procedurës dhe objektit të kontratës, në pikën 6 të saj, përcaktohet se “Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: 45 (dyzetë e pesë) ditë nga data e lidhjes së kontratës”. Si gjithë kushtet tjera të caktuara nga Autoriteti Kontraktor në këtë procedurë, edhe afati ka kushtëzuar dhe afektuar potencialisht operatorët ekonomikë ofertues, të cilët në vlerësim të kapaciteteve dhe mundësive të tyre, kanë zgjedhur të përfshihen ose jo në këtë procedurë prokurimi, në konsiderate thelbësore edhe të afatit 45-ditor, brenda të cilit duhet edhe të siguronin objektin e prokurimit.
Ky kriter i rëndësishëm i procedurës prokuruese është përcaktuar në mënyrë të qartë edhe në kontratën administrative nr. 87/13 prot., datë 24.12.2018, e cila afat maksimal të ekzekutimit të kontratës ka përcaktuar datën 06.02.2019, pra brenda afatit 45-ditor pas lidhjes së kontratës. Nga hetimi i kryer në lidhje me këtë procedurë prokuruese ka rezultuar e provuar se, me gjithë përfundimin e afatit kontraktual brenda së cilës subjekti i kontraktual nga AK-ja duhet të kishte dorëzuar objektin e kontratës, nga ky i fundit nuk është kryer një veprim i tillë.
Nga ana e drejtorit Ekzekutiv të RTSH-së, Thoma Gellçi, pa asnjë bazë objektive dhe të ligjshme, operatorit të përzgjedhur fitues i është caktuar një afat tjetër për ekzekutimin e kontratës, ndryshe nga sa ishte përcaktuar në kontratë dhe ndryshe nga afati mbi të cilin gjithë kjo procedurë ishte zhvilluar prej datës 17 tetor 2018, e në vijim. Afati për ekzekutimin e kontratës përbënte një kriter i cili ka kushtëzuar procedurën e këtij tenderi. Prandaj veprimi i drejtorit të RTSH-së, duke i dhënë kohë subjektit të shpallur fitues, jo vetëm që përbën një veprim të pabazuar ne kontratë, por bie ndesh në mënyrë të hapur me parimet bazë të sanksionuar në Nenin 2 të Ligjit nr. 9643/2006* “Për Prokurimin Publik” (i ndryshuar), sikurse janë: mosdiskriminimi, transparenca dhe barazia në trajtimin e kërkesave dhe detyrimeve, që u ngarkohen kandidatëve.
Vendimi i njëanshëm i ndërmarrë nga ana e drejtorit të RTSH-së, duke shpërdoruar të drejtat dhe kompetencat e tij për të vepruar sipas ligjit dhe kontratës administrative (e cila e nënshkruar rregullisht ka fuqinë e ligjit sipas nenit 690 të Kodit Civil), ka dëmtuar jo vetëm interesat e operatorëve të tjerë ekonomikë, të cilët nëse do të ishin në dijeni të një periudhe më të gjatë për ofrimin e objektit të prokurimit do të kishin paraqitur ofertat e tyre, duke e bërë më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më konkurruese gjithë këtë procedurë, por nga ana tjetër ka cenuar edhe interesin publik, duke shpërdoruar paratë publike, duke disponuar me veprime të cilat nuk janë në përputhje me procedurat ligjore dhe përcaktimet kontraktore mbi mënyrën se si duhet të ekzekutohej kjo kontratë publike/ administrative.
Në bazë të përcaktimeve tejet të qarta në kontratë, në çdo situatë mospërmbushje detyrimi nga ana e subjektit privat, Drejtori i RTSH në cilësinë e drejtuesit të autoriteti kontraktor, kishte të drejtë të tërhiqej nga kontrata dhe interesat financiare publike kane qenë të mbrojtura nga sigurimi i kontratës si edhe nga penalitetiet që në mënyrë automatike do të aplikoheshin nga subjektit që shkel afatin kontraktor. Dhënia e avantazheve karshi një subjekti privat (operatori ekonomik), jo vetëm që bie ndesh me parimet e barazisë që duhet të karakterizojë një tender ku financues janë paratë publike, por nga ana tjetër, ka sjellë një kufizim të padrejtë qysh në fillimin e kësaj procedure, rezultat i të cilës ka qenë përzgjedhja e një operatori, i cili ka ofertuar dhe shpallur fitues në masën e 98 % të fondit limit të përcaktuar nga Autoriteti Kontraktor.
Nga hetimet e kryera, duke ndjekur logjikën e kësaj procedure, afatet e ngutshme të përcaktuara në dhënien e shërbimit (furnizimit me pajisjet objekt prokurimi), pavarësisht kostos së lartë që do të prodhonte nga ofertuesit (pasi një gamë e madhe produktesh me një vlerë të konsiderueshme, do të duhet të siguroheshin brenda 45 ditësh nga lidhja e kontratës), presupozon nga ana tjetër një ngutshmëri edhe në pritjen e afatit të ekzekutimit të kësaj kontrate. Prandaj edhe kjo sjellje me dy standarde e Drejtorit të RTSH që njëherë paraqet ngutshmëri për shpalljen e procedurës dhe më pas zvarritje dhe shtyrje të paligjshme të afatit për ekzekutimin e kontratës pas lidhjes së saj, ka dëshmuar e provuar shpërdorimin e detyrës prej tij.
Shtyrja e njëanshme e afatit nga Drejtori i RTSH, pa asnjë referencë ligjore dhe as kontraktore, për shkak mos-përmbushje të objektit, është e parashikuar si përjashtim në ligj dhe kontratë vetëm kur kjo mospërmbushje kushtëzohet nga një forcë madhore. Në rastin më të mirë të mundshëm, edhe kur ekzistojnë arsye madhore, kjo shtyrje duhej bërë brenda fatit të mbarimit të kontratës, dhe jo jashtë këtij afati. Nga të gjitha hetimet e kryera dhe vetë motivi i shtyrjes së afatit, nuk pretendohet dhe as provohet ekzistenca e një fakti të tillë, prandaj ky veprim i vlerësuar nga organi i akuzës në tërësinë e procedurës prokuruese, përbën shpërdorim të detyrës nga ana e ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, i cili përmes këtyre veprimeve të pabazuara në ligj, jo vetëm që ka cenuar rëndë interesa të ligjshme të shumë operatorëve ekonomikë por ka shërbyer si shkak për kanalizimin e parave publike jo në drejtim të përzgjedhjes së ofertuesit potencial më të mirë.
Gjatë hetimit janë administruar gjithashtu nga RTSH gjithë dokumentacioni që ka shërbyer për blerjen e pajisjeve dhe hapjen e kanalit “RTSH AGRO”. RTSH-ja me shkresën nr.677/1 datë 04.03.2021 ka kthyer përgjigje duke na vënë në dispozicion. dokumentet e kërkuara. Nga studimi i këtij materiali rezulton se drejtori i përgjithshëm i RTSH me nr.93 prot., datë 12.01.2018 ka nxjerrë urdhër për ngritjen e grupit të punës për përgatitjen e një projekt-strukture programore, projekt-buxheti vjetor si dhe projekt strukturor organizativ për një kanal/program audioviziv të dedikuar për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri.
Ministria e financave me shkresën nr.14250/3 prot., datë 31.07.2018 i dërgon RTSH shkresë me temë “Mbi detajimin e aktit normativ nr.1 datë 26.07.2018, ku i kërkon RTSH-së që brenda datës 06.08.2018 të dërgojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e planit të rishikuar të buxhetit për vitin 2018, si dhe detajimi i buxhetit të rishikuar duhet të përfshijë shpenzime konkrete, shpenzime kapitale dhe numrin e punonjësve për çdo njësi shpenzuese, sipas klasifikimeve buxhetore deri në nivel llogarie ekonomike dhe projekti”. Të gjitha veprimet e mësipërme të kryera nga drejtori i RTSH-së datojnë përpara se të merrej vendimi i miratimit nga Këshilli Drejtues i RTSH-së (ky vendim miratimi është marrë më datë 03.06.2019) dhe nga AMA.
Referuar këtyre gjetjeve KLSH konstaton se Gëllçi duhet të kishte skualfikuar nga gara operatorin “T”, po t’i shtojmë këtu edhe faktin se kjo kompani ka qenë një nga ofertuesit me vlerën më të lartë dhe procedurat e prokurimit kanë nisur e 2 vjet përpara fillimit të funksionimit të këtij kanali.
Sipas KLSH, diferenca në vlerën 19,500,280 lekë që rezulton nga kualifikimi i ofertës me vlerë më të lartë me ofertën me vlerën më të ulët, përbën përdorim pa efektivitet të fondeve buxhetore në prokurimin publik
E.H/ gijotina.com/