Deputetja Ina Zhupa ka kritikuar në seancën plenare buxhetin e qeverisë Rama, duke e akuzuar atë se braktis shtresat më të pamundura dhe nuk parashikon vendosjen e minimumit jetik prej 250 eurosh, sipas propozimit të PD-së dhe rekomandimit të Avokatit të Popullit.
Zhupa solli në vëmendje pensionet që mbeten nën minimumin jetik, pagesën prej vetëm 99 mijë lekësh të vjetra për fëmijët jetimë dhe vështirësitë ekonomike të familjeve që trajtohen me KEMP.
Ajo u ndal edhe te rasti i Erindit, familjarët e të cilit marrin 120 mijë lekë të vjetra KEMP, ndërsa ai u gjobit me 5 milionë lekë për pjesëmarrjen në protestë.
“Ky kuvend edhe në këtë buxhet nuk parashikon vendosjen e minimumit jetik. Ne sot kemi pensione të cilat janë nën minimumin jetik. Ne sot kemi pagesën për fëmijët jetim, 99 mijë lekë të vjetra që nuk të del për të mbijetuar. Nëse ju do të kishit vendosur minimumin jetik prej 250 eurosh, siç sugjeronte raporti i Avokatit të Popullit dhe propozimi i Partisë Demokratike nuk do të kishte pagesë nën 250 mijë lekë të vjetra. Erindi protestonte, i kishte familjarët me kemp.
120 mijë lekë të vjetra merrnin, ndërkohë gjobën ia vutë 5 milionë lekë. Për gjobën e gjetët ku ishte, ku jetonte, e ndoqët nga mbrapa atje ku po kalonte kohën me shokët e tij. Ndërsa për ta ndjekur institucionet e shtetit, për të kuptuar si jeton ky i ri, a i del të mbijetojë, nuk e ndjek njeri, nuk i intereson njeri. Ndaj dhe buxheti dhe protesta janë një, sepse bëni një buxhet për ta vjedhur, sepse bëni një buxhet për të rrjepur ekonominë e ndershme, sepse bëni një buxhet që i bini të dobtit, i bini të varfrit për t’ia dhënë të pasurit”, tha Zhupa.









Discussion about this post