Nga Zeno Jahaj
Polifonia popullore shqiptare, dallueshëm nga polifoni popullore të shumë shteteve të tjera, përbën një institucion shpirtëror të përmasës kombëtare të shqiptarëve. Si e tillë, krejt ligjshëm, ka vendin e vet ndër institucionet e tjera dhe, të gjitha së bashku, përbëjnë shtyllat e identitetit kombëtar.
Pyeten dhe duhet të pyeten njësoj, si institucione përfaqësuese, brenda e jashtë vendit, deri në UNESCO, agjenci e OKB-së, e mandatuar prej saj të certifikojë trashëgiminë e identiteteve kulturore të kombeve, midis tyre edhe polifonive, e cilësuar, për këtë arsye, si “Ndërgjegjja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Por me habi dhe indinjatë, vërejmë se regjistrimi në UNESCO i Polifonisë Popullore Shqiptare, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, është bërë me kosto antihistorike, antishkencore dhe që tjetërson identitetin e Kombit Shqiptar.
Në faqen zyrtare elektronike të UNESCO-s (shih linkun: https:// ich.unesco.org/en/lists), nga 16 shtete, që kanë regjistruar, kush një e kush dy polifoni secili, përkatësisht Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Kroacia, Franca, Gjeorgjia, Estonia, Lituania, Portugalia, Ukraina, Algjeria, Kina, Republika e Afrikës Qendrore dhe Tonga, vetëm polifonia shqiptare është regjistruar me emrin “Iso-Polifoni”. Polifonitë e vendeve të tjera janë regjistruar vetëm me emrin “Polifoni”, edhe pse të gjitha këndohen me “iso”. Pse kjo ndarje e “Iso”-s nga Polifonia dhe pse vetëm Shqipëria?
Në një video ku duket një grup prej gjashtë këngëtarësh, e titulluar “The Albanian Iso-Polyphony”, e përfshirë edhe kjo nën logon zyrtare të UNESCO-s, me titra në gjuhën angleze, e lëshuar në emër të Republikës së Shqipërisë nga Radio-Televizioni Shqiptar dhe “Këshilli i Muzikës Shqiptare” (shih linkun: https://www.unesco.org/archives/multimedia/document-610), komentohet se e ashtuquajtura “Iso-Polifoni” kushtëzohet nga mitologjia e sirenave. Por një argument historik dhe shkencor na thotë se mitologjitë nuk krijojnë popuj. Përkundrazi.
Janë popujt që krijojnë mitologji. Por edhe sikur të pranojmë logjikën antilogjike, që mitologjitë krijojnë popuj, atëherë përse duhet që etnosi shqiptar, të shkonte në detëra për të mësuar të këndojë kur ai ka mitologji të posaçme për zërat dhe këngët, siç janë shtojzovallet, zanat, orët, të bukurat e dheut etj. Duket se ndarja e iso-s veç nga Polifonia ka për qëllim shpërbërjen e polifonisë, që pastaj të lërë dorë të lirë për ta transferuar origjinën e isos diku larg trojeve shqiptare. Në faqen zyrtare elektronike të UNESCO, (shih linkun UNESCO – Albanian folk iso-polyphony), në referencën “Iso-Polifonia Popullore Shqiptare”, prezantohet, midis të tjerash, se: “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine.” Po në këtë faqe, pas klikimit mbi fotografinë, ku duket një grup prej shtatë këngëtarësh, shkruhet, në tre gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht:
“E prejardhur nga muzika kishtare bizantine, iso-polifonia shqiptare…”. Historikisht, Kisha Bizantine u evidentua si e tillë në vitin e Çarjes së Madhe midis dy kishave perëndimore e lindore (v.1054 i erës sonë), domethënë në shekullin e 11-të. Atëherë, sipas tezës se termi “iso” i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine, i bie që populli shqiptar paska vetëm nëntë shekuj jetë në këto troje ku është sot dhe, përpara këtij shekulli, ose nuk ka qenë fare popull, ose nuk ka qenë fare këtu ku është, ose ka qenë një popull nomad.
Për referencë dinjiteti shtetëror, le të shohim si i kanë prezantuar shtetet e tjerë, polifonitë e tyre, që kanë regjistruar në UNESCO, përkatësisht vetëm ata, të cilët dikur kanë qenë nën pushtetin administrativ të Perandorisë Bizantine: Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina. Vërejmë se asnjë prej tyre nuk e nxjerr origjinën e polifonisë së vet nga muzika kishtare Bizantine.
Madje, shteti gjeorgjian përcakton se “Himnet liturgjike Bizantine kanë thithur nga tradita polifonike gjeorgjiane, një masë të atillë, saqë tradita gjeorgjiane është bërë pjesë e rëndësishme e himneve liturgjike bizantine”. Ndërkohë, etno-muzikologë të shquar të nivelit botëror, të specializuar për këngën polifonike, nga të gjitha vendet e Europës, bashkohen në përfundimin se njeriu dhe popujt lindin e rriten me këngë dhe se polifonia është burim i çfarëdo muzike polifonike kishtare dhe i çfarëdo muzike polifonike profesionale.
Për këto arsye, dhe jo vetëm, pasqyrimi në UNESCO i këngës shumëzërëshe popullore shqiptare është një goditje ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve, me qëllim që populli shqiptar të prezantohet si popull shtegtar, i ardhur, jo i rrënjëve të këtushme. Autore e kësaj goditjeje është Ministria e Kulturës e Shqipërisë, sepse ajo përbën urën lidhëse institucionale midis institucionit shpirtëror të shqiptarëve që quhet “Kënga Shumëzërëshe Popullore Shqiptare” me institucionin certifikues që quhet “Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën” (UNESCO).
Kjo goditje ka mbi 15 vjet që nxin faqen shqiptare në UNESCO, ndërsa Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, seksioni përkatës në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe misioni diplomatik shqiptar në UNESCO, ose nuk dinë gjë, ose mendja të shkon se është bërë një pazar: më jep divorcin e iso-s nga polifonia, të të regjistroj këngën: më jep Toskërinë, të të jap Bizantin. Dhe pastaj, ndoshta pazari vijon: më mirë të mos ndihemi se na presin fondet ata të UNESCO-s, pa në djall të vejë populli, kënga, gjuha, dinjiteti kombëtar, të gjitha!
Është, do thosha, njësoj si pazari Otoman, që e përshkruan madhërisht Kadareja: “Mbaj kryqin, jep gjuhën shqipe. Mbaj kishën, jep Gjergj Kastriotin. Merr tituj, jep emrin shqiptar. Mbaj armën, jep kryqin!”. Si qytetar, i jam drejtuar dhe i drejtohem Ministrit të Kulturës: prisheni këtë pazar poshtërues! Heshtja do të thotë pajtim me goditjen që është bërë. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë do të thotë pranim, miratim, legalizim i atij prezantimi që është bërë në vitin 2005-2008, ku vetëm Shqipëria prezantohet kaq pështirë në UNESCO. Thoshte filozofi i madh Umberto Eko: “Doni ta shpronësoni përfundimisht një popull? Goditeni në identitetin kombëtar. Është mburoja e fundit e tij”.
Discussion about this post