Situata apokaliptike që përfshiu Himarën gjatë fundjavës, ku zjarret masive shkaktuan dëme kolosale në natyrë dhe ekonomi, reagimi i shtetit la shumë për të dëshiruar, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi menaxhimin e buxheteve nga bashkia.
Eurodeputeti Fredi Beleri hodhi akuza drejt qeverisë qendrore dhe asaj vendore, ku tha se mungesa e theksuar e mjeteve mbrojtëse është e pafalshme për një bashki që gjeneron të ardhura marramendëse nga turizmi.
Sipas tij, Himara ka pasur në dispozicion vetëm dy makina zjarrfikëse, njëra prej të cilave madje pa ujë, në një kohë kur paratë shpenzohen për festivale dhe argëtime, duke lënë në harresë sigurinë bazë të qytetarëve.
Kritika të forta Belei pati dhe ndaj Kryeministrit Edi Rama, nga ku ironizoi rikthimin e Vangjel Tavos nga Kina, si dhe vizitën e Ramës në zonat e prekura, duke u shprehur se kreu i qeverisë u soll “si një komshi i mirë” që shkon për ngushëllim, në vend që të veprojë si kryeministër.
Ai theksoi se në çdo vend të Evropës, shteti ndërhyn me procedura të shpejta duke ofruar fonde emergjence prej 5 deri në 10 mijë euro për qytetarët që humbasin shtëpitë.
“Problemi për zotin Tavo ishte, jo pse erdhi në fillim, jo pse mungonte tani. Problemi real ishte shteti këtu kishte me Himarën, që nuk gjenden tani në Himarë në gjendjen kritike, është normale. Ishte një natë shumë e vështirë për banorët, ishte një tmerr i vërtetë, që ndodh në gjithë Evropën, po ndodh në gjithë botën dhe duhet ta kishim parashikuar. Duhet të kishim marrë masat që të mos ndodhte. Kur ndodh një fenomen në rrethe, përqark, është punë kohe që të ndodhi edhe tek ne.
Zjarret, duke u bazuar edhe te ndryshimi i klimës që po ndodh në gjithë botën, është një buxhet që bëhet se si të mbrohesh, se si të organizohesh me emergjencat civile. Ne në Himarë kemi prioritet festivale, këngë, valle, argëtim, pra na mungojnë dritat, na mungon uji në një përqindje të caktuar, na mungojnë dy makina zjarrfikëse dhe kemi harxhuar mijëra euro për të argëtuar turistët që as s’kanë nevojë për argëtim besoj.
Sigurisht janë me mijëra rrënjë ullinj, ka dhe ullinj shekullorë që janë djegur. Besoj se ky dëm që të rikuperohet është shumë e vështirë, po duhet shteti, bashkia të jenë afër që t’u japin ndihmë në këto ditët e para. Shtëpitë e djegura duhet menjëherë t’u jepet një ndihmë sociale për harxhet e para, të mundohen këta njerëz të gjejnë një shtëpi tjetër për të ndenjur.
Domethënë në gjithë Evropën vjen me një procedurë shumë të shpejtë, vjen shteti dhe jep pesë deri dhjetë mijë euro për t’u ndodhur atyre në ndihmë. Kurse zoti Rama erdhi dhe tha të bëhemi më të fortë…Nuk bëri kryeministrin po bëri njeriun që i dhimbset dhe i vjen keq… bëri komshiun e mirë. Po roli i një kryeministri është t’u gjendet njerëzve që kanë nevojë dhe t’i ndihmojë për këto ditët e para, derisa të marrin veten.
Po është një fenomen, flakë, kjo që ndodh në gjithë Evropën, në gjithë botën, është një fenomen që këtej e tutje do jetë edhe më i pranishëm dhe duhet të marrim masa. Të paktën për një bashki me kaq të ardhura, është e papranueshme të mos ketë makina zjarrfikëse. Kishte një zjarrfikëse me ujë dhe një pa ujë që bënin xhiron nëpër Himarë”, u shpreh ai.










Discussion about this post