Në pranverën e vitit 2021, në arkivin në internet të Bibliotekës Kombëtare të Francës, Satoshi Tomokiyo hasi në një koleksion letrash të koduara. U përshkruan thjesht si chiffrées Dépêches, pra mesazhe të koduara. Askush nuk e dinte se kush ishte autori, apo kujt i drejtoheshin letrat. Ishin të shkruara në letër të punuar me dorë dhe përbëheshin nga vargjet me karaktere të çuditshme, si shkrimi i një qytetërimi të lashtë.
Datonin nga fundi i shekullit XVI dhe ishin ruajtur për qindra vjet në një vëllim letrash të ndryshme, të lidhura së bashku në lëkurë dhie, në bibliotekën e një familjeje fisnike franceze – derisa Biblioteka Kombëtare nuk filloi dixhitalizimin e dorëshkrimeve, në vitet 2010.
Tomokiyo, ekspert i patentave në Tokio, i postoi letrat e koduara në faqen e tij të internetit, Cryptiana, ku ai shkruan rreth kodeve historike. Dy kolegë kriptanalistë, Norbert Biermann në Berlin dhe George Lasry në Tel Aviv, vunë në dukje postimin.
Biermanni, si profesor i muzikës ishte i interesuar, por i zënë duke punuar për ta reduktuar partiturën orkestrale të operës së Lorin Maazelit, 1984 – për Teatrin Regensburg në Bavari. Lasry, inxhinier softuerësh, filloi të punojë. “Më duhet ta thyej”, tha ai.
Por, ishin në rrugë pa krye. Të dhënat e katalogut të bibliotekës përmbanin disa të dhëna: “Fillimi i shekullit XVII ” dhe “italian”.
I dinte llojet e metodave të shifrimit të përdorura në atë epokë dhe u përpoq ta përdorte italishten, por kjo nuk ndihmoi. Vendosi t’i linte mënjanë për një kohë, gjë që nuk është e pazakontë për një dekodues. Më vonë atë vit, Lasry kujtoi tekstet e koduara dhe iu kthye atyre. “Do të përpiqem ta deshifroj në frëngjisht”.
Lasry filloi me deshifrimin e teksteve historike, gjatë një periudhe të papunësisë. Lasry donte angazhohej dhe ta përdorte aftësitë e tij të programimit kompjuterik, kështu që filloi të zgjidhte tekstet e koduara që gjente në internet, fillimisht ato të thjeshta dhe më pas më komplekse.
Një ditë hasi në një faqe interneti që ka kodet më të famshme të pazgjidhura. U bazua në kodet Luftës së Dytë Botërore. Në nëntor 2013, pas dy muajsh, i dekodoi. Zgjidhja bëri bujë në komunitetin e kriptografisë dhe tërhoqi vëmendjen e një të njohuri, i cili CV-në e tij e dërgoi në Google dhe ai u punësua.
Në shkurtin e vitit 2022, pasi arriti të deshifronte shumicën e homofoneve – simbole që përkthehen drejtpërdrejt në shkronja të lexueshme alfabetike – te njëra prej shkronjave Lasry ngeci përsëri. Vendosi të bënte diçka që ishte përpjekur ta shmangte.
I kontaktoi dy nga konkurrentët e tij më të mëdhenj, Tomokiyo dhe Biermann. “Në komunitet jemi miq të mirë, por edhe konkurrojmë. Të gjithë duan të jenë të parët”, thotë Lasry. Por, kjo nuk mund të zgjidhej si i vetëm; thjesht ishin shumë karaktere për t’u deshifruar.
Disa ditë pasi filluan të punojnë së bashku, Lasry dyshonte për identitetin e autorit. Kishte zbuluar fjalë të vjetra frënge në formën dhe termat femërore, si ma liberté (liria ime) dhe mon fils (djali im). “Pse të shkruash ‘liria ime’ nëse nuk je i lirë?”, thotë Lasry.
U tha të tjerëve se mendonte se janë disa nga letrat e humbura të Mbretëreshës Meri të Skocezëve, e cila u ekzekutua në moshën 44-vjeçare me tri të rëna të sëpatës.
Meri nuk e kishte parë djalin e saj, Xhejmsin VI të Skocisë, për të cilin u detyrua të abdikonte në vitin 1567 – qëkur ai ishte foshnjë.
Studioi portretet e tij, të pikturuara nga njerëz të ndryshëm, teksa ai rritej pa nënën. Megjithëse ankesat e saj rrallë merreshin seriozisht, shëndeti i saj ishte dërrmuar dhe ajo ishte e rrënuar nga depresioni.
E kalonte pjesën më të madhe të ditës së saj si e robëruar, duke u ulur në një karrige, në dhomat e saj, duke qëndisur, lexuar, duke shkruar nën shkëlqimin e qirinjve në llambadarët e praruar.
Dhomat e saj ishin të mobiluara në mënyrë luksoze, muret e stolisura me sixhade dhe dyshemetë me qilima të shtrenjtë turk.
Qëndismat e saj ishin plot emblema dhe me gjuhë të koduar. Një dorëshkrim përmbante psalme dhe lutje. I nënshkroi vargjet si një monarke – R për Regina. Në njërën të datës 1579, shkroi:
Fama ime, ndryshe nga dikur,
Nuk fluturon më nga bregu në breg.
Dhe çfarë i kufizon rrugët e saj endacake?
Gjëja që ajo e do më shumë.
– Mary R.
Ajo që ne dimë për të është formësuar nga shekujt e letërsisë politikisht të motivuar, nga romantizimi dhe nga projeksioni. Një grua që trashëgoi fronin skocez kur kishte gjashtë ditë jetë, u dërgua në Francë për siguri; u martua tri herë; e ve për herë të parë në moshën 17 vjeçe; burri i dytë i së cilës u vra, ndoshta nga i treti, përfaqësonte shpresat e katolikëve për të rimarrë fronin anglez dhe frikën e protestantëve puritanë që synonin të mbronin Reformimin. Ishte mbretëreshë rebele dhe joshëse, e aftë për të magjepsur burrat me bukurinë e saj. Shekspiri ishte i magjepsur prej saj, ashtu si edhe Jane Austen.
Në ditën e ekzekutimit, kishte veshur një fustan të zi saten dhe vello të bardhë që arrinte deri te këmbët e saj. Ndërsa fustani u hoq nga xhelatët, turma që priste gulçoi. Qëndroi para tyre me të brendshme të kuqe, “ngjyra liturgjike e martirizimit në Kishën Katolike”, sipas biografes Antonia Fraser. Ishte performanca e fundit e Merit.
Gjatë gjithë jetës së saj i përdori kodet. Ua diktonte letrat, me shpejtësi të madhe, sekretarëve detyra e të cilave ishte t’i kodonin letrat që dilnin dhe të deshifronin letrat hyrëse, duke e përdorur një çelës. Më shumë se njëqind nga kodet e saj janë identifikuar në arkiva të ndryshme. Letrat e saj, të cilat numërohen në mijëra, e lejuan të informohej për politikë, të kërkonte këshilla nga aleatët në Francë dhe të ushtronte vullnetin e saj. Por, në një epokë kur komplotet fetare po krijoheshin nëpër Evropë, letrat ishin vdekjeprurëse. William of Orange, udhëheqësi protestant i Revoltës Holandeze, u vra në 1584 pasi Filipi II i Spanjës dha çmim për kokën e tij. Meri, një figurë e adhurimit dhe zemërimit, u konsiderua si kërcënim për sundimin e kushërirës së saj, Elizabeta I.
Në 1587, Meri u soll në gjyq për komplot. Provat kryesore ishin letrat që tregonin përfshirjen e saj në Komplotin Babington, në një skemë për të vrarë Elizabetën I. Më 8 shkurt, kur koka e saj e shkëputur nga trupi u rrotullua drejt turmës, buzët e saj “ende lëviznin, sikur në lutje”, ka shkruar historiani britanik, John Guy, në një biografi të vitit 2004.
Biermanni dhe Tomokiyo u pajtuan të ndihmonin, secili duke punuar në distancë në një Google Docs të përbashkët – nga shtëpitë e tyre në Gjermani, Japoni dhe Izrael. “Norbert dhe unë shikuam deshifrimet e pjesshme dhe dolëm me sugjerimet për kuptimin e simboleve të ndryshme”, thotë Tomokiyo. “Nuk ishte shifra më e vështirë, jo në krahasim me, të themi, diçka si Shifra e Zodiakut”, thotë Biermann, duke iu referuar një kodi të bërë nga i ashtuquajturi Vrasës i Zodiakut në vitin 1969. Gjatë dy ditëve në vijim, konfirmuan gjetjet fillestare të Lasryt. Pastaj, në ditën e tretë, e deshifruan fjalën “Walsingham”. Në terma të kriptografisë, ky ishte suksesi më i madh.
Për të thyer një tekst të koduar ose për të identifikuar llojin e kodit, deshifruesit zakonisht fillojnë me diçka që quhet analiza e frekuencës – duke studiuar sa herë shfaqet një karakter ose grup karakteresh. Por, kjo teknikë nuk ishte e dobishme për deshifrimin e letrave të Merit. Shifrat u bënë më komplekse gjatë Rilindjes, kur nevoja për kriptim u rrit. Kjo përshpejtohet nga futja e ambasadorëve rezidentë, për herë të parë në Evropë në shekullin XV – sipas Bill Shermanit, profesor i studimeve të Rilindjes në Universitetin e Jorkut. Rritja e nivelit të shkrim-leximit, përhapja e shtypshkronjës dhe fillimet e shërbimit postar, çuan në një shpërthim të komunikimit të shkruar – dhe bashkë me të në aftësinë e fisnikëve, diplomatëve dhe spiunëve për të çuar sekretet përtej kufijve dhe oqeaneve. Për të shmangur zbulimin, krijuesit e shifrave iu drejtuan metodave gjithnjë e më të sofistikuara.
Homofonet – simbole të shumta për të përfaqësuar një shkronjë të alfabetit – u prezantuan. Një tjetër shpikje ishte nomenklatori, një fjalor i vogël simbolesh që përfaqësojnë fjalët: emra, vende, pjesë fjalësh dhe boshllëqe. Diakritikët janë glife të bashkangjitura me simbole, si thekse në një shkronjë, dhe këto glife ia atribuojnë çdo simboli një fjalë të pavarur ose pjesë të një fjale. Për shembull, O, O/ dhe O* – secili do të thotë një fjalë ose pjesë të një fjale. E lodhin deshifruesin, sepse duken sikur mund të jenë shkronja të përsëritura. Përdorimi i diakritikëve është tipar dallues i kodeve të Merit, sepse nuk përdoreshin zakonisht deri në shekullin e XVII. Kodet që përdorte Meri ishin jashtëzakonisht komplekse për kohën e saj.
“Janë si karaktere greke ose forma gjeometrike”, thotë Tomokiyo. “Ato nuk mund të trajtohen nga kompjuterët, kështu që ato simbole duhet t’i transkriptojmë në karaktere që mund të lexohen nga një kompjuter. Ajo punë e transkriptimit ishte shumë e lodhshme dhe zgjati shumë javë”. I morën simbolet që kishin klasifikuar dhe aplikuan një algoritëm që shënonte zgjidhjet e mundshme, bazuar në atë se sa e mirë ishte përputhja midis homofoneve dhe shkronjave të alfabetit. I dobishëm ishte fakti se disa kombinime me pesë shkronja shfaqen shpesh në frëngjisht; ision, ement, etles, ourle. Përputhja duhej të bëhej me dorë. Ngadalë u deshifruan njëra fjalë pas tjetrës.
Një shenjë presjeje, e cila dukej si shenja e njohur e pikësimit, ndodhi pas 18 simboleve të ndryshme. Pasi Biermanni analizoi fragmentet e tekstit pjesërisht të deshifruar, zbuloi se në fakt ishte një diakritikë, që do të thotë se secili nga 18 simbolet, pranë të cilave ishte presja, korrespondonte me fjalë të pavarura. Ky ishte një zbulim i madh. Ata tani kanë mundur ta dekodojnë kuptimin e pothuajse 20 fjalëve. Kishte akoma më shumë simbole të cilat nuk ishin diakritike apo homofone dhe funksioni i të cilave ishte i paqartë.
Në punën e tij të përditshme në një firmë patentash në Tokio, Tomokiyo ulet në një kabinet në katin e 16-të të një ndërtese të lartë betoni, duke përgatitur aplikimet për klientët që shpresojnë të dëshmojnë se shpikja e tyre është vërtet e re. “Jam i interesuar për historinë, veçanërisht për historinë perëndimore”, thotë ai. Tomokiyo zotëron njohuri të gjerë historike, të qindra shembujve të ndryshëm të shifrimit dhe të metodave për t’i dekoduar ato. Ai kuptoi se karakteri që dukej si një numër katër me bisht, nuk e përfaqësonte një shkronjë. Në vend të kësaj, “dikton një funksion”: shkronja e mëparshme duhet të përsëritet, një teknikë që ai e kishte parë më parë. Ishte një tjetër përparim. Përfundimisht, treshja zbuloi se shumica e letrave i ishin dërguar ambasadorit të Francës në Londër, Michel de Castelnau Mauvissière. Pas deshifrimit, Biermanni mundi t’i datonte: ishin shkruar në vitet 1578-1584.
Pavarësisht se jetoi si e burgosur për 19 vjet, te Meri\ ishte një gjendje e përhershme shprese se kushërira e saj, Elizabeta I, do ta rivendoste atë në fronin skocez ose në sundim të përbashkët me djalin e saj. Në letrën e shifruar F130, nga viti 1583, ajo shkroi:
Monsieur de Mauvissière,
… Nuk mund t’ju falënderoj sa duhet për kujdesin, vigjilencën dhe dashurinë krejtësisht të mirë me të cilën shoh se mbështetni gjithçka që më shqetëson dhe ju lutem që të vazhdoni ta bëni këtë më fort se kurrë, veçanërisht për lirimin tim në fjalë për të cilin shoh se mbretëresha e Anglisë është mjaft e prirë. Nëse do të sjellë ndonjë sukses, të jeni të sigurt se tek ajo do të dëshmojë me aq sa mundem për shërbimet tuaja të mira, dhe detyrimin që kam për ju nga e kaluara.
– Shefild, këtë gjashtëmbëdhjetë prill.
Meri dhe Elizabeta kishin marrëdhënie jo tëmira. Nuk u takuan personalisht. Meri ndjeu se nëse ajo mund të fliste me kushërirën e saj ballë për ballë, mbretëresha me mbretëreshë, gjithçka do të rregullohej. Janë përshkruar gjatë historisë si rivale, pavarësisht se shpesh i referoheshin njëra-tjetrës si motër. Elizabeta është paraqitur tradicionalisht si e arsyeshme, racionale, ndërsa Meri si emocionale dhe kokëfortë. Pavarësisht se Elizabeta ishte disi e frikësuar nga ngrohtësia dhe karizma e famshme e Merit, donin të takoheshin dhe kjo ndodhi në vitin 1562. Marrëveshja u bë, por luftërat franceze të fesë dhe më pas infeksioni i Elizabetës me linë i bënë dëmet e veta. William Cecil, këshilltari kryesor i Elizabetës, e shihte Merin si kërcënim për qëllimet e tij protestante për Anglinë dhe i ndaloi planet e mëtejshme.
Historiani John Guy thotë: “Gjëja që na paraqitet nëpër histori është se Meri dhe Elizabeta ishin në armiqësi, që në fillim, sepse Meri pretendonte fronin e Elizabetës … Ky është një qëndrim anglocentrik, fetar … Kur kthehesh te burimet origjinale, ajo që gjen janë dy gra relativisht të reja dhe relativisht pa përvojë në botën e burrave. Nuk ke mundur të fitosh nëse ishe grua në shekullin XVI. Ishte e rrezikshme të martoheshe dhe e rrezikshme nëse jo. Ishin dy njerëzit e vetëm në planet që e dinin se si ishte të jesh në këpucët e tjetrit”.
Meri dhe Elizabeta duhej të lundronin nëpër ndikimin politik dhe fetar të këshilltarëve të tyre, për të rregulluar pozicionet e veta. Ishin inteligjente dhe politikisht të zgjuara. Në vitin 1561, Elizabeta mbështeti privatisht pretendimin e Merit për trashëgiminë angleze, kundër kandidatëve protestantë të favorizuar nga Cecili, thotë Guy. Cecil besonte se feja vinte e para dhe dinastia e dyta. Elizabeta besonte se dinastia ishte e para.
Gjatë gjithë periudhës së këtyre letrave, Elizabeta kërkonte një lloj zgjidhjeje për ta rikthyer Merin në Skoci dhe për ta mbrojtur idenë e monarkisë. Cecili kishte ide të tjera. Donte që ajo të burgosej përgjithmonë ose të ekzekutohej për tradhti. Meri e sugjeroi idenë e një aleance mbretërore për të sunduar Skocinë, së bashku me djalin e Xhejmsi VI më 1581 – pas një vizite që bëri Robert Beale, tjetër këshilltar i Elizabetës. Si ai ashtu edhe Cecili menduan se ishte ide e tmerrshme, por Elizabeta ishte në favor. E dhimbshme për Merin, djali i saj dukej se nuk mendonte shumë mes ambicieve të tij të shtuara.
Meri ndihej vazhdimisht e zhgënjyer nga Elizabeta. Me kalimin e kohës, mëritë krijohen. Kriptimi i mundimshëm i letrave, përfundimisht doli i kotë. Nga mesi i vitit 1583, Walsinghami e vuri një spiun në ambasadën franceze, i cili bëri kopje të disa prej korrespondencave të Merit. Toni i Merit ndaj mbretëreshës shpeshherë ishte i ashpër. Nuk e quante chère sœur – motër e dashur, por ceste Royne – këtë mbretëreshë. Përpiqet me dëshpërim të gjejë zgjidhje, mundësisht kthimin e saj si mbretëreshë e Skocisë.
Në gusht 2022, Tomokiyo gjeti një vëllim tjetër në arkivin në internet të Bibliotekës Kombëtare që përmbante 28 letra të tjera. Përdornin të njëjtat simbole. Biermann thotë: “Mbaj mend që isha me pushime në familjen time. Dhe, më duhej të ulesha në një tavolinë dhe të punoja me letrat e reja. Isha i lodhur. Isha prapa aranzhimit tim të operës. Orkestra ishte duke pritur për pjesët e tjera, që të fillonin provat”.
Për Biermannin, zbulimi i sekreteve nga dokumentet shekullore është udhëtim në kohë. “Kur e gjen një tekst të koduar historik dhe nuk e ke idenë se ku do të të çojë, dhe kur pastaj e kupton një fjalë, këmba jote është në derën e së shkuarës. Zbuloni diçka që ka qenë e panjohur, për vite e shekuj”. Deshifrimi ishte mënyra për t’u përpjekur për ta kuptuar Merin.
Kur Lasry, Tomokiyo dhe Biermann arritën në fazat e fundit të përkthimit të teksteve në fjalë, filluan të kenë frikë nga diçka që çdo deshifrues i suksesshëm frikësohet – se më pas dikush do t’ju thoshte: “Hej, ato letra që kaluat një vit për deshifrim, janë të gjitha të njohura për historianët. Dhe, deshifrimet janë këtu në këtë arkiv”. Për të shmangur këtë makth, treshja u përpoq të gjente krahasime në arkivat tjera. Por, gjetën vetëm shtatë letra që u shfaqën si kopje. Të gjitha datojnë nga viti 1583 e tutje, koha kur spiuni i Walsinghamit vepronte në ambasadën franceze.
Në shtator 2022, e përfunduan deshifrimin dhe transkriptimin e vëllimit të dytë. Në dhjetor e paraqitën një punim akademik që detajonte zbulimin e tyre. U botua në revistën Cryptologia në shkurt 2023. Alexander Courtney, historian, beson se letrat “do t’i angazhojnë historianët dhe do të ndihmojnë të rishkruajnë pjesë të biografisë së Merit”. Courtney veçse është duke punuar në një biografi të djalit të Merit. Ai është e vetmi historian që ka parë shumicën e letrave të deshifruara. Ato janë ende të vështira për t’u lexuar. Pavarësisht përpjekjeve më të mira nga Lasry, Tomokiyo dhe Biermann për t’i redaktuar, kishin nevojë për ndihmë nga një historian. Janë shkruar në frëngjishten e mesme, pa shenja pikësimi apo ndërprerje fjalësh. Përmbajnë gabime. Sekretarët e Merit nuk ishin pa të meta dhe procesi i deshifrimit solli gabime. Me njohuritë e tij të frëngjishtes së mesme dhe të kontekstit historik, Courtney ka redaktuar deshifrimet fillestare.
Letrat na japin një pamje të asaj se si rrjedha e historisë angleze dhe asaj evropiane mund të kishte qenë ndryshe, nëse planet e përshkruara në letra do të realizoheshin në të vërtetë – nëse Elizabeta do të ishte martuar me Dukën e Anzhuit, duke krijuar një aleancë me Francën katolike; nëse Meri do të ishte kthyer në kurorën e saj skoceze.
Letrat përmbajnë gjithashtu disa aspekte psikologjike. “Ajo nuk ishte heroinë e dobët, e dobët, tragjike”, thotë Courtney. “Meri ishte një kafshë politike, një politikane hileqare duke luajtur me fatin e keq”./The Financial Times
Discussion about this post