Nga Bledi Dervishaj
Nëse vazhdohet kështu, asgjë të mirë nuk do mund të realizojmë. Do vazhdojmë të rishkruajmë, vit pas viti, e rast pas rasti, romanin e autorit francez Alexandre Dumas, duke futur në burg të pafajshëm si Edmond Dandes dhe duke i shndërruar ata në kont misterioz të Monte Kristos.
Sistemi ynë penitenciar gjithmonë ka vuajtur nga mbipopullimi, dhe përhera një nga shkaqet kryesore është ashpërsia ekstreme që aplikohet nga prokuroria dhe gjykatat gjatë fazës hetimore, ndaj personave të dyshuar si autor të mundshëm të veprave penale, fakt ky, që e përndjek fashikullin hetimor, por dhe personat nën hetim të lidhur me të deri në gjykimin përfundimtar me vendim të formës së prerë.
Situata e mbipopullimit në burgje, përherë ka evidentuar se në sistem ka pasur më shumë persona të paraburgosur se sa shtetas të dënuar me vendim të formës së prerë. Aktualisht psh, referuar statistikave të bëra publike prej Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve DPB (të datës 28 shkurt 2023) evidentohet një situatë ku:
Persona të paraburgosur me masë sigurimi “arrest në burg” janë 2641 shtetas – 54.2 %.Nga këta, statistika na evidenton se ne sistem të paraburgosur kemi:
– Të akuzuar për vjedhje – 409 persona
– Të akuzuar për vrasje – 250 persona
– Të akuzuar për plagosje – 39 persona
– Marrëdhënie seksuale me dhunë – 24 persona
– Të akuzuar për çështje droge – 783 persona
– Të akuzuar për organizatë kriminale- 22 persona
– Të akuzuar për mashtrim – 60 persona
– Të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni – 10 persona
– Të akuzuar për vepra të tjera – 1044 persona
- Persona të dënuar me vendim të formës së prerë janë 2236 shtetas ose 45.8 %. Nga këta, statistika na tregon se në sistem kemi:
– Të dënuar që u ka ngelur më pak se 1-vit – 94 persona
– Të dënuar që u ka ngelur nga 1- 3 vjet – 167 persona
– Të dënuar që u ka ngelur nga 3-5 vjet – 394 persona
– Të dënuar që u ka ngelur nga 5-10 vjet – 519 persona
– Të dënuar që u ka ngelur nga 10-20 vjet- 518 persona
– Të dënuar që u ka ngelur nga 20-25 vjet- 357 persona
– Të dënuar me burgim të përjetshëm- 187 persona
Pra duket qartë se kemi një raport të zhdrejtë, ku numri i personave (2641 shtetas) ndaj të cilëve po ekzekutohet masa e sigurimit “arrest në burg” kap shifrën e 54.2%, duke ia kaluar numrit të personave të dënuar me vendim të formës së prerë (2236 shtetas), 45.8 %.
Nëse i referohesh vjetarit statistikor ndër vite të Ministrisë së Drejtësisë apo statistikave aktuale dhe të përditësuara të DPB, rezulton se përpos faktorëve të tjerë, një nga shkaqet e mbipopullimit është dhe pikërisht mos aplikimi nga sistemi i drejtësisë i të gjitha mundësive dhe mekanizmave ligjor që ofron legjislacioni penal, lidhur me masat e sigurimit personal, si ato të karakterit shtrëngues apo ndalues.
Ndër masat e ndryshme shtrënguese si: ndalimi i daljes jashtë shtetit; detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore; ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar; garancia pasurore; arresti në shtëpi; dhe arresti në burg; apo i atyre me karakter ndalues si; pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik dhe ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste, sistemi ynë i drejtësisë (Prokuroria dhe Gjykata), është i “dashuruar” me aplikimin e masës “arrest në burg”.
Në pamje të parë, kjo lloj praktike ligjërisht do të thotë se, ose kemi një shoqëri aq shumë të kriminalizuar dhe të rrezikshme sa çdo masë tjetër sigurimi është e papërshtatshme për t’u aplikuar gjatë hetimeve paraprake, ose kemi ende një sistem premature të ndjekjes dhe gjykimit penal (Prokurori dhe Gjykata) që janë shumë, po shumë larg, respektimit të standardeve kushtetutese dhe atyre ndërkombëtare, të detyrueshme apo të rekomanduara për aplikim. Duke i shkelur apo duke anashkaluar nga këto parime themelore, Prokuroria dhe Gjykata aplikojnë masën ekstreme të sigurimit të “arrestit në burg”, nisur nga pamundësia e tyre për të garantuar veprimtari hetimore cilësore dhe prova të pakundërshtueshme në procesin penal, pa e patur gjendje, pra “të paketuar”, në paraburgim personin e dyshuar për një veprim që është i ndëshkueshëm penalisht.
Kjo nuk mund të thuhet për të gjithë, dhe për çdo vepër, por fakti është që sistemi i ndjekjes dhe përfaqësimit të akuzës penale në emër të shtetit (Prokuroria), rëndomë ka një prirje themelore për të kërkuar aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj çdokujt, dhe për çdo gjë, ndërkohë që sistemi gjyqësor, për arsye nga më të ndryshmet, duket se nuk e ushtron efektivisht rolin kontrollues dhe garantues të procesit të rregullt ligjor, duke pranuar apriori kërkesat e prokurorisë.
Dhe kështu, me kalimin e ditëve, muajve, viteve, sistemi ynë i burgjeve, popullohet me banorë, që nuk janë të detyruar të vuajnë një dënim të formës së prerë penal, por me shtetas të cilët, gjithmonë sipas ligjit, prezumohen se janë vendosur aty për të qenë në dispozicion të drejtësisë, e cila duhet të zbardhë të vërtetën, por që në shumë raste, nevojat e sigurimit, gjendja e procedimit, niveli i provueshmërisë së dyshimit të arsyeshëm, apo mënyra e mbledhjes së provave, marzhi i dënimit, dhe rrezikshmëria e veprës, apo rrethanat familjare, personaliteti, etj, janë të asaj natyre që nuk përligjin aspak aplikimin e “arrestit në burg”.
Kur kjo situatë rëndohet e rëndohet, derisa sistemi penitenciar nuk garanton dot respektimin e plotë të drejtave të tyre themelore, brenda mureve të burgjeve, dhe atëherë kjo detyron autoritetet qeverisëse dhe Kuvendin, të ndërhyjë që përpos të tjerave një herë në disa vjet të përdorin amnistinë si mjet për uljen e mbipopullimit në burgje, ndërkohë që qëllimet dhe parimet themelore mbi të cilat udhëhiqet dhënia e amistisë penale, nuk është ulja e mbipopullimit, por realizimi në praktikë i parimit të humanizmit të shtetit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, edukimit dhe rehabilitimit, si dhe mbrojtjes së interesit publik.
Realizimi i një amnistie penale nuk është aspak një tabu, përkundrazi, shteti përmes këtij ligji manifeston vullnetin e tij për humanizëm ndaj shtetasve të tij, dhe pavarësisht se bashkë me realizimin e saj mund të duket sikur përfitimi politik shkon në favor të shumicës qeverisëse, sërish kjo nuk mund të thuhet plotësisht, pasi projektligji i amnistisë që të bëhet realitet duhet të votohet me një shumicë votash (84), që kërkon edhe bashkëpunimin dhe dakordësimin e opozitës.
E megjithatë referuar shifrave si më sipër Amnistia edhe pse duhet bërë, mund ta lehtësojë mbipopullimin në burgje për 3 – 6 muaj por nuk e zgjidh problemin, i cili në vlerësimin tim qëndron tek kultura e vet gjyqësorit dhe prokurorisë.
Edhe pse reklamohet pa fund, se sistemi i drejtësisë po reformohet, po përmirësohet, për një drejtësi sa më afër të vërtetës, sërish fakti ngelet fakt, se numri i të paraburgosurve është më i lartë se të dënuarve, dhe gjithmonë duhet ndërhyrja e pushtetit legjislativ për zgjidhjen e problematikës së mbipopullimit. Ndërkohë që nga ana tjetër, është pushteti gjyqësor, pra ai i drejtësisë në tërësi (Prokurori dhe Gjykatë), ai që duhet, por që nuk po mundet prej dekadash, të zbatojnë një politikë penale, që orientohet dhe rekomandohet gjithmonë e më shumë drejt standarteve evropiane.
Në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, janë të përcaktuara shumë qartë se këto akte, bazohen në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve, si dhe të humanizmit dhe ku legjislacioni procedural penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të shtetit.
Në vijimësi, Kuvendi, ka realizuar ndërhyrje përmirësuese në paketën ligjore të drejtësisë penale. Kjo u vu re, dhe gjatë hartimit të paketës të ndryshimeve apo përmirësimeve ligjore që shoqëruan reformën kushtetuese në sistemin e drejtësisë, ku një pjesë e debatit politik, publik, profesional, që u zhvillua u orientua drejt promovimit të aplikimit të dënimeve alternative nga gjykatat, realizimit të një procesi hetimor dhe gjykimor penal, që garanton nga njëra anë vet procesin penal që zhvillohet, por që respekton dhe të drejtat, liritë themelore dhe respekton dinjitetin njerëzor.
Këto u përkthyen në ligje ndryshuese përmirësuese në këtë drejtim, që ofrojnë sot mundësitë e realizimit të një procesi hetimor të drejtë dhe proporcional midis interesit publik dhe respektimit të të drejtave themelore të individit subjekt procedimi penal.
Jo vetëm kaq, por prej dekadash, në shumë raporte, vendime, rekomandime, të organizmave ndërkombëtare rekomandues, apo vendimmarrës, këto të fundit, orientojnë se masa e “arrestit në burg” duhet të vendoset vetëm si mjet i fundit dhe në radhë të parë, dhe sa më shumë të jetë e mundur duhet të zbatohen masat jo nën ruajtje (pra, jo ato të paraburgimit).
Prej dekadash, Këshilli i Evropës, OSBE, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor dhe Poshtërues, si dhe gjithë përfaqësuesit e njësive të ekspertizës ligjore të përfaqësive diplomatike në vendin tonë, kanë dhënë kontributin e tyre mbështetës për shëndoshjen dhe sensibilizimin jo vetëm të burimeve njerëzore të sistemit të drejtësisë, por dhe të shoqërisë në tërësi në këtë drejtim. Shumë energji, dhe burime financiare janë harxhuar në këtë drejtim, me mijëra broshura, trajnime, konferenca, workshope, vizita studimore jashtë shtetit të magjistratëve, ekspertë të huaj dhe vendas kanë dhënë asistencën e tyre gjithmonë për të nxitur sa më shumë aplikimin e masave alternative qoftë të sigurimit personal gjatë hetimit, por dhe të dënimit penal.
Gjithmonë orientimi dhe sugjerimi është që “arresti në burg” si masa më ekstreme, të vlerësohet me kujdes, dhe të shihet nga gjyqësori si masa e fundit për aplikim dhe në ato raste kur çdo masë tjetër sigurimi është e papërshtatshme.
Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në shumë vendime të saj, ka arsyetuar mbi standartet dhe parashikimet e Konventës. GJEDNJ ka theksuar se:
“Nuk mjafton vetëm parashikimi i dënimit me burgim, qoftë ky i rëndë, për të vendosur në mënyrë automatike masën e sigurimit arrest në burg dhe referimi në vendimin gjyqësor vetëm në rëndësinë e veprës në ngarkim të të akuzuarit është i pamjaftueshëm për të justifikuar burgimin e tij. Autoritetet kur vendosin nëse një person duhet të lirohet ose të privohet nga liria janë të detyruara të konsiderojnë masat alternative për të siguruar paraqitjen e tyre në gjyq”.
Edhe pse për dekada, këto parime e njihen nga magjistratët tanë, edhe pse politikëbërësit përmes ligjit parashikojnë dhe promovojnë këto mjete të parashikuara nga ligji, edhe pse aplikantët e ligjit Avokatët në gjithë proceset penale që shqyrtohen masat e sigurimit personal, kërkojnë aplikim të masave të tjera apo më të buta të sigurimit, sërish ngelet fakt, se sistemi i drejtësisë , pra “drejtësia e re” (pas reformës) por dhe ajo e “vjetër” (para reformës), nuk shkëputet dot nga mentaliteti se masa e sigurimit më e mirë është ajo e “arrestit në burg”, duke e aplikuar atë rëndomë, në mënyrë jo proporcionale, jo në përputhje me nevojën dhe gjendjen e procesimit, dhe për fat të keq, në disa raste, me shkelje të rënda, në dëm të personit të ndaluar.
Pra në këtë drejtim, drejtësia, është reformuar vetëm sa i takon krijimit të ligjeve, por sa i takon aplikimit të tyre objektiv, nuk është zhvilluar dhe as ka evoluar, të paktën për t’u përpjekur që rast pas rasti të aplikojë ato që sugjerohen si standardi më i mirë në botën perëndimore. Drejtësia jonë, duke se ka ngecur, tek koha kur fajësia ishte e paracaktuar dhe prezumi i pafajësisë, as njihej si parim i drejtësisë penale.
Për fat të keq, në disa raste, gjatë aplikimit të padrejtë të arrestit në burg, personat e paraburgosur, kanë humbur dhe jetën. Edhe pse më pas, është vërtetuar ligjërisht se ata janë arrestuar krejtësisht në mënyrë të padrejtë, pa ndonjë dyshim të arsyeshëm dhe të bazuar në prova. Ka raste të tjera që personat e ndaluar kanë pretenduar përpara gjykatave dhe prokurorisë se ata e kanë vuajtur dënimin e tyre për të njëjtin fakt dhe vepër penale, por drejtësia nuk i dëgjoi, por i paragjykoi, e ndërkohë që qëndronin të paraburgosur, për fatin e tyre të keq, për arsye shëndetësore, ndonjë ka humbur jetën.
Po cilët janë faktorët real, që sistemi ynë penal, nuk po shkëputet dot, nga aplikimi me preferencë të parë, “arrestin në burg”, edhe pse kjo masë sigurimi duhet të ishte e fundit mundësi për tu aplikuar!?
Në opinionin e përgjithshëm të shprehur nga shumë profesionistë të së drejtës, aplikues të ligjit, sociologë, analistë, etj. evidentohet se ka shumë faktorë, por më së shumti, për shkak se institucionet tona të drejtësisë janë ende shumë larg garantimit të standarteve gjatë realizimit të ndjekjes penale apo procesit gjyqësor penal.
Aplikimi me shumicë i masës së sigurimit “arrest në burg”, më shumë të duket sikur përdoret për të forcuar pozitën e organit të akuzës, përkundrejt personit nën hetim, se sa për garantimin e ushtrimit të ndjekjes penale dhe dhënies së drejtësisë në të mirë të shoqërisë.
Shpesh herë, pamundësia e organit të akuzës për të siguruar një provë bindëse dhe të pakundërshtueshme, përmes të cilës të provojë fajësinë, duket sikur dikton aplikimin e sforcuar të masës së arrestit në burg, për të krijuar avantazhin e vendosjes së individit në rrethana e kushte izolimi personal, që pamundësojnë mbrojtjen, dobësojnë pozitën e tij përballë opionionit publik, thyerjen morale të personit, dhe shpesh herë duke e dënuar atë publikisht, në mënyrë populiste sikur ai të ishte fajtor për ç’ka dyshohet se mund të ketë kryer. Në fakt, po ta studiosh me vëmendje këtë fenomen, nëse një arrestim ndodh dhe gjithçka amplifikohet në media me bujë, de facto dënimi publik është dhënë, fletë rrufeja ja ka arritur qëllimit të saj dhe pavarësisht se çka ndodh nesër dhe pavarësisht se cili është fati i gjykimit të themelit, asgjë nuk e zhbën dot atë që ka ndodhur.
Jo vetëm kaq, por aplikimi i nxituar dhe pa plotësuar kushtet dhe kriteret e parashikuara nga ligji, dhe zgjatja në kohë e aplikimit të kësaj mase, duket sikur sforcon dhe gjykatën që do të shqyrtojë themelin e çështjes për dhënien e një vendimi të drejtë.
Kodi i Procedurës Penale në nenin 230 parashikon se, “Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit”. Faktet statistikore, por dhe rastet e bëra publike, na tregojnë se shpesh ky kriter i veçantë, nuk merret në konsideratë as nga Prokuroria kur harton kërkesën drejtuar Gjykatës, ku arresti në burg është togfjalëshi më i njohur, dhe as nga Gjykata kur i parashtrohet çështja për shqyrtim. Në fakt, pavarësisht se detyrimin e vlerësimit objektiv e kanë të dy strukturat si Prokuroria dhe Gjykata, kjo e fundit ka një peshë më të madhe, pasi mbart mbi vete detyrimin të verifikojë me imtësi të gjitha kushtet dhe kriteret nga njëra anë, por dhe gjithë pretendimet e palëve nga ana tjetër.
Siç praktika ka treguar, nuk është se drejtësia nuk i njef këto rregulla e standarde, por mungon vullneti për tu thelluar në vlerësimin e tyre. Ka patur edhe raste kur, edhe pse aplikimi i arrestit në burg, ka qenë i detyrueshëm për të aplikuar ndaj individëve vërtetë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe përsëritës në krim, i kemi parë në liri, për shumë pak kohë nga momenti i arrestit. Prandaj është e nevojshme që Prokuroria dhe Gjykata duhet të ndalen hollësisht rast pas rasti, dhe të thellohen në vlerësimin e vendimmarrjen e tyre në aplikimin e masave të sigurimit personal që në çdo rast duhet të ekzistojë një raport i drejtë dhe sa më i balancuar midis nevojës reale të sigurimit dhe masës së sigurimit të dhënë.
Masa e sigurimit e arrest në burg, nuk është dënim penal, por masë që lidhet me nevojat e sigurimit (veprime proceduriale që kufizojnë lirinë e personit për nevojat e sigurimit) e për rrjedhim duhet të garantohet dhe respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë.
Jo vetëm kaq, por shumë vendime gjyqësore, i gjen të pa argumentuara përkundrejt detyrimit që ka gjykata të arsyetojë, sidomos në rastin e caktimit të masës së “arrestit në burg”, zbatimi i të cilës lidhet me verifikimin e ekzistencës edhe të kritereve të veçanta të parashikuara në nenin 230 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo sepse është ligjvënësi që ka përcaktuar se masa e arrestit në burg, si një masë ekstreme, mund të vendoset kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të “rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të të pandehurit.
Sa i drejtë mund të jetë një vendim gjyqësor ku arsyetohet formalisht dhe aspak në mënyrë shteruese dhe të thelluar, se përse, ndaj një shtetasi të dyshuar, aplikimi i një mase tjetër sigurimi më të lehtë, është apo jo e papërshtatshme?!
Gjykata Kushtetuese, në shumë e shumë vendime të saj, ka përcaktuar se: “Arsyetimi i vendimit, nuk mund të vlerësohet vetëm nga pikëpamja formale, por edhe në aspektin substancial, për të konkluduar nëse ka arritur të plotësojë standardet e arsyetimit, si një prej aspekteve të rëndësishme të procesit të rregullt ligjor”.
Referuar këtij standardi kushtetues, një vendim gjyqësor që:
– cakton masën e sigurimit “arrest në burg”, duke arsyetuar përciptazi dhe pa prova, se personi paraqet rrezik të lartë për të kryer vepra të tjera më të rënda apo të ngjashme, por pa e provuar pse gjykata arriti në këtë bindje, dhe pa provuar dhje arsyetuar mbi rrethanat e faktit dhe personalitetit të personit të pandehur;
– një vendim gjyqësor që arsyeton se ekziston rreziku që personi do largohet por pa provuar pse-në e kësaj hipoteze;
– një vendim gjyqësor që imagjinon rrezikun e ndotjes apo dëmtimin të provave, ndërkohë që hetimi penal ka përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim dhe kur nuk ka asnjë shkak të rëndësishëm që vë në rrezik provën ose vërtetësinë e saj;
– një vendim gjyqësor, që nuk arsyeton në mënyrë shteruese se përse çdo masë sigurimi tjetër më e lehtë se ajo e arrestit në burg, është e papërshtatshme,
NUK është një vendim gjyqësor i drejtë, as ligjërisht dhe as moralisht, por është një letër me fuqi urdhëruese, që çdokush është i detyruar t’i bindet, për tu strehuar përkohësisht aty ku prokuroria dhe gjykata, shpesh herë gabimisht, dhe përtej asaj që nevojitet, ka vendosur të jetosh, larg familjes, larg rutinës së përditshme, me mjete të kufizuara për t’u përballur me akuzën që mund të të ngrihet, ndërkohë që mund të të ndodhë, të harrohesh, me muaj të tërë pa u marrë në pyetje apo për të kuptuar se përse ndodhesh atje.
Këto veprime, në përditshmëri sjellin paradokse nga më të ndryshmet, ku një individ që vodhi një libër me vlerë 3000 lekë, të mbahet në paraburgim për muaj me radhë, aq sa kostoja që shteti përballon për vet atë, arrijnë vlerën me të cilën mund të ndërtonte një bibliotekë (mobilje e kam fjalën jo godinë), apo raste të natyrave nga më të ndryshmet.
Nuk është vetëm kjo lloj kostoje, sepse arresti në burg i vendosur në mënyrë të padrejtë, dhe I zbatuar me afate të tejzgjatura e të pajustifikuara, ka efekte të rënda psikologjike tek vet personi i ndaluar dhe familjarët e tij. Studimet tregojnë se shpesh herë niveli i vetëvrasjeve tek të ndaluarit në paraburgim, mund të jetë disa herë më i lartë se ndërmjet personave të burgosur. Sipas studimeve, arresti në burg, i vendosur në mënyrë të nxituar, dhe pa shkaqe që e përligjin atë, ka sjellë dhe pasoja të tjera të rënda, si thyerje apo prishje të lidhjeve familjare, humbjen e punës dhe të mjeteve të jetës, cenimit të nderit, dinjitetit, reputacionit shoqëror që një individ gëzonte në shoqëri përpara ndalimit. Varet nga karakteri e gjithësecilit, se mund ta përballojë apo përjetojë një situatë të tillë në të cilën ai është vendosur.
Dhe të gjitha këto, të menduara dhe të vlerësuara kohë pas kohe, nga vet personi dhe familjarët e tij, sjellin në jo pak raste, mund të sjellin pasoja në shëndetin e tyre të përgjithshëm apo atë mendor. Pra, rrisqet, janë tepër të larta për pasoja dhe kosto të shumëfishta, të shumëllojshme dhe të pallogaritshme. Këto natyrshëm që nxisin dhe ndjenjën e urrejtjes.
Ne pretendojmë se do të integrohemi në Bashkimin Evropian, por harrojmë se për të bërë realitet këtë dëshirë, duhet që më parë të plotësojmë shumë standarde. Midis tyre, disa detyra lindin për gjyqësorin. Disa prej tyre, i shkruan aq qartë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila në shumë vendime të saj, lidhur me arrestin në burg, thekson se:
– Nuk mjafton vetëm parashikimi i dënimit me burgim, qoftë ky i rëndë, për të vendosur në mënyrë automatike masën e sigurimit arrest në burg;
– Arsyetimi në vendimin gjyqësor vetëm mbi rëndësinë e veprës në ngarkim të të akuzuarit është i pamjaftueshëm për të justifikuar burgimin e tij.
– Autoritetet kur vendosin nëse një person duhet të lirohet ose të privohet nga liria janë të detyruara të konsiderojnë masat alternative për të siguruar paraqitjen e tyre në gjyq.
Jo vetëm kaq, por dhe Këshilli i Evropës, përmes rekomandimeve për autoritetet e vendeve anëtarë, evidenton se; “Masa e sigurimit arrest në burg duhet kufizuar rreptësisht dhe të përdoret si mjet i zgjidhjes së fundit pra të jetë një extrema ratio në raste të veçanta, atëherë kur nuk mund të zbatohen masa të tjera të përshtatshme. Çdo kufizim i tillë ligjor (sikurse mund të jetë aplikimi për të padënuarit me parë), duhet të rishikohet, në mënyrë që masat alternative të jenë një mundësi ligjore për t’u konsideruar në sa më shumë raste të jetë e mundur. Masat alternative të sigurimit përkundrejt atyre me burgim, mund të ofrojnë mbikqyrje, udhëheqje dhe asistim të drejtë dhe efektiv të të dyshuarit, pa privimin nga liria, duke forcuar perspektivën e përfshirjes së tyre në shoqëri”.
Nëse këto parime e standarte ndërkombëtare do të aplikoheshin nga sistemi drejtësisë shqiptar, është pak por e sigurt që, nuk do të kishim sot më shumë të paraburgosur se sa të dënuar brenda burgjeve tona.
Mund t’i referoheshim një sistemi drejtësie që prezumohet se funksionon i pavarur dhe me standarde, bie fjala atij amerikan, dhe le të marrim si shembull, çështjen penale të skandalit “Mc Gonigal”, ku akuzat penale të ngritura ndaj ish-Kryeagjentit të Kundër-Zbulimit të FBI-së, janë tepër të rënda.
Edhe pse këtij të fundit iu komunikuan jo një por disa akuza penale, ku marzhi i dënimit të parashikuar është jo një, por nga 10-20 vjet dhe pasojat e ardhura nga veprimtaria kriminale e dyshuar prezumohet se janë shumë të rënda deri në cenim të sigurisë kombëtare, pse ndaj personit nën hetim sistemi i ushtrimit të ndjekjes penale dhe Gjykata dakordësuan se masa e sigurimit më e parshtatshme për të dy palët (shteti amerikan vs MC Gonigal), do të ishte “garanci pasurore”.
Atëherë, çfarë do të thoshim ne shqipot, drejtësia amerikane në këtë rast është treguar tolerante? Jo, atje sistemi ofron garanci si për individin nën akuzë ashtu dhe për shtetin për të kërkuar dhe për të dhënë drejtësi! Pra nga njëra anë garantohet prezumimi i pafajësisë duke respektuar lirinë e individit, dhe nga ana tjetër përmbushet dhe kërkesa e shtetit për detyrimin e këtij personi nën hetim për t’u paraqitur dhe përballur me akuzat që ngrihen kundër tij.
Është gjykimi përfundimtar ai që do të vendosë nëse ai është fajtor, do të ndëshkohet penalisht, apo ai i është i pafajshëm, duke garantuar kështu të paprekura të drejta e liri themelore, dhe duke ulur mundësinë e ardhjes së pasoja negative nga ndjekja penale që po ushtrohet.
Këto standarde, dhe këto mundësi ligjore që i njohim dhe i kemi në dispozicion duhet t’i zbatojë me korrektësi edhe sistemi ynë i drejtësisë. Personalisht kam përshtypjen se ata që janë pjesë e sistemit të drejtësisë sot, kur kërkojnë apo marrin vendime, kujdesen për të dhënë më shumë masa arresti në burg.
Nuk quhesh gjyqtar apo prokuror më i mirë, kur aplikon pa kriter masën e sigurimit personal të “arrestit në burg”. Magjistrat i mirë je, kur përmes një procesi hetimor apo gjyqësor të drejtë arrin, të garantosh të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kur mbron interesat e shtetit dhe të shtetasve, kur mbron shoqërinë nga fenomenet negative, dhe ku përmes provave të formuara sipas ligjit përfaqëson apo shqyrton akuzën në gjykim, për të shkuar drejt së vërtetës, duke evidentuar dhe dënuar autorin apo autorët e vërtetë. Shoqëria e dallon kur një vendim gjyqësor është i drejtë, i duhuri, apo i padrejtë.
Nëse vazhdohet kështu, asgjë të mirë nuk do mund të realizojmë. Do vazhdojmë të rishkruajmë, vit pas viti, e rast pas rasti, romanin e autorit francez Alexadre Dumas, duke futur në burg të pafajshëm si, Edmond Dandes dhe duke i shndërruar ata në kont misterioz të Monte Kristos.
Prandaj, kultura gjyqësore dhe standartet e aplikuara prej saj, duhet të ndryshojnë, duhet të përmirësohet, siç bota e qytetëruar dhe demokratike prej dekadash na rekomandon!
Discussion about this post