Një taksë tjetër do të rëndojë shumë shpejt mbi xhepat e qytetarëve shqiptar nëse miratohet projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Banesave nga Tërmetet.
Drafti i hedhur për konsultim publik parashikon bërjen të detyrueshëm sigurimin e banesës, pavarësisht funksionit të saj, nëse përdoret për të jetuar, për të punuar apo qëllime të tjera.
Nga ky detyrim do të përjashtohen vetëm ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër-kallami ose të ngjashme dhe ndërtesat me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Kush e ka detyrimin e sigurimit?
Në nenin 5 të projektligjit thuhet se policën e sigurimit do ta blejnë të gjitha subjektet që kanë një pronë (shtëpi, banesë), madje edhe ata që janë në proces legalizimi duhet bëjnë sigurimin e banesës. Por në fakt çudia ndodh tek familjet që jetojnë me qira ose në banesat sociale, pasi edhe në këtë rast ata duhet të paguajnë për sigurimin e një prone që nuk është e tyre.
Paqartësia e draftit është e madhe në këtë projektligj të propozuar pasi, shumica e qytetarëve që jetojnë në banesa sociale janë në ndihmë ekonomike, dhe po në këtë nen thuhet se janë të përjashtuar nga ky detyrim, pasi pagesa e policës së sigurimit do të bëhet nga shteti.
Kë favorizon dhe kë penalizon?
Në dukje ky projektligj është në funksion të interesit publik, pasi mbron buxhetin nga humbjet e mëdha si në 2019, dhe nga ana tjetër mbron edhe banesën e qytetarëve të cilët do të marrin dëmshpërblim me shpejt për dëmet që i ka shkaktuar tërmeti.
Por ndërkohë që qytetarët do të detyrohen të paguajnë një faturë, e cila ende nuk dihet se sa do t’a ketë vlerën, bizneset janë të favorizuara, pasi nuk janë subjekt i këtij projektligji.
Pra, nëse një hotel, restorante apo resort dëmtohet nga tërmeti shteti mund të bëjë rindërtim për ata por vetë këto subjekte nuk janë të detyruar të sigurohen si qytetarët e thjeshtë.
Ky përjashtim i pronave të bizneseve sipas ekspertit Eduard Gjokutaj, nuk ka logjikë pasi projektligji duket si një mënyrë për të mbushur arkën e buxhetit të shtetit.
“Është e vërtetë se kostoja ekonomike e fatkeqësive mund të rritet më tej si rezultat i ekonomisë në rritje apo ndryshimit të klimës duke konsideruar se kostoja financiare e fatkeqësive mund të rrite, por në këtë rast do të duhej që projekt ligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” duhet të përfshinte edhe rreziqet e tjera natyrore, pasi vetëm me këtë burim risku duket se është i pajustifikuar dhe pa ndonjë logjikë të qartë kosto-përfitim. Duke parë se objekti apo mbartësit e faturës që dikton ligji janë vetëm për pronat që përdoren për banim, përfshirë ndërtesat në proces legalizimi, duke përjashtuar pronat e biznesit duket sikur në fakt objekti i projekt ligjit është interesi public dhe lehtësimi i buxhetit të shtetit prej barrës së financimit të kostove të mundshme deri në vitet 2050”, shprehet eksperti Eduard Gjokutaj.
Nga ana tjetër a është vërtet Shqipëria kaq e rrezikuar nga tërmetet që shteti e bën të detyrueshëm sigurimin?
“Që nga viti 1900, Shqipëria është goditur nga dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 ballë”, thuhet në relacionin e qeverisë.
Pra, goditja nga tërmetet të cilat kanë shkaktuar dëme në ekonomi, ka qenë në distancë disavjeçare në kohë, por përmbytjet kanë qenë të vazhdueshme. Praktikisht rreziku më i prekshëm dhe i vazhdueshëm i Shqipërisë nuk janë tërmetet, por përmbytjet.
Por edhe në kushtet e tërmeteve të forta, si ai i nëntorit të vitit 2019, jo i gjithë vendi pati dëme, pasi epiqendra ishte në 11 bashki të vendit, nga 61 bashki që ka Shqipëria,. Pra qytetarët që kanë një pronë, janë të detyruar të paguajnë një tarifë, edhe pse banesa e tyre mund të mos preket kurrë nga një tërmet,
Në këto kushte eksperti Gjokutaj thotë se duket se synim është mbushja e arkës së shtetit me para.
“Në kushtet kur ky ligj do të zbatohet për gjithë vendin mund të konsiderohet se është një formë tarifimi pa asnjë përfitim për mbi 85% të qytetarëve që nuk kanë patur raste në historikun e tyre nga tërmeti. Nëse i referohemi periudhës aktuale deri në një moment tjetër tërmeti kuptohet që pronarët/përdoruesit e sotëm nuk ndodhen përpara një nevoje imediate të krijimit të fondeve të posaçme, por do të duhet të paguajnë kostot për pronarët e nesërm. Në këtë logjikë përfituesi i madh nuk është publiku i gjerë, pasi ai është financuesi për të mbushur arkën e Fondit Kombëtar për Tërmetet, ku ky i fundit në rolin e përfituesit pasi do të përdorë këto fonde për vete do t’i shpenzojë edhe për procesin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit”, thotë Gjokutaj.
Por edhe nëse qytetarët do të paguajnë për sigurimin e banesës së tyre nga tërmetet, jo e gjithë pasuria e tyre është e mbrojtur. Sipas projektligjit, sigurimi do të mbulojë vetëm dëmet fizike që mund të ndodhin në godinë, nëse dëmtimi i mobilieve apo lëndimet nuk janë të përfshira.
Qeveria zero transparencë për kostot e sigurimit
Në asnjë pikë të relacionit dhe në asnjë nen të këtij projektligji, qeveria nuk ka bërë asnjë analizë mbi kostot dhe përfitimet që do të kenë qytetarët. Relacioni bazohet mbi citime të raporteve të institucioneve ndërkombëtare, dhe në shpjegime të termave të sigurimit, por në asnjë vend nuk citohet se sa do të jetë polica e sigurimit.
Të gjitha kompetencat për përcaktimin e kostove, të policës së sigurimit, primit të sigurimit si dhe të vlerës maksimale të dëmshpërblimit i ka këshilli i Ministrave dhe Bordi Drejtues i Fondit Kombëtar të Tërmeteve, që do të ngrihet në funksion të këtij ligji.
100 euro në vit sigurimi banesës?
Në intervistë për Gijotina, eksperti Gjokutaj, analizon koston që mund të rëndojë mbi qytetarët, duke u bazuar në çmimet që kanë sot kompanitë private të sektorit të sigurimeve.
“Në fakt, projekt ligjit i mungon pikërisht pjesa më kryesore, kostoja apo çmimi që qytetarët në Shqipëri do të detyrohen me forcë të paguajnë për një shërbim që nuk do tu nevojitet domosdoshmërisht. Megjithatë, kostoja për qytetarët nëse e llogaritim me tarifën aktuale të pagesës në sektorin privat (duke filluar nga 50 euro në vit, si dhe projekt vendimin e qeverisë (0.1% e vlerës së banesës) mendohet që kostoja tashmë të variojë mesatarisht deri në vlerën e 100 Euro në vit”, thotë eksperti Gjokutaj.
Sipas analizës së ekspertit, sigurimi në këtë mënyrë, duket më shumë si një paradhënie, për një shërbim që mund të mos e marrësh kurrë.
“Koncepti i projekt ligjit është parafinancimi, apo financimi paradhënie nga vetë qytetarët për raste tërmeti në rajonet sizmike të mundshme që kanë një intensitet të ndodhin një herë në të paktën 30 – 40 vite”, pohon ai.
Fondet që mund të mblidhen nga sigurimi i detyrueshëm do të mbulonin jo vetëm dëmet që mund të shkaktonte një tërmet në të gjithë vendin, por do të tepronin për Fondin e Tërmeteve që do të ngrihet.
“Nëse llogaritim që çdo pronar banese/ash do të parapaguajë 0.1% të vlerës së banesës për çdo vit, atëherë vlera e paguar, p.sh. 100 euro në vit x 30 vite = 3.000 Euro dhe nëse e llogaritim se dëmet llogariten për deri 10 mijë objekte, atëherë vlera e mbledhur në këto 30 vite, në një shumë të paktën që kalon 2 miliard Euro duket se është një fond i mjaftueshëm për të përballuar jo vetëm dëmet për banesa të reja, por edhe të jenë përfshirë në logjikën e sigurimit edhe ato që konsiderohen si të vjetra/amortizuara”, thotë Gjokutaj.
Pavarësisht kostove, qytetarët nuk kanë rrugë tjetër veçse të pranojnë këtë vendim, pasi nëse e refuzojnë nuk do të marrin asnjë shërbim nga E-Albania.
Qeveria bën biznes, përjashton privatin nga sigurimi
Nga skema shtetërore e sigurimit të banesave nga tërmetet, përjashtohen plotësisht kompanitë private të sigurimit në vend, pasi gjithçka do të administrohet nga Fondi Kombëtar i Tërmeteve që do funksionojë si shoqëri aksionere. Sektorit privat tanimë i mbetet vetëm sigurimi nga fatkeqësitë e tjera natyrore.
Kjo sipas Gjokutaj bëhet për të favorizuar buxhetin e shtetit, i cili në vitet e fundit ka humbur shumë si pasojë e tërmetit të 2019.
“Arsyeja pse shteti tashmë ndërhyn në tregun aktual tërësisht privat duke mos lënë hapësira për privatin përsa lidhet me mbulimin e sigurimit ndaj tërmeteve është për arsye të kostove të larta që u përballuan nga buxheti në tre vitet e fundit (dhe që vijojnë ende) si dhe për arsye se ky lloj sigurimi është ende mjaft i ulët në vend, madje edhe në disa vende të industrializuara, duke rezultuar në financimin e humbjeve pas katastrofës dhe rritjen e varësisë nga ndërhyrjet e qeverisë”, pohon eksperti.
Nga ana tjetër marrja e kompetencave të kompanive të sigurimit, nga shteti cenon edhe lirinë ekonomike të këtyre bizneseve, që deri më tani e kanë ofruar shërbimin e sigurimit të banesave nga tërmeti në mënyrë vullnetare.
Sigurimi do jetë shtetëror apo koncesion?
Por teksa kompanitë private të sigurimeve përjashtohen nga ofrimi i këtij shërbimi, të gjitha paratë e shqiptarëve mund ti kalojnë një kompanie private të huaj. Pra kjo nismë shtetërore mund të administrohet nga privati në të ardhmen.
Në pikën 1 të nenit 25 të projektligjit thuhet,-“Fondi mund të delegojë menaxhimin dhe administrimin operacional pranë një Operatori Teknik Ndërkombëtar”.
Procedura e përzgjedhjes, kriteret dhe tarifa e Operatorit ndërkombëtar do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Në një pikë të tillë lindin dyshimet e arsyeshme që pas kësaj skeme sigurimi mund të fshihet koncesioni i radhës, që do të marrë në dorë paratë e shqiptarëve.
“Në pamjen aktuale të projekt ligjit nuk duket se do të ketë hapësira për partneritet, por nëse lexon me kujdes nenin ku Fondi mund të administrohet nga një Operatori Teknik Ndërkombëtar, atëherë kupton se ndoshta shumë shpejt mundet të jetë një qasje e tillë. Këto dyshime janë të arsyeshme, përsa kohë nuk ka asnjë kriter se përse duhet /nevojitet ky operator dhe kush janë kriteret kohore për të kërkuar një administrim, i cili në fakt duket sikur pikërisht operatori mundet të jetë një nga qëllimet e ardhme të këtij fondi të pakërkuar”, thotë Gjokutaj.
Pse duhen siguruar banesat e reja?
Sigurimi i detyrueshëm edhe i banesave të reja ngre dyshime të forta edhe për cilësinë e ndërtimit në vend. Përderisa kompanitë e ndërtimit reklamojnë rritje të cilësisë së ndërtimit në vitet e fundit, duke e sjellë edhe si një faktor që ka shtrenjtuar apartamentet, pse ato duhet të sigurohen?
Një vendim i tillë i qeverisë që përfshin edhe banesat e reja, përpos faktit që duket se ka si synim shtim e të ardhurave në buxhet, vjen edhe si frikë e dëmit të madh që shkaktoi tërmeti i para 4 viteve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post