Ajo që ka bërë trajneri spanjoll Josep Guardiola gjatë dy dekadave të fundit, është me të vërtetë për t’u admiruar. Nga fillimet e tij, te Barcelona B e deri te Manchester City, këtë sezon, tekniku ka bërë epokë, me trofetë e shumtë të fituar si dhe me lojën e bukur që skuadrat nën drejtimin e tij, kanë ofruar në fushë.
Këtë fundjavë, erdhi titulli i pestë kampion i Anglisë, për trajnerin nga Katalunja. Skuadra e tij, në fakt, nuk kishte nevojë të zbriste në fushë, sepse rivali për titull, Arsenali, “mendoi shumë mirë” që të mposhtej nga Nottingham Forest, gjatë pasdites së djeshme (20 maj).
Tashmë takimi me Chelsean, do shërbejë, për të marrë ‘gardën e nderit’ nga kundërshtari.
Zotësia në pankinë e Guardiolës, nuk vihet në diskutim e ata që e bëjnë këtë gjë, më mirë të mos shohin më futboll. Megjithatë, ka diçka që e ka bërë të dallohet ish-mesfushorin e Barcelonës, nga pjesa tjetër e kolegëve të tij.
Guardiola që nga fillimi i karrierës si trajner, ka drejtuar vetëm klube elitare dhe me “portofolin plot”.
Te Barcelona e epokës së artë (2008-2012), ekipi ka funksionuar në perfeksion falë super talenteve, të dalë nga La Masia, ku më të dalluarit ishin lojtarë si Puyol, Xavi, Iniesta dhe mbi të gjithë Messi. Me atë super skuadër, Pep fitoi çdo trofe të mundshëm, nga Kupa e Mbretit e deri te UEFA Champions League, duke rishkruar historinë e klubit blaugrana.
Pas aventurës si teknik i klubit të tij të zemrës, “mjeshtri”, në vitin 2013, vendosi që të merrte drejtimin e Bayernit të Mynihut, klubi rekordmen gjerman që sapo kishte fituar tripletën me Jupp Heynkes. Detyra e Guardiolës ishte që të barazonte rekordin e paraardhësit të tij, detyrë e lehtë, sipas bookmakersave, duke parë që Guardiola ishte në drejtimin e klubit më të fortë në Gjermani e në Europë.
Pavarësisht “mirëseardhjes” së bukur që i ofroi Klopp dhe Dortmundi i tij në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë (fitore e verdhezinjve 4-1 ndaj rivalëve nga Bavaria), Bayerni triumfoi në Superkupën UEFA dhe në Botërorin e Klubeve. Natyrisht, në Bundesliga, u respektuan parashikimet, me titullin kampion që nuk u vu kurrë, në diskutim.
Në Champions League ama, gjërat nuk shkuan mirë. Reali i Madridit, i drejtuar nga Carlo Ancelotti dhe nën udhëheqjen e Cristiano Ronaldos, jo vetëm që ndali bavarezët në gjysmëfinale por, i turpëroi brenda në Allianz Arena, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 5-0.
Por, Pep ka garancinë e një projekti afatgjatë, kështu që nuk i rrezikohet vendi i punës. Sezoni i dytë në Gjermani, është 100% fotokopje e sezonit të parë, Bayern dominon në kampionat nga fillimi deri në fund, fiton Kupën e Gjermanisë dhe… turpërohet në gjysmëfinale të Champions League, kësaj radhe nga ish-klubi i tij, Barcelona (humbje 3-0 në Camp Nou, fitore 3-2 në Bavari).
Mungesa e suksesit në Europë, po fillon të vërë në dyshim, zotësinë e teknikut nga Santpedori, megjithatë Bayern e rikonfirmon “heroin” tonë.
I treti sezon në Bavari për Pep megjithatë, duket se stili i lojës, tiki-taka, nuk po shihet më me sy të mirë nga tifozët e, mbi të gjitha, nga drejtuesit.
Në një klub si Bayern, duke parë diferencën në buxhet e në talent, me klubet e tjera të vendit, suksesi në kampionat e në kupë, nuk shihet si një gjë e madhe, prandaj, duhet fituar një Champions, për t’i mbyllur gojën kritikëve. Epo, përsëri, Guardiola dështon, në arenën europiane, përsëri në gjysmëfinale dhe përsëri përballë një klubi të La Ligas (kësaj radhe e eliminon Atletico e Madridit).
Vjen titulli i tretë kampion në Gjermani por, drejtuesit panë mjaftueshëm, duke e falenderuar për punën e mirë dhe duke i uruar gjithë të mirat në aventurat e tij të radhës.
Pas aventurës, pa shumë probleme, në Gjermani, për “ekspertin” tonë, vjen momenti për të marrë drejtimin e një klubi ambicioz që kërkon të bëhet pjesë e historisë së futbollit europian e botëror. Manchester City i sheikëve, një klub që nuk e ka problem paranë dhe Guardiola, nuk mund të kërkonte më shumë nga jeta.
Mundësia për të dominuar në futbollin anglez, me petro-dollarët, që janë një armë plus për strategun spanjoll megjithatë, viti i parë në ishull, është një katastrofë. 0 tituj për Man. Cityn e tij (hera e parë në karrierën e tij si trajner), me eliminim në 1/8 përballë Monacos së Mbappe që ishte poshtërimi absolut për Guardiolën.
Mediat angleze, të cilat, në raste të tilla, nuk e humbin mundësinë, nuk u kursyen aspak në kritikat ndaj Guardiolës, duke i përmendur edhe faktin se Champions Leaguen “e ka fituar vetëm falë Messit, Xavit e Iniestës”.
Pavarësisht sezonit falimentar, pronarët e “Citizens” nuk u demoralizuan, duke filluar menjëherë punën për sezonin 2017-2018, me Guardiolën që kishte mundësi të shfrenonte fantazinë përsa i përket lojtarëve që donte të blinte. Buxheti, fundja, ishte “i pa limituar” e kjo lejonte që të bliheshin lojtarët më të mirë në treg, duke u paguar, pse jo, me dyfishin e vlerës reale, pa iu dridhur dora sheikut Al Mubarak (ëndrra e çdo trajneri).
Me këto shpenzime, duhej fituar të paktën një trofe dhe City, nuk zhgënjeu, duke fituar titullin e Premier League, i pari për katalanasin, me sezonin që u mbyll edhe me fitimin e Kupës së Ligës por, në Champions, gjërat nuk shkuan mirë.
Pasi kaloi 1/8, në çerekfinale u shfaq, Liverpooli i Jurgen Klopp (finalist eventual i kompeticionit). Duke parë diferencën mes dy skuadrave në kampionat, pritej që të ishte “bukë e djathë” për “Sky Blues” por, Klopp e banda e tij, i kishin bërë mirë llogaritë, duke e eliminuar, jo pa polemika, ekipin e dytë të Mançesterit, nga turneu.
Sezoni 2018-2019, mund të cilësohet, deri tani, si më i suksesshmi i Guardiolës, në drejtimin e Manchester City, me klubin që arriti të fitojë tripletën kombëtare (Premier League, FA Cup, EFL Cup, pa llogaritur Community Shield).
Megjithatë, problemet, hasen përsëri në Europë. Pa kalimit të 1/8, duke dominuar ndaj Schalke 04, në çerekfinale, është përsëri një angleze që nxjerr jashtë lojë ‘multimiarderët’ nga kompeticioni… Tottenhami i Mauricio Pochetinos, duke luajtur futbollin më mbrojtës që mund të ekzistojë.
Duket se, Champions League, është e mallkuar për “protagonistin tonë”, i cili nuk po gjen sekretin e thyerjes së mallkimit (sipas teorive konspirative, është Yaya Toure që nuk e lë të fitojë më Championsin).
Sezoni 2019-2020, sezoni famëkeq, për shkak të COVID-19, ishte një dështim, me luftën për titullin kampion që u dominua plotësisht nga Liverpool, që nuk e vuri aspak në diskutim triumfin në Premier League. Forcat u përqëndruan te Champions League, e cila, atë vit, u luajt në gusht, me një sistem “Final-Eight”, në Lisbonë dhe pa tifozë.
Për Cityn, përsëri një katastrofë, kësaj radhe, akoma më kolosale. “Qytetarët” u eliminuan nga Olimpik Lioni i Francës, që nuk ishte më ajo superfuqi që kishte dominuar, për një dekadë, në Ligue 1, megjithatë kishte cinizmin e mjaftueshëm për të nxjerrë jashtë Guardiolën e petro-dollarët e tij nga kompeticioni.
Në sezonin e “stadiumeve të heshtur” (2020-2021), City tashmë, kishte vetëm një objektiv madhor, fitimin e Champions League. Duke përfituar nga rënia në formë e kampionëve në fuqi, Liverpoolit, Guardiola dhe banda e tij, përfituan në maksimum, duke treguar që ishin ata skuadra që duhej mposhtur. Pas një starti të komplikuar, Premier League u dominua plotësisht, me Cityn që fitoi titullin e shtatë kampion, si dhe Kupën e Ligës.
Në Champions, e njëjta histori por, me një ndryshim, Guardiola arriti, më në fund që të kualifikohej për në finale (finalja e parë e Champions, për Pep Guardiolën, që nga largimi prej Barcelonës). Në takimin më të rëndësishëm të sezonit, çdo gjë shkoi ters. Pavarësisht se ishte favorit absolut, City dështoi të fitonte trofeun, përballë Chelseat të Tuchel, i cili goditi vetëm një herë, mjaftueshëm për të dërguar kupën drejt Londrës.
Zhgënjimi, për finalen e humbur, ishte i madh por, sezoni i radhës fillon shpejt e nuk ka kohë për të humbur. Sheiku Mansur, i plotëson çdo dëshirë teknikut, në lidhje me merkaton, mjafton që Guardiola “të hapë gojën” e dëshira e tij plotësohet. Sezoni 2021-2022, ishte spektakolar, përsa i përket luftës për titullin kampion.
Liverpooli, ndryshe nga sezoni i mëparshëm, rezultoi kockë e fortë, me Cityn që e fitoi kampionatin, vetëm falë fitores, shumë të vuajtur, në javën e fundit kundër Aston Villas. Në fund, rezultoi të ishte trofeu i vetëm i sezonit, sepse në kupa, City, nuk arriti të triumfonte. Në Europë, gjithashtu, nuk pati festë, me “Citizens” që, një hap larg finales, u eliminuan në mënyrë dramatike dhe të pabesueshme, nga Reali i Madridit, që atë vit, ishte me të vërtetë, i bekuar nga “Dikush Atje Lart”.
Eliminimi nuk u përjetua mirë nga tifozët e City si dhe tifozët personalë të Guardiolës. Por, mos harrojmë, që tekniku ka një fat të madh, që vendi i punës nuk i rrezikohet, pavarësisht ndonjë dështimi “të vogël” plus, portofoli i sheikut i plotëson çdo dëshirë.
Fiks në temë, Guardiolës i bëhet dhuratë, sulmuesi i momentit, një “dollap” nga Norvegjia që golin e shënon sikur të ishte duke pirë një gotë ujë. Ai është Erling Braut Håland, i cili në vitin e tij të parë në elitën e futbollit anglez, e bën kampionatin më kompetitiv në Europë, të duket si një ligë amatore, falë lehtësisë në realizimin e golave. Guardiola përfiton në maksimum, nga saktësia e Håland, pa harruar gjithashtu dhe Julian Alvarez, rezerva e norvegjezit, që sa herë aktivizohet, është e sigurt që do shënojë.
Gjatë gjithë sezonit 2022-2023, Arsenali, për habinë e të gjithëve, qëndroi në krye, duke dhënë përshtypjen se shpenzimet e çmendura të City, në merkato, shkuan dëm. Megjithatë, Guardiola, ka ekipin më të pasur, me një diferencë kolosale nga rivali, duke qenë kështu i aftë për të bërë një rotacion cilësor. Ky ishte çelësi i suksesit për Manchester Cityn, në garën e këtij sezoni, përballë një Arsenali që pas shumë muajsh në krye, u detyrua që të hapte krahun, në favor të “Sky Blues”.
Për Guardiolën, duket se tashmë është momenti perfekt për të fituar tripletën edhe jashtë Barcelonës. Me titullin kampion, në kasafortë, tashmë radha është për të fituar FA Cup (në finale përballë Man. United) si dhe UEFA Champions League, ku pas një rrugëtimi fantastik, të dominuar ndaj ekipeve si Leipzig, Bayern dhe Real Madrid, duhet bërë hapi i fundit në finale përballë Interit, që në letër, duhet të jetë, thjesht një “sparring partner”.
Historia ama, na ka treguar se ndeshjet, sidomos finalet nuk fitohen në letër, prandaj, në Mançester shpresojnë, që Guardiola të mos bëjë të njëjtin gabim që bëri ndaj Chelseat, dy sezone më parë, ose do të ishte një gabim fatal për të, sidomos prej investimeve gjigande, që janë bërë nga klubi.
Si përfundim, Guardiola (pavarësisht verdiktit të finales së Championsit) do të mbahet mend si një trajner revolucionar, i aftë për të bërë skuadrat e tij, të luajnë një futboll “shampanjë”. Nga ana tjetër, duhet thënë se, për të kapur majat, nuk i është dashur të vuajë shumë, duke parë se, që në fillim të karrierës si trajner, ai ka patur në dispozicion, futbollistë të një niveli super-elitar, në klube që kishin mundësitë ekonomike për të plotësuar çdo “tekë” të tijën. Këtë gjë, nuk mund ta thonë kolegët e tij. Besojmë se në të ardhmen do të ekzistojë shprehja “Paç fatin e Guardiolës”./m.b /gijotina.com
Discussion about this post