Forcat zjarrëfikëse gjetën trupat e 18 personave ndërsa tentonin të shuanin flakët në një zonë në verilindje të Greqisë. Për të katërtën ditë me radhë situata paraqitet jashtë kontrollit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse personat e pajetë janë emigrantë, që mund të kenë hyrë në vend përmes kufirit me Turqinë.
Ata u gjetën në zonën Avanta të qytetit të Aleksandrupolisit, në një kohë që qindra zjarrfikës luftojnë me dhjetëra zjarre që kanë shpërthyer në të gjithë vendin, të nxitur nga erërat e forta.
Të hënën, dy persona humbën jetën dhe dy zjarrfikës u plagosën në Greqinë veriore dhe qendrore.
Për shkak të verës së nxehtë dhe të thatë, vendet e Evropës Jugore janë të ekspozuara ndaj zjarreve. Një tjetër zjarr i madh ka përfshirë Tenerifet në ishujt Kanarie të Spanjës, prej një jave, megjithëse nuk është njoftuar për të lënduar apo dëme në banesa.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë fajësuar ndryshimet klimatike për shpeshtësinë dhe intensitetin në rritje të zjarreve në Evropë, duke vënë në dukje se viti 2022 ishte viti i dytë më i keq për dëmet nga zjarret, pas vitit 2017.
Në Greqi, policia aktivizoi njësinë e posaçme të vendit për të identifikuar 18 trupat, të cilët u gjetën pranë një barakeje në zonën e Avantas, tha në një deklaratë televizive Ioannis Artopios, një zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve.
Duke qenë se nuk ka pasur raportime për një person të zhdukur apo për banorë të zhdukur nga zonat përreth, po hetohet mundësia që këta të jenë persona që kishin hyrë në mënyrë të palighshme në vend”, tha zoti Artopios.
Qytetit i Aleksandrupolisit shtrihet pranë kufirit me Turqinë, përgjatë një rruge që e marrin shpesh njerëzit që tentojnë t‘i largohen varfërisë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë dhe kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.
Banorët në Avanta, si shumë fshatra dhe vendbanime aty pranë, ishin njoftuar të evakuuoheshin, përmes paralajmërimeve që ishin dërguar në telefonat e tyre celularë.
Gjatë natës, flakët u përhapën nga pyjet drejt Aleksandropolisit, duke bërë që autoritetet të evakuonin tetë fshatra të tjerë dhe spitalin e qytetit. Flakët bënë që qielli mbi qytet të ishte i kuq ndërsa gjithë zona u përfshi nga një tym mbytës.
Rreth 65 nga më shumë se 100 pacientët në spital u transportuan në një traget të ankoruar në portin e qytetit, ndërsa të tjerët u dërguan në spitale të tjera në Greqinë veriore. Trageti u nis më vonë me më shumë se 20 pacientë për në qytetin port të Kavallës, të cilët do të transferohen në një spital tjetër.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Dimitris Vartzopoulos, duke folur në televizionin grek Skai, tha se tymi dhe hiri në ajrin rreth spitalit të Alekandruplolisit ishin arsyet kryesore për evakuimin e objektit.
“Evakuimi u krye brenda katër orësh,” tha ai.
Roja bregdetare njoftoi evakuimin edhe të 40 personave të tjerë nga zonat e plazhit në perëndim të qytetit.
Në rajonin kufitar verilindor të Evros, flakët dogjën një pyll në një park të mbrojtur kombëtar. Imazhet satelitore tregojnë se tymi ka mbuluar pjesën më të madhe të Greqisë veriore dhe perëndimore.
Zjarre të tjera shpërthyen këtë të martë në disa pjesë të tjera të vendit , duke përfshirë pyje në veriperëndim të Athinës dhe një zonë industriale në perëndim të kryeqytetit grek.
Greqia bëri thirrje për ndihmë nga mekanizmi i mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian.
Drejt Greqisë u nisën pesë avionë zjarrfikës nga Kroacia, Gjermania dhe Suedia dhe një helikopter, 58 zjarrfikës nga Republika Çeke, ndërsa 56 zjarrfikës rumunë dhe dy avionë nga Qipro mbërritën që të hënën. Zjarrfikësit francezë ishin gjithashtu në Greqi, dhe ndihmuan në shuarjen e një zjarri në ishullin Evia, të hënën.
“Ne po mobilizojmë pothuajse një të tretën e avionëve që kemi në flotën shpëtimit të Bashkimit Europian,” tha zëdhënësi i BE-së Balazs Ujvari.
Në disa rajone, duke përfshirë Athinën, u paralajmërua për nivel “ekstrem” të rrezikut nga zjarret, për të dytën ditë me radhë, këtë të martë. Autoritetet kanë ndaluar hyrjen e qytetarëve në pyje dhe malet në ato rajone deri të paktën të mërkurën në mëngjes dhe kanë urdhëruar patrullimin ushtarak.
Në Spanjë, zjarrfikësit luftuan me flakët për të vënë nën kontroll zjarret qe kishin përfshirë prej një jave destinacionin popullor turistik të Ishujve Kanarie, Tenerife. Vlerësohet se zjarri, i cili ka djegur një hapësirë prej 15,000 hektarësh, ka djegur tashmë një të tretën e pyjeve të Tenerifeve.
Më shumë se 12,000 njerëz u evakuuan, gjatë javës së kaluar. Autoritetet thanë të martën se 1,500 persona kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata e kanë cilësuar zjarrin si më të keqin në dekada .
Në disa zona të Spanjës u lëshua alarmi për zjarre për shkak të një vale të nxehti që shkaktoi temperatura të larta, mbi 38 gradë Celsius.
Zjarret më vdekjeprurëse në Greqi u regjistruan në 2018, ku humbën jetën 104 persona.
Muajin e kaluar, një zjarr në ishullin Rodos detyroi evakuimin e rreth 20,000 turistëve.
Në Itali, autoritetet evakuuan nga banesat dhe një kamping në ishullin toskan Elba mbi 700 persona, pas shpërthimit të zjarreve të hënën vonë, ndërsa në Turqi, autoritetet evakuuan një fshat të vogël në provincën veriperëndimore të Çanakalasë pasi një zjarr i ndezur nga erërat e forta vuri në rrezik banesat.
Sipas Shoqatës Italiane të Gjeologjisë Mjedisore, më shumë se 1,100 zjarre në Evropë këtë verë, kanë shkatërruar një hapësirë prej 2,842 kilometrash katrorë./VOA
Discussion about this post