Kukësi synon të mos mbahet më vetëm me lojtarë të importuar nga ekipet e tjera, si brenda, edhe jashtë vendit. Tani duket se ka nisur të mendojë seriozisht edhe për futbollistët, që rriten tek akademia e klubit dhe më pas të integrohen edhe në ekipin e parë.
Rastet pozitive nuk mungojnë, me futbollistët, që kanë arritur të gjejnë një vend të rëndësishëm në skuadër dhe të tjerë që po presin shansin e tyre, pse jo për të shpërthyer. Këtë sezon, janë plot gjashtë futbollistë që u është dhënë mundësia nga trajneri Hallaçi për të dhënë kontributin e tyre në skuadër, me disa prej tyre, që kanë bindur dhe shihen si pjesë e projektit edhe në vazhdim.
TË AFIRMUARIT – Edhe pse 22-vjeçarë, mund të thuhet se janë të afirmuar në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për mbrojtësin Altin Bytyçi dhe mesfushorin e avancuar, Ergys Peposhi. I pari ka plot 1607 minuta në këmbët e tij në 22 ndeshje dhe së fundmi ka arritur të marrë edhe një vend titullari në ekipin e parë, ku madje ka shënuar edhe një gol. Më herët ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U-19 të Kosovës. Peposhi, pasi provoi aventurën me Elbasanin në Kategorinë e Parë, u thirr nga Kukësi për te moshat dhe më pas bëri ngjitjen në ekipin e parë. Ai numëron 616 minuta këtë sezon dhe 19 prezenca në lojë, duke qenë shpeshherë një alternativë e vlefshme në krahët e sulmit. Më herët, ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses Shpresa të vendit tonë. Për fat të keq, këtyre dy lojtarëve u mbaron kontrata me përfundimin e kampionatit, me klubin, i cili duhet të marrë masa nëse dëshiron që në fund të sezonit të mos “peshkohen” nga ekipe të tjera dhe të largohen pa përfituar asgjë. Gjithsesi, misioni nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi verilindorët duhet që t’i sigurojnë minuta të rregullta.
PRESIN SHANSIN – Edhe pse me pak minuta në dispozicion, Rraman Hallaçi është përpjekur t’i integrojë në lojë dhe kanë marrë përgëzimet e tij. Fluturim Domi numëron 178 minuta në gjashtë prezenca këtë sezon, ndërsa Eogen Sula në tetë takime ka mundur të luajë 110 minuta në total. Lista vijon me nigerianin e afruar këtë merkato, Daniel Momoh, i cili ka marrë besimin e trajnerit në tri takime, me 79 minuta në total, duke bërë paraqitje të mira. I fundit në këtë listë është Endri Murati, me 21- vjeçarin, që është aktivizuar gjithsej 42 minuta në dy ndeshje. Kampionati ka edhe 10 ndeshje ende dhe mbetet për t’u parë nëse ndonjë tjetër lojtar që vjen nga akademia do të ketë minutat e tij në dispozicion.
/Panorama
Discussion about this post