GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Pashkët/ Kryepeshkopi Anastas: E vërteta ndriçon ndaj gënjeshtrës

14:55 - 14/04/23
në Aktualitet, Art & Kulturë
Kohë leximi: 4 min
A A
Pashkët/ Kryepeshkopi Anastas: E vërteta ndriçon ndaj gënjeshtrës
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos iu ka uruar Pashkët besimtarëve ortodoksë, festë që ka si mesazh çlirimin nga urrejtja.

Anastas Janullatos e nis mesazhin e tij me dy tragjedi, atë të tërmetit në Turqi dhe Siri dhe ngjarja e rëndë në Greqi, pas një aksidenti hekurudhor.

Mes të tjerash Kryepeshkopi uron besimtarët që gëzimi i Ngjalljes le t’u ndriçojë jetën, duke i çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla.

Mesazhi:

«Gëzohuni!» (Mt. 28:9)

«Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin,

Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit» (Vargëzim i Pashkës).

Pashka e këtij viti na fton në një betejë të vështirë. Këto vite, veçanërisht muajt e fundit, kanë grumbulluar rreth nesh, por edhe në zemrën tonë, një hidhërim të shumëtrajtshëm: Dhimbje të parrëfyeshme për shkak të fatkeqësisë hekurudhore dhe numrit të madh të të prekurve nga tërmeti tek fqinjët tanë, pikëllim të papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë. Këtyre hidhërimeve u shtohen edhe sprovat e ndryshme personale e shoqërore. Megjithatë, Kisha, përmes himnologjisë së mrekullueshme të Pashkës, na fton në një kalim vendimtar: «Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».

Hidhërimi dhe gëzimi gjenden përkrah njëri-tjetrit në jetën njerëzore. Kjo e vërtetë theksohet fort në ngjarjet e Javës së Madhe. Përpara Pësimit, gjatë Darkës Mistike, Krishti ua bëri të qartë nxënësve: «Kështu dhe ju pra tani keni hidhërim, por kur përsëri do t’ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin» (Jn. 16:22).

Dhimbja shkakton tronditje gjatë ditëve të Pësimeve, por, në fund, ajo mposhtet në dritën e ngadhënjimit të Ngjalljes. Fjala dhe këshilla e parë vendimtare e Krishtit të Ngjallur drejtuar Miroprurëseve të përkushtuara, që rendën me vrap drejt varrit, ishte: «Gëzohuni!» (Mt. 28:9). Kur Krishti i Ngjalluar iu shfaq për herë të parë nxënësve të tij, Ungjillor Joani thotë se ata «u gëzuan kur panë Zotin» (Jn. 20:21). Gëzimi i Pashkës buron brenda dhimbjejes së shumtrajshtme që  i kishte paraprirë: tradhëtia, mohimi, shpërfillja, vdekja në kryq. Pashka kryqngjallësore të çliron nga çdo lloj hidhërimi: Ngjallja e Krishtit vërteton fitoren e së vërtetës ndaj gënjeshtrës, të dashurisë ndaj urrejtjes, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen. Krishti i Ngjallur zhduk çdo gjurmë të Hadhit. Trondit pushtetin e vdekjes që sjell dhuna, krenaria, padrejtësia.

Gërshetimi i dhimbjes me ngazëllimin na lë pa fjalë. Megjithatë, harmonizimi i të kundërtave mbetet karakteristikë e jetës në Krishtin. Apostull Pavli e thekson këtë përvojë të jashtëzakonshme: «… në shumë hidhërime, por me gëzimin e Shpirtit të Shenjtë» (1 Thes. 1:6). Kemi të bëjmë me një harmonizim të habitshëm, me një kundërshti të çuditshme. Ai e përshkruan këtë në mënyrë më shprehëse në një letër tjetër: «Jemi të munduar nga çdo anë, por jo të ligështuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar; përndiqemi, por nuk jemi të braktisur; na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund» (2 Kor. 4:8-10). Edhe diku tjetër: «… jemi të hidhëruar, por gjithmonë të gëzuar; jemi të varfër, por pasurojmë shumë veta; nuk kemi asgjë, por në të vërtetë kemi gjithçka» (2 Kor. 6:6-11). Në librin e fundit të Shkrimit të Shenjtë, në Zbulesën e Joanit, përmblidhet, me anë të paraqitjeve simbolike tronditëse, harmonizimi i të kundërtave, ndërthurja e hidhërimit dhe fitores përfundimtare të Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjalluar.

Harmonizimi i hidhërimit me gëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për të cilën flitet, në pamje të parë duket i pamundur. Por, sikurse na siguron edhe Apostulli i kombeve, «unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon» (Filip. 4:13). Kjo ndërthurje duket e pamundur, por marrëdhënia e ngushtë me Krishtin që pësoi dhe u ngjall e bën të mundur. Këtë kungim me Fjalën e Perëndisë së mishëruar e përjetojmë duke qenë pjesë e Kishës, e cila është Trupi i Tij mistik. Shpirti i Shenjtë, përmes këtij kungimi, vepron në jetën tonë, forcon dhe gëzon tërë qenien tonë. Ngjallja është parashijimi i fitores përfundimtare të Perëndisë, parashijim i dashurisë në amshim.

Gëzimi ngjallësor mbështetet mbi themele të forta. Së pari, mbështetet te siguria që na dha Krishti: «M’u dha çdo pushtet në qiell dhe në tokë» (Mt. 28:18). Përgjatë shekujve, shumë janë shfaqur si sundues të botës. Mirëpo, Ai që ka pushtetin përfundimtar për gjithçka që ndodh në qiell e mbi dhé është Zoti ynë Jisu Krisht. Themeli i dytë i patundur është siguria që dha Krishti i Ngjallur: «Unë do të jem me ju të gjitha ditët, deri në fund të kohërave» (Mt. 28:20). Zoti ynë nuk është i largët, nuk është vëzhgues shpërfillës i gjërave që ndodhin. Ai vazhdon të jetë “me ne” në të gjitha fazat dhe çastet e vështira të jetës sonë. Dhe, së treti: Gëzimi paskal shumëfishohet kur dhuron gëzim aty ku urrejtja është me tepri, aty ku dëshpërimi të merr frymën.

«Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin,

Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».

Hidhërimi dhe gëzimi këmbehen me njëri-tjetrin në jetën tonë. Në rrugëtimin tonë nuk mungojnë ngjarjet e dhimbshme të paparashikueshme, fatkeqësitë që kapërcejnë forcat tona dhe na vënë poshtë. Ndihemi të pafuqishëm për t’i përballuar dhe shpesh na pushton frika. Megjithatë, vullneti ynë le të mos bjerë në plogështi. Për sa varet nga ne, le të lëmë që drita e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirti i Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë. Gëzimi kryqngjallësor është tipar dallues i jetës në Krishtin. Prandaj, Apostulli korife e thekson me këmbëngulje: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri ju them: Gëzohuni!» (Filip. 4:4, 1 Thes. 5:16).

Gëzimi i Ngjalljes le ta ndriçojë, pra, jetën tonë, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla. Siguria e ngjalljes, fryma ngjallësore, le të jenë mbështetje dhe burim gëzimi çdo ditë në jetën tonë. Krishti u ngjall!

 

 

Etiketa: kryepeshkopiPashket

Lajme të lidhura

Gjykata e Lartë e Zyrihut përjashton të dhënat e marra nga SkyECC
Aktualitet

Gjykata e Lartë e Zyrihut përjashton të dhënat e marra nga SkyECC

19:57 - 05/12/25
Përplasje mes dy makinave në Tushemisht, 3 të plagosur përfundojnë në spital
Aktualitet

Përplasje mes dy makinave në Tushemisht, 3 të plagosur përfundojnë në spital

18:57 - 05/12/25
Certifikohet pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë
Aktualitet

Certifikohet pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

17:58 - 05/12/25
Para
Vlorë, gjendet mes mbeturinave një armë zjarri

Vlorë, gjendet mes mbeturinave një armë zjarri

Discussion about this post

TË FUNDIT

Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin
Breaking Views

Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

20:29 - 05/12/25

Vëmendja më e madhe është e përqëndruar në Washington, aty ku po hidhet shorti i Botërorit. Nga 48 skuadra pjesëmarrëse,...

Lexo më shumë
Gjykata e Lartë e Zyrihut përjashton të dhënat e marra nga SkyECC

Gjykata e Lartë e Zyrihut përjashton të dhënat e marra nga SkyECC

19:57 - 05/12/25
“Alo… deputetë po pinë cigare në Kuvend”/ Inspektorati zbarkon në Parlament; Bardhi e Peleshi kundërshtojnë, Ministrja: Janë të autorizuar

“Alo… deputetë po pinë cigare në Kuvend”/ Inspektorati zbarkon në Parlament; Bardhi e Peleshi kundërshtojnë, Ministrja: Janë të autorizuar

19:36 - 05/12/25
Përplasje mes dy makinave në Tushemisht, 3 të plagosur përfundojnë në spital

Përplasje mes dy makinave në Tushemisht, 3 të plagosur përfundojnë në spital

18:57 - 05/12/25
Giani Infantino i jep Presidentit Donald Trump “Çmimin e Paqes FIFA”

Giani Infantino i jep Presidentit Donald Trump “Çmimin e Paqes FIFA”

18:42 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com