Në 17 Janar 2023, Ivzi Hoxha dhe banorë të tjerë të rrugës “5 Maji” në Tiranë, u zgjuan nën zhurmën e fadromave të Bashkisë së Tiranës dhe qindra forcave të Policisë së Shtetit, të cilat kishin mbërritur aty për të prishuar pallatin nr,4. I cili, sipas letrave të kryebashkiakut Erion Veliaj, ishte dëmtuar shumë nga tërmeti. Banorët e kundërshtuan për orë të tëra operacionin policor dhe të Inspektoratit Ndërtimor. Duke deklaruar publikisht se pallati nuk ishte në gjendje aq të keqe dhe se Veliaj po ua prishte shtëpitë për t’i hapur rrugën kullave për oligarkët e ndërtimit pranë tij. Reagimi i banorëve ishte i pafuqishëm përballë forcës së shtetit dhe qytetarët u mblodhën një ditë më pas, në 19 janar, para Bashkisë së Tiranës, ku zhvilluan protestë kundër vendimeve të institucioneve për prishjen e pallatit.
Ivzi Hoxha, si edhe të tjerët, ishte në gjendje të rënduar psikologjike, pasi po shihte se si mjetet e rënda të Bashkisë së Veliajt po i shkatërronin para syve banesën. Ivziut shfaqet në kamerën e televizionit “Ora News” dhe, i tronditur siç ishte, shan me fjalë të rënda kryeministrin Edi Rama, duke i përmendur djalin e vogël, Zahon.
Fjalët e Ivzi Hoxhës nuk u shpëtuan monitoruesve të Policisë së Shtetit.
Oficerë të Policisë Gjyqësore kqyrën menjëherë pamjet e publikuara nga televizioni dhe regjistruan procedimin penal ndaj Ivzi Hoxhës për “Kanosje për shkak të detyrës” ndaj kryeministrit Rama. Menjëherë u krye arrestimi në flagrancë i 61-vjeçarit dhe rasti iu përcoll Prokurorisë së Tiranës. Kjo e fundit, me të njëjtin zell si edhe Policia, dërgoi në Gjykatë kërkesën për “arrest me burg” ndaj banorit të “5 Majit”.
Gjykata e Tiranës caktoi masë sigurimi “arrest në shtëpi” për Ivzi Hoxhën. Ky i fundit e dërgoi çështjen në Apel, duke deklaruar se nuk kishte asnjë lloj rrezikshmërie dhe se fjalët e rënda që i drejtoi Edi Ramës ishin thjesht mllef i akumuluar nga mërzia për prishjen e shtëpisë. Gjykata e Apelit të Tiranës nuk ka pranuar argumentat e personit të dyshuar, duke lënë në fuqi masën “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve.
Ngjarja
Më datën 19.01.2023, rreth orës 10.15, shtetasi Ivzi Hoxha, i ndodhur para zyrave të Bashkisë Tiranë në Sheshin “Skënderbej”, ka kërcënuar publikisht djalin e mitur të Kryeministrit e Republikës së Shqipërisë gjatë intervistës për televizionin “Ora News”. Nga ana e policisë gjyqësore janë kryer veprimet e para hetimore hetimore.
Me marrjen e njoftimit për kryerjen e veprës penale, nga ana e agjentëve të policisë gjyqësore është mbajtur proces-verbali “I kapjes në flagrancë” dhe është shoqëruar shtetasi Ivzi Hoxha në Komisariatin e Policisë Nr. 1. Në kuadër të veprimeve hetimore paraprake të kryera prej oficerit të policisë gjyqësore është mbajtur proces-verbal “I kqyrjes marrjes së pamjeve filmike”, nga përmbajtja e të cilit rezulton se shtetasi Ivzi Hoxha kërcënon Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe familjarët e tij.
Nga përmbajtja e proces-verbalit rezulton si vijon: “… I them Edi Ramës bëji llogaritë mirë sepse unë nuk dua të dal deri tek ekstremi, dua t’i them se edhe djalin Zahon do ta varim, Zahon, Zahon, do ta therim, unë nuk e njoh derën e policisë, ky më detyron mua të dal deri këtu”.
Policia Gjyqësore ka vijuar veprimet e para dhe nga ana e saj është mbajtur procesverbal i kqyrje-marrjes së dokumentave të pronësisë dhe vendimit gjyqësor nr. 2533 datë 24.03.2022.
Nga përmbajtja e këtyre dokumentave rezulton se shtetasi Ivzi Hoxha bën pjesë tek subjektet e shpronësuara nga ana e Bashkisë Tiranë eshte pronar i pasurise nr. 1/46/ND, zk 8120, lloji ndërtesë, me sipërfaqe 135 m2, ndodhur në rrugën “Njazi Meka”, vërtetuar me çertifikatë pronësie lëshuar nga Drejtoria Vendore e ASHKK-Tirana Veri.
Gjithashtu, paditësi Ivzi Hoxha është posedues i objektit në proces legalizimi tre kate me sipërfaqe totale ndërtimi 505 m2.
Lidhur me këto objekte të poseduara nga i arrestuari janë ndjekur procedurat e shpronësimit në kuadër të projekteve të rindërtimit, të cilin ai e ka kundërshtuar gjyqësisht.
Në datën 19.01.2022, nga ana e policisë gjyqësore, është mbajtur proces-verbali “Për marrjen e të dhënave nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetime”, në të cilin shtetasi Ivzi Hoxha ka deklaruar se, ‘ka dalë për të protestuar për të drejtat e tij. Ka qënë shumë i stresuar për shkak të problemeve dhe konflikteve me Bashkinë Tiranë për pronësinë e banesës së tij në rrugën “5 Maji”, Tiranë. Konkretisht, Bashkia Tiranë po ndërton disa pallate në pronën e tij në Allias, tek “Ura e Babrroit”, për të strehuar të dëmtuarit nga tërmeti.’
Më datë 19.01.2023, ora 19:00, me iniciativë të Policisë Gjyqësore, është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit Ivzi Hoxha, si i dyshuar për veprën “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 238/2 i Kodit Penal.
Lexo edhe:EMRI/ Kërcënoi djalin e Edi Ramës, arrestohet banori i 5 Majit
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post