Nga Elton Qyno
Një projekt i dyshes Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, për të hyrë në biznesin e gazit mbeti në tentativë, megjithëse kompania “C.G.C” e suportuar prej tyre, arriti të fitojë në 2017 një ankand për blerjen e 3 milion normal/metër kub gaz, me një çmim prej 405 mijë euro me TVSH. Pavarësisht se për arritjen e fitimit të këtij ankandi, Zoto-Mërtiri, kishin shkëmbyr disa e-maile paraprake dhe ishin përfshirë në negociata direkte për hartimin e kushteve të kontratës, çuditërisht dokumenti final mes “Albpetrol” dhe kompanisë “C.G.C” e themeluar në 2013, nuk rezulton të jetë firmosur.
Në këtë aksion Klodian Zoto, prezantohet si juristi i “C.G.C”. Por mbetet e paqartë për prokurorët e SPAK, se pse përfaqësuesit e firmës “C.G.C”, nuk u paraqitën kurrë në “Albpetrol”, për të firmosur kontratën dhe vijuar biznesin në tregtinë e hidrokarbureve në Shqipëri.
Ky projekt biznesi i mbetur vetëm në letër, është pikasur nga dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Enkelejda Kapedani, gjatë fazës së ekspertimit të Lap-Topit të sekuestruar të Klodian Zotos.
Përmes morisë së larmishme të e-maileve të zbuluara, janë evidentuar dhjetëra pastime elektronike, të cilat implikojnë zyrtarë të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe vetë ish-drejtorin e këtij institucioni, Klodian Gradeci, i cili qëndron “lepe-peqe” kërkesave të Zotos.
Në dosjen e SPAK, evidentohet se Gradeci, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë njohje me njëri-tjetrin dhe në disa raste kanë udhëtuar së bashku në Greqi.
E-Mailet i përkasin një periudhe nga viti 2013-2015. Ku dukshëm tregohet impenjimi i Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe një skuadre personash si Klodian Gradeci, Dael Dervishi, Elion Semanaj, Stela Gugallja, Ervin Lula, Sevi Zani, Arenc Myrtezani, Denisa Tollkuçi, Naim Kasa, Loran Dusha, të cilët konsultohen në koherencë me njëri-tjetrin për mënyrën e hartimit dhe lidhjes së kontratës së gazit.
Qëllimi i konsultimeve për hartimin e kontratës, ishte dëpërtimi i dyshesh Mërtiri-Zoto, në biznesin e gazit në Shqipëri, duke përdorur dy shoqëritë aksionere “Albepetrol” dhe “Phoenix Petrolem”.
Pikërisht kompania e dytë, u bë e njohur dhe u kthye në shkakun kryesor, që në vitin 2020 prokuroria e Tiranës të shpallë në kërkim ish-kreun e AKBN-së Klodian Gradeci. Ndërsa arrestoi disa prej zyrtarëve të saj, për shkak se në 2015 kishin mashtruar përmes 8 faturave financiare fiktive me vlerën 1 milion e 290 mijë dollarë, kompaninë amerikane “Blac Sean Energy Services” (BSES).
Për këtë skandal, sot në gjykatën e Tiranës janë marë të pandehur dhe zhvillohet gjykimi për Denis Durrsin, Naim Kasa, Arben Doda, Simon Marku dhe subjekti tregtar “Phoenix Petroleum”.
Ndërsa për dy personat e tjerë të proceduar, ish-drejtorin e AKBN-së, Klodian Gradeci dhe ish-inspektorit pranë kësaj agjensie, Qani Hoxhaj, prokuroria e Tiranës kërkoi në gjykatë pushimin e ndjekjes penale.
Por kjo kërkesë e prokurorisë në 26 Janar 2023 nuk është pranuar nga gjyqtarja Ardiana Bera, e cila urdhëroi prokurorinë e Tiranës të vijonte hetimet për dy zyrtarët e AKBN-së.
Kjo çështje për Klodian Gradecin vijon të jetë e hapur, ndërsa tashmë SPAK ka ngritur dyshime të forta për implikimin e tij në një tjetër aferë.
Sipas SPAK me e-mailin e 5 nëntorit 2013, shkëmbehen disa e-maile mes dërguesit “Elion Semanaj, ku dërgohet një dokument me titull: “Fëd: METE Informacion për licensimin e “Phoenix Petroleum Tetor 2013.docx”.
Nga vijimësia e komunikimit në këtë e-mail rezulton se Elion Semanaj, pasi merr e-mailin nga shtetasi Klodian Gradeci, ia dërgon këtë e-mail Klodian Zoto.
Në përmbajtje të tekstit të këtij e-maili, Klodian Gradeci i shkruan Elion Semanaj, të dhëna në lidhje me prodhimin e gazit natyror, vitin e fillimit në vendburimin e Divjakës, numrin e përgjithshëm të puseve, prodhimin etj.
Ndërsa në E-mailin e datës 3 korrik 2014 me titull “Kontrata e Phoenix” dërguesi Ervin Lula i drejtohet Mirel Mertirit, Klodian Zoto, Klodian Gradecit me tekst si më poshtë vijon:
“…I dashur Klodi. Të më falësh për këtë kërkesë sonte vone, por një mik i afërt me ne dhe koleg i përbashkët, Devi në ç në këtë e-mail, niset në mes të javës tjetër për në Londër, me qëllimin e mirë për të negociuar në lidhje me bllokun e ri kërkimor të panaja+pjesa perëndimore e bllokut 5 në tokë. Ai do të takohet atje me persona të afërt me investitorë të mundshëm dhe me këtë rast do të dëshironte të kishte me vete përpara se të nisej kontratën e firmosur të “Phoenix” në lidhje me Panajanë. Një kopje e skanuar e versionit përfundimtar e ndihmon atë shumë. Të faleminderit. Ervin”. Të uroj rrugë të mbarë dhe befsh qejf. Të fala. Ervin”.
Në 15 korrik 2014 Klodian Zoto i dërgon një e-mail, Ervin Lula dhe Klodian Gradecit me titull “kontrata e gazit”. Me këtë e-mail, Klodian Zoto bën sugjerimet e tij në lidhje me kontratën e furnizimit të gazit, ku njëra nga palët është shoqëria “Phoenix Petroleum sh.a”.
Dokumenti bashkëngjitur e-mailit, ka titullin “Kontratë furnizimi me gaz” dhe paraqet një draft-kontratë dhe ndonëse e paplotësuar në të dhënat e saj, parashikohet se njëra nga palët e kontratës së shit-blerjes së gazit do jetë kompania “Phoenix Petroleum sh.a” në cilësinë e shitësit si dhe pala tjetër blerësi nuk ishte saktësuar ende.
Por në E-mailin e datës 6 janar 2015, me dërgues Klodian Gradecin, drejtuar adresave të Isufit, Klodian Zoto dhe Denisa Tollkacit me titull “Kontrata për Divjakën”, “Draft Kontrata për Gazin Divjakë.
Teksti i këtij e-maili i drejtohet Isufit, të cilit i thuhet se puna e tij (Klodian Gradecit) ishte deri në këtë pikë e se më pas do rikthehet pasi të kenë rënë dakord palët e të vijohet me pjesët që nuk lidhen me kontraktorin.
Njëherësh Gradeci shton në këtë e-mail se ai që do të ndihmojë e përfaqësojë Loranin për pjesën juridike, është juristi i quajtur Klodian Zoto, me nr telefoni 0682000XXX.
Në dokumentin draft-kontrata, ka si palë “Phoenix Petroleum sha”, përfaqësuar nga administratori Naim Kasa,aktualisht i pandehur si dhe “C.G.C shpk”, me administrator shtetasin Loran Dusha dhe pronare fillestare Stela Gugallja, pasuar nga Ilir Dedja dhe më pas Mirel Mërtiri.
Adrresa e shoqërisë “C.G.C shpk”, si dhe adresa e zyrës së saj ndodhet në “Sky Tower, zyra nr.13/2”.
Sipas dosjes së SPAK, kompania “C.G.C” Sh.p.k me objekt aktiviteti: “Ngritje laboratorësh, investim import eksport te materialeve te ndryshëm”, është themeluar në datën 28 tetor 2013, nga Stela Gugallja me 100% të kapitalit.
Më 25 qershor 2015, me anë të kontratës së shitjes së kuotave Stela Gugallja transferon 100 për qind të kuotave nëpërmjet shitjes tek ortaku i ri, Ilir Dedja.
Në 28 shkurt 2017, me vendim të ortakut te vetëm, u largua nga detyra administratori i shoqërisë Loran Dusha dhe u emërua si administrator i ri, Mirel Mertiri.
Por në 15 tetor 2019, me anë të kontratës së shitjes se kuotave Ilir Dedja shet 70 për qind të aksioneve në favor te shoqërisë së inceneratorëve “Integrated Technology Services”. Më 22 Maj 2021, me anë të kontratës se shitjes së kuotave Ilir Dedja shet dhe 30 për qind të kuotave në favor të ortakut tjetër, shoqërisë “Integrated Technology Services”, kundrejt çmimit 100 mijë euro. Por nga verifikimet që SPAK ka kryer në sistemin tatimor kjo shoqëri nuk rezulton të pasur aktivitet tregtar. “…punonjësit e shoqërisë janë njerëz të afërt të Mirel Mertiri si shtetasja Sevi Zani, Merila Luga dhe Arjola Kodra…”-thotë SPAK./Ditar.al
Discussion about this post