Përpos pagimit të faturës së dritave çdo muaj, së bashku me taksat, qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë edhe faturën e kripur të importit të energjisë elektrike.
Pavarësisht se prodhimi i energjisë në vend është më i lartë se konsumi i popullatës, ai shitet kur ka prurje të mëdha për shkak nuk mund të ruhen rezerva.
Plot 385 milionë euro është fatura e importit të energjisë elektrike nga tregu i huaj gjatë vitit 2022, me një rritje prej më shumë se 40% në raport me vlerën e importeve të vitit 2021, e cila ishte 228 milionë euro.
Por a është menaxhuar siç duhet kriza energjetike?
Qeveria thotë se kriza është menaxhuar me sukses, opozitat dhe shumë ekspertë flasin për keqmenaxhim, ndërsa Instituti i Statistikave dëshon se përpos rënies së prodhimit gjatë verës qeveria ka shitur energji.
Konkretisht sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit energjia elektrike në dispozicion u ul me 8.9%. gjatë periudhës korrik-shtator importi bruto i energjisë ka qenë 1.142 gigavat orë nga 975 gigavat që ishte në të njëjtin tremujor në 2021.
Nga ana tjetër eksporti i energjisë është rritur me 2.1 herë pasi gjatë tre muajve të verës janë eksportuar 670 gigavat orë nga 323 gigavat që u eksportuan në 2021.
Në tabelën e mësipërme të Instat vihet re që në këtë vit krize eksporti i energjisë ka qenë edhe më i lartë në 5 vite duke tejkaluar edhe eksportet e vitit të lagësht të 2018-ës.
Këto shifra ngrenë një pikëpyetje të madhe nëse ka menaxhim apo keqmenaxhim të krizës??
Hijet e dyshimit ngrihen edhe më shumë pasi në këtë 3-mujor ku vendi ka shitur energji dyfish më shumë se vjet, nga ana tjetër ka blerë rreth 180 milionë euro energji nga jashtë.
Një tjetër fakt që tregon për keqmenaxhim dhe jo menaxhim janë edhe vlerat me të cilat është blerë e shitur një megavat.
Konkretisht në procedurën e shitjes së energjisë të datave 22-24 nëntor 2022, vendi ka shitur 8040 megavat me çmime nga 73 euro deri në 101 euro për megavat. Ndërkohë çmimi i energjisë në bursën HUPX në këto data ishte nga 217-265 euro.
Ndërsa në tenderin për blerjen e energjisë elektrike për datat 14-20 nëntor 2022, KESH ka blerë 42,504 megavat energji me çmim mesatar 228.32 euro. Pra ka blerë me çmim dyfish deri trefish më shtrenjtë, sesa ka shitur.
Këtë diferencë në blerjen dhe shitjen e energjisë e ka ngritur si shqetësim edhe Konfindustria e cila thotë se mos fillimi i aktivitetit të Bursës Shqiptare të Energjisë APEX që ishte si afat nëntori 2022 dhe zvarritja e saj bëhet pikërisht që të përfitojnë grupet tregtare të përfshira shitje-blerjet e energjisë elektrike.
“Në ndryshim nga kompanitë publike të shteteve të BE në Shqipëri shitje-blerjet e energjisë kryhen vetëm nga ndërmjetësa/agjentë privatë, duke lënë hapur mundësitë për korrupsion. Aq më shumë hapsirat thellohen kur mungon Bursa e Energjisë si instrument shtesë i kërkuar edhe nga ndërkombëtarët”, thotë Kofindustria.
Në mesin e këtyre pikëpyetjeve eksperti për çështjet fiskale Eduard Gjokutaj thotë në një intervistë për “Gijotina” se duhet të nxirren fajtorët e kësaj situatë të krijuar në sektorin energjetik, pasi sipas tij është një fushë e përdorur për qëllime elektorale.
“Ekonomia e bazuar te energjia shqiptare është e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe një ndryshim në rritjen e çmimeve te tregut ndikon direkt ne performance e bizneseve dhe konsumit familjar. Duke pasur parasysh kontributin në rritje të këtij sektori në ekonomi dhe ekspozimin në rritje gjate vitit 2022 duket se nevojitet një nxjerrje e përgjegjësive dhe gabimeve të bëra ne vitet e fundit dhe nga ana tjetër te mos përsëriten të njëjtat gabime edhe ne te ardhmen. Ndërkohë, sektori energjetik është trajtuar në vijimësi si një pikë delikate e rëndësishme për interesat elektorale dhe kjo është e dukshme në mos liberalizimin e tregut, por edhe në ngrirjen e çmimit të energjisë për familjarët”, thotë Gjokutaj.
‘Paralajmërimi për fashën e energjisë, pse u tërhoq qeveria?’
E bindur se kriza e energjisë ishte e frikshme, pasi çmimet në bursë kapërcyen mbi 1000 euro qeveria paralajmëroi vendosjen e një fashe për konsumatorët familjarë me synim uljen e konsumit të energjisë.
Projekti i qeverisë synonte që të gjitha familjet që konsumonin mbi 800 kilovat do të paguanin 42 lekë/kilovat pa TVSH, ndërsa ata që konsumonin më pak se kjo fashë do të vazhdonin të paguanin 9.5 lekë/kilovat.
Shembull: familjet që harxhojnë 1000 kilovat në muaj me çmimin 9.5 lekë për kilovat që është aktualisht paguajnë në fund të muajit 11.400 lekë bashkë me TVSH-në. Kurse nëse vendosej fasha konsumatori familjar për 800 kilovatët do të vazhdojë të paguajë 9.5 lekë plus 20% TVSH, në total fatura shkon 9.120 lekë. Ndërsa për 200 kilovatët e tjera mbi fashën, qytetari do të paguaj 42 lekë për çdo kilovat, të cilat do të kushtojnë 10.080 lekë me TVSH. Me këtë fashë një faturë me konsum 1000 kilovat nuk do të kushtojë më 11.400 lekë me TVSH, si aktualisht por 19.200 lekë me TVSH.
Me argumentin se vendosja e fashës prekte familjet e pasura dhe se ishte e domosdoshme për uljen e konsumit të energjisë, dhe nga ana tjetër ndërgjegjësonte qytetarët që të mos abuzonin, propozimi i qeverisë u miratua nga Enti Rregullator i Energjisë më 23 shtator dhe hynte në fuqi më 1 tetor. Por më 30 shtator kryeministri Edi Rama njoftoi se fasha shtyhet për në nëntor pasi ka pasur reshje dhe ka rënë konsumi.
Por a ishin vërtetë këto arsyet?
Sipas ekspertit Gjokutaj qeveria u tërhoq nga fasha e energjisë për shkak të “revoltës” se grupeve të interesit, qytetarëve dhe bizneseve. Vendosja e fashës, sipas tij, do të kishte kosto politike për PS pasi jemi përballë zgjedhjeve vendore të 14 majit.
“Vendimi për shkallëzimin e çmimit të energjisë në fasha ishte i nxituar dhe i pakonsultuar dhe si i tillë u kundërshtua me të drejtë. Përballë këtij presioni nga gjithë grupet e interesit, si dhe ne një rritje të vullnetit qytetar për të refuzuar këtë politikë, qeveria u detyrua të tërhiqet, me së shumti e ndikuar nga kostot politike që përkthehen në humbje të elektoratit në zgjedhjet e radhës”, pohon eksperti.
Ndër të tjera Gjokutaj thotë se Shqipërisë i duhet një politikë e re për reformat që kanë ngecur dhe të diversifikohet sektori
“Një moment reflektimi përveç sa me lart janë vijimi me një energji te re politike për reformat e ngecura dhe qe kërkojnë një gjithëpërfshirje te grupeve te interesit. Shqipëria nuk përdor gaz natyror as për ngrohje, as për procese industriale. Brenda vendit, prodhon energji elektrike tërësisht nga hidrocentralet, por kushtet e pafavorshme të motit mund të krijojnë mungesa të konsiderueshme të energjisë. Në rast të një mbylljeje totale të gazit rus, Shqipëria mund të ndikohet nga çmimet shumë më të larta për energjinë elektrike të importuar”, tha Gjokutaj.
Pavarësisht propagandës së qeverisë se ka zhvillim tek prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme shifrat zbehin fjalët. Sipas INSTAT nga fotovoltaikët është garantuar vetëm 1.5% e prodhimit neto të energjisë elektrike në vend.
Discussion about this post