Partia Socialiste duket se e ka përqendruar të gjithë fushatën e saj te makineria elektorale dhe administrata publike në qarkun e Fierit, duke zëvendësuar politikën me klientelizëm dhe duke krijuar një klimë frike, të cilën, disa qytetarë dhe kandidatë të opozitës e përshkruajnë gjithnjë e më shpesh si “diktaturë!”
“Po çfarë thua more?! Ëndrra me sy hapur sheh ti?!” Kjo ishte përgjigjja që ky gazetar mori nga një grup të moshuarish, të cilët po luanin domino në qendër të fshatit Libofshë në Fier, ndaj pyetjes nëse ekzistonte ndokush, i cili ishte njëkohësisht i punësuar në administratën publike dhe, gjithashtu, mbështetës i opozitës.
Ata, edhe kur i fusin në punë, i fusin për t’i nxjerrë nga Partia Demokratike,” shtoi pensionisti, i cili, si shumë të tjerë me të cilët BIRN foli në shumë fshatra dhe qytete të qarkut Fier, nuk pranoi të citohet me emër, për shkak të asaj që mund të konsiderohet si klimë frike dhe terrori nga makineria elektorale socialiste.
Ndërsa në Divjakë, qytezën bujqësore relativisht të pasur rreth një orë më në veri, disa prej aktivistëve të Partisë Demokratike në opozitë prej 12 vitesh, qeshën me të madhe kur u pyetën për të njëjtën gjë, a thua se kishin dëgjuar çudinë më të madhe në shumë kohë.
E qeshura u ndërpre nga Aurel Malko, kandidat për deputet dhe drejtues i opozitës në Divjakë, i cili tha se opozita numëron mbështetës edhe mes punonjësve të administratës publike, ndonëse këta të fundit “rrallëherë guxojnë të shprehen publikisht”.
Përdorimi i administratës publike dhe i vendeve të punës në sektorin publik për të punësuar militantë dhe punësimi në shkëmbim të votave familjare apo edhe të familjeve të zgjeruara nuk është gjë e re në Shqipëri.
Përgjatë dekadave pas rënies së komunizmit, vendet e punës në administratën publike, veçanërisht pozicionet drejtuese, kanë ndryshuar duar të katra herët që pushteti politik ka ndryshuar, ndërsa parti të ndryshme janë zhvilluar dhe rrëzuar, përmes keqpërdorimit të strukturës së shtetit për vota dhe humbjes së aksesit në këtë strukturë. Si pasojë e pushimeve të rregullta nga puna të administratës së mëparshme për të krijuar vende të lira pune për militantët e partisë që ka ardhur në pushtet, taksapaguesit janë detyruar të paguajnë qindramilionë euro dëmshpërblime për vendimet gjyqësore të shkarkimeve të padrejta nga puna.
Gjithsesi, gjërat duket se kanë shkuar në ekstrem gjatë viteve të fundit, pasi një ushtri e partisë në pushtet, e cila përshkruhet nga kryeministri si “patronazhistë” dhe nga qytetarë e mbështetës të opozitës si “ushtri spiunësh”, duket se kontrollon punësimet në sektorin publik në mënyrë sistemike, duke mos lënë asgjë jashtë mekanizmit të votave për vende pune, me pasojë që, qytetarët ndjehen të pasigurt për jetesën e vet apo të familjarëve, apo të rrjetit të zgjeruar familjar, kanë frikë të flasin në mënyrë kritike apo nuk guxojnë të shprehin mbështetje për ndonjë parti tjetër, qoftë kjo nga opozita kryesore apo nga partitë e vogla që garojnë në zgjedhje. Kjo klimë presioni duket se e ka vrarë politikën si politikë për ta zëvendësuar me një sistem gjigand klientelizmi, klientelizëm që përdor një dozë të luhatshme të kërcënimeve me ryshfetin.
Mua më hoqën nga puna që herët,” thotë Tomorr Abdurrahmani, një aktivist i opozitës në lagjen nr. 2 të qytetit të Fierit, i cili pati punuar gjatë qeverisjes së opozitës së sotme elektriçist në një stacion pompimi. Që nga ndërrimi i pushtetit, dymbëdhjetë vjet më parë, ai ka jetuar me një pagesë paaftësie të pjesshme në punë.
“Populli në përgjithësi është rrugëve,” thotë një shoku i tij, gjithashtu mbështetës i opozitës, i cili punon me mëditje në ndërtim, “por mbështetësit e opozitës edhe më shumë”.
Qarku i Fierit është i dyti më i madh në Shqipëri pas Tiranës me popullsi votuese prej rreth 400 mijë vetësh dhe me 16 nga 140 mandatet e Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste ka pasur gjithmonë avantazh, duke marrë në mënyrë tipike 9 nga 16 mandatet dhe duke lënë për partitë opozitare 7 mandate. Një rezultat më i thellë për socialistët është shënuar vetëm në vitin 2017 me 10 mandate.
Animi i Fierit nga e majta duket se lidhet pjesërisht me trashëgiminë e kohës së komunizmit, kur industria e naftës dhe industritë e tjera të lidhura me të ofronin paga krahësimisht më të larta se sa në pjesën tjetër të vendit për zonat urbane, dhe pjesërisht me traumën e vitit 1997, ku, pas kolapsit të skemave financiare mashtruese, të cilat qeveria e PD-së dështoi t’i ndalonte në kohë, qeveria iu përgjigj protestave të qytetarëve me tentativë për represion policor e ushtarak, gjë që e dërgoi vendin në kaos dhe shkaktoi mbi 1800 vdekje të dhunshme.
“Votojmë të majtën sepse së paku na hoqi armët nga duart të mos vrisnim njëri-tjetrin,” i tha këtij gazetari një i moshuar në fshatin Strumë, në kodrat rrëzë malit të Shpiragut.
Marrëdhëniet sociale të krijuara nga shteti diktatorial i kohës së komunizmit kanë krijuar gjithashtu dy baza mbështetëse për kundërshtarët e Partisë Socialiste, e cila shihet gjerësisht si trashëgimtare e Partisë së Punës. Njëri grup përbëhet nga pasardhësit e familjeve të vendosura në zonat ish-kënetore dhe në vetë qytetin e Fierit në vitet 1930, pas dhunës ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kur dhjetëramijëra vetë u shpërngulën për t’u vendosur në zona të ndryshme të Ultësirës Perëndimore në Shqipëri. Grupi i dytë i kundërshtarëve të PS-së janë grupi i shqiptarëve që u përzunë me dhunë nga Greqia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pra komuniteti çam. Të dy këto grupe ishin të dizavantazhuar dhe të persekutuar gjatë kohës së komunizmit, gjë që reflektohet në votimet e sotme.
Mbështetja e këtyre grupeve për demokratët gjithsesi nuk është e pakushtëzuar. Perceptimi i përgjithshëm është se ky lloj votuesi, ndonëse ngurron fort të votojë PS-në, duhet të ketë një arsye shtesë për të dalë në votime në mbështetje të opozitës.
Socialistët nga ana e tyre, në Fier si edhe në të gjithë Shqipërinë, i gëzohen një numri mbështetësish besnikë, të cilët janë të gatshëm ta votojnë pavarësisht çdo gjëje.
“Ky e voton Partinë edhe nëse ajo ia heq pensionin fare,” thotë një mësues në pension ndërsa bën me shenjë nga një mësues tjetër në pension me të cilin po luan shah në fshatin Babunjë.
Të ka futur shiringën komunizmi,” shtoi ai duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti shokut, i cili po shpërfillte sugjerimet se qeveria e sotme është e korruptuar duke thënë: “të gjithë vjedhin.”
Shiringa për të cilën po flitet në këtë rast quhet “vetëmohim”, një parim i zhvilluar mes shoqërive që kanë jetuar nën regjime totalitare, në të cilat, individi indoktrinohet të mendojë për të mirën e grupit, pa marrë parasysh interesin personal deri në vetësakrifikim. Është ndryshe nga altruizmi, që sugjeron ndihmesë për të tjerët pa dëmtuar veten.
Mbështetja për socialistët nuk mundet kurrsesi të merret e garantuar. Pasi PS mori 104 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2007, Qarku i Fierit i dha asaj gati 92 mijë më 2021. Me pak fjalë, rreth 13 mijë votues ndryshuan mendje për të. Votat e dy partive opozitare, PS dhe LSI të marra bashkë, u rritën me rreth 9 mijë, gjë që sugjeron se një pjesë jo e vogël e atyre që votuan Ramën më 2017, votuan kundër tij në vitin 2021.
Rreth dyqind metra larg stendës së “Lëvizjes Bashkë”, por në një univers tjetër, stenda e Partisë “Mundësia” tërheq votues me modelin e telemarketingut. Kandidatja Frida Mavriqi, një gazetare që ka punuar si prezantuese lajmesh dhe që është edhe zëdhënëse e Partisë “Mundësia”, po përfundon një video drejtuar emigrantëve, në të cilën përsëritet mesazhi i partisë, i cili konsiston në thirrjet për shtet të vogël dhe “një vend që ia dilet me punë.” Partia është e themeluar dhe e drejtuar nga Agron Shehaj, një biznesmen i suksesshëm, i cili më parë ka qenë deputet i Partisë Demokratike ndërsa në këto zgjedhje ka arritur të tërheqë vëmendjen me deklarata tip-Trumpiste për “mbyllje të televizionit publik” apo për “shtet të vogël.”
Mavriqi hutohet pak kur pyetet për çështje të tilla praktike si kujdesi shëndetësor.
“A mendoni se shëndetësia duhet të paguhet nga taksimi i përgjithshëm apo nga xhepi?” e pyes. “Nga xhepi,” më thotë. “Po për të varfrit?” e pyes. “Jo, për të varfrit jo,” më thotë pa sqaruar më tutje.
“Mundësia” ka arritur të depërtojë në shoqëri, dukshëm falë shfaqjeve të shpeshta të kryetarit të saj në televizione dhe shumave të parave të shpenzuara nga xhepi personal i Shehajt, me struktura të ngritura në të gjithë Shqipërinë. Mesazhi i tij në mbështetje të lirisë individuale, në epokën kur shteti është jo ndonjë gjë shumë më shumë se sa një sistem patronazhistësh socialistë, nuk ngjan pa vend dhe as nuk ngjan pa efekt në publik. Fati i partisë gjithsesi mbahet në balancë sepse, pavarësisht se si del ajo në zgjedhje, ka gjasa që xhepi i Shehajt nuk është mjaftueshëm i thellë për të mbajtur një parti përgjithmonë.
Liria individuale në epokën e patronazhistit është në fakt një çështje që shqetëson edhe shumë të tjerë, njerëz të zakonshëm apo politikanë, në të majtë apo në të djathtë.
“Inshallah nuk e merr ky, se e bëri diktaturë,” thotë një i ri i kthyer nga emigrimi nga Dërmenasi, një fshat pak në dalje të Fierit. “Le ta marrë kush të dojë, por jo ai,” shtoi ai duke iu referuar Ramës.
Gerard Komini, një inxhinier ndërtimi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik, thotë gjithashtu se ai ka hyrë në fushatë për shqetësimin se liria po i ikën shqiptarëve prej duarsh. Ai tregon eksperiencën e tij të parë, kur u angazhua në protestat studentore të vitit 2018, kur prindërve të tij në Fier iu bë e qartë nga drejtuesit në shtet se i biri ishte mes protestuesve antiqeveritarë./BIRN/










Discussion about this post