Në kuadër të angazhimit të tij për të zhdukur padrejtësinë në botë, Lali Eri ishte këtë herë në Ukrainë, aty ku shkojnë për pelegrinazh të gjithë liderët e botës së qytetëruar. Si një prej tyre, edhe kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të mungonte. Zelenski i falëndëroi kryebashkiakët nga shoqata e qyteteve europiane për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga lufta. Në këtë drejtim nuk ka asnjë diskutim se ndihma e Lalit është e paçmuar.
Mësohet se Lali Eri i ka ofruar Zelenksit praktikën e ‘rindërtimit’ në Tiranë pas tërmetit në Durrës në vitin 2019. Ai i ka thënë Zelenksit dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, se për rindërtimin nga e para të një ndërtese nuk është e nevojshme që ajo të jetë e shkatërruar apo e dëmtuar.
Kur ke në dorë edhe gurin edhe arrën – u ka thënë Lali atyre – ti e vendos vetë se cilat ndërtesa janë të shkatërruara dhe cilat jo. Mjaftojnë disa kazma dhe qysqi në cepat e mureve dhe inspektorët do të fotografojnë disa krisje që do të justifikohen si dëmtime strukturore. Ju e keni edhe më të thjeshtë – ka vazhduar ai. – Armë keni boll, nga më të sofistikuarat e NATOS. Pa lekë i keni. Ndërsa qëlloni rusët, kthejeni ndonjëherë antitankun apo murtajën drejt një pallati aty afer dhe ja ku prodhuat një tender më shumë.
Mikpritësit nuk kanë mbetur pak të befasuar. Ata e pyetën Lali Erin se ku t’i shpien njerëzit që banojnë në ato pallate.
E thjeshtë fare – i ka qetësuar Lali. – U jepni para për qiratë gjatë kohës së rindërtimit në shkëmbim të votave në zgjedhje. Atyre që ju e dini se nuk do t’ju votojnë asnjëherë, mos ua paguani qiratë. Po të duan, le të ikin edhe ata si 10 milion ukrainasit e tjerë si emigrantë lufte në BE. Nuk kanë ç’ju duhen ata që nuk votojnë për ju – përfundoi ai.
Nikoqirët po e konsiderojnë gërmë për gërmë propozimin e Lali Erit dhe i hodhën atij idenë që ta kontraktojnë atë si konsulent për rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës. Lali nuk e hodhi poshtë këtë ide pasi i ka larë duart nga Edi Rama që nuk ka ndërmend ta rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Tek e fundit, kjo është rruga liderve të mëdhenj të botës. Toni Bler është shembulli më i gjallë.
Meqë në takim ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Kievit Klitschko, Lali Eri u interesua për cilësinë e jetesës në Kievin në luftë prej 6 muajsh. Klitschko u ankua se cilësia e jetesës në qytetin e tij është dëmtuar shumë nga lufta.
Po të shohësh Indeksin e Cilësisë së Jetesës nga Numbeo.com – tha Klitschko – në qytetin tonë jetohet me cilësi të ulët. Vlera e indeksit për Kievin – tha me trishtim Klitschko – është 106.
Për ta qetësuar, Lali i hodhi dorën mbi sup dhe i tregoi vlerën e të njëjtit indeks për Tiranën.
Mos e vrit mendjen mor burrë – e ngushëlloi Lali Eri. – Ne nuk kemi bërë luftë që nga lufta e dytë botërore dhe cilësinë e jetesës sipas këtij Numbeo-s e kemi shumë të ulët. E di sa është vlera e indeksit për Tiranën? 91.
Shpërthyen të qeshura.
Ja shikojini – nxori nga xhepi celularin e tij iPhone 13 Pro Max. – Fuqia blerëse e banorëve të Kievit 37.6, ndërsa e tironsave të mi 31.2.
Prapë shpërthyen të qeshura. Në atmosferën miqësore që u krijua, Klitschko e pyeti Lalin se në çfarë oraresh e bombardojnë rusët Tiranën.
Sepse Kievin – tha ndërsa mezi mbante të qeshurën – e bombardojnë zakonisht pak para se të gdhijë.
Neve na bombardojnë 24 orë – iu përgjigj plot humor Lali Eri.
Qeshën përsëri. Pastaj panë indikatorin e sigurisë për qytetet përkatëse. Kievi në luftë, 54.45. Tirana në paqe, 55.88.
Tani të besoj – tha Klitschko. – Luftën e paskeni të ashpër edhe ju.
Të qeshura me lot.
Prit, prit – vazhdoi Lali Eri – shiko Indeksin e Kujdesit Shëndetësor: Kievi 57,55, Tirana 47.14. Kosto e jetesës, Kievi 29.9, Tirana 35.59. Dhe në fund, Indeksi i Ndotjes, Kievi 65.26, Tirana 87.23.
Duket se rusët bombardojnë më dendur në Tiranë se sa në Kiev – e mbylli me humor Klitschko këtë temë.
Pastaj, Lali Eri vazhdoi duke u treguar disa foto dhe video nga vila e tij në Vishnje, nga Vila në Palasë, nga duplexi në Kodrën e Diellit dhe mbi të gjitha Maybach-un e tij 200 mijë dollarësh. Nuk harroi t’u tregonte miqve ukrainas edhe foto nga dasma e tij në Kalanë e Gjirokastrës dhe gallatën e justifikimit të shpenzimeve me pensionin e mamit.
Biseda u mbyll përsëri me këshillat miqësore të Lali Erit për Zelenskin dhe Klitschko-n sa i përket rindërtimit.
Mos e shihni luftën si fatkeqësi, por si mundësi – tha Lali. – Kështu e pamë tërmetin dhe pandeminë unë dhe Edi. Me sebepin e tërmetit shkatërruam shumë pallate dhe banesa dhe tani po i bëjmë kulla dhe qendra tregtare. Banorët do të marrin nga një apartament, pjesa tjetër nga mbetet neve – u tregoi miqve që e dëgjonin plot kërshëri.
Po paratë ku i gjetët? – e pyeti Zelenski.
Para ka sa të duash, mor burrë – i tha plot sportivitet Lali. – Donacionet e Europës, Amerikës dhe Turqisë, borxh pa hesap, dhe mbi të gjitha Ndragheta. Ne nuk kemi nxjerrë gjë nga xhepi – i qetësoi miqtë Lali.
Ndragheta? – zgurdulluan sytë ukrainasit. – Nuk është Ndragheta kjo organizata e mafias? – pyetën të pasigurtë.
Po, pra, po! Për atë e kam fjalën – iu përgjigj Lali. – Kanë shumë lekë. Në Tiranë kanë investuar rreth 2 miliard dollar. Po deshët u them një llaf edhe për ju. I njoh shumë mirë ata çunat – i siguroi Lali Eri.
Kështu e lanë, pra, që Lali ta bëjë muhabetin e rindërtimit të Kievit me çunat dhe t’u kthejë një xhevap të sigurtë miqve ukrainas. Bisedat vazhduan privatisht në një ballo me maska, ku Lali i tregoi Zelenskit se sa për aktor ai i vjen anash Lalit. U kënaqën të gjithë. Veçanërisht Klitschko me Lalin, që vallëzuan deri herët në mëngjes. Bombardime ruse nuk pati as atë agim.
Discussion about this post