Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara, deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se projekti i portit të Durrësit ka qenë një kopeturë për të mbuluar vjedhjen e madhe, të tokës dhe e pronave me vlerë rreth 3 miliardë eurosh, duke humbur një aset kombëtar në këmbim të asgjëje. Ndërsa analisti Neritan Sejamini tha se pas këtij projekti nuk është as biznesmeni arab, Alabaar, por ai shërben si mbulesë sepse aty do të hedhin paratë e krimit, të cilat do të investohen me tokën falas të dhënë nga shteti.
Biseda në studio
Igli Cara: Ndoshta kam qenë i pari që e kam denoncuar, sapo u miratua ligji i 3 dhjetorit 2020, në Parlamentin Shqiptar. Dolën faktet se i tëri ishte një proces korruptiv. Ne si durrsakë e kemi menduar shpesh që porti i Durrësit të kthehet në një port jahtesh, të ishte i aksesueshëm për qytetarët, të largohej terminali lindor dhe në 2006-ën, nën qeverisjen e PD-së, cisternat e karburanteve kaluan në Porto Romano. Pra nuk jemi kundër të bëhet marinë detare, që në këtë projekt zë 2 për qind të vlerës. Pra nga 2.1 miliardë euro, marina zë një vlerë prej 20 milionë eurosh.
Pra ka qenë një koperturë për të mbuluar vjedhjen e madhe, e tokës, e pronave të portit që sipas revistës Monitor, janë 3 miliardë euro minimumi. Po japim një aset kombëtar që vlen shumë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë dhe po e japim në këmbim të asgjëje.
Aty do të bëhen 13 mijë ndërtime, dhe pas 30 vitesh, nëse do të fitohet, pala shqiptare do të marrë 33 për qind. 11 përqindëshi që është taksa e infrstrukturës dhe strehimit dhe që i takon bashkisë së Durrësit, 231 milionë euro, u falën, dhe ato do të duhej të derdheshin përpara se të firmosej leja e ndërtimit. Qeveria qendrore fali diçka që nuk ishte e saj, por e pushtetit vendor. Ajo do të bëhej vetëm nëse do të ishte ndonjë brand, si Emaar, por nuk është është vetëm Alabaar.
Neritan Sejamini: Nuk është as Alabaar. Ai është mbulesë. E kam intervistuar vetë. Ai nuk do të investojë asgjë. Do të investojnë kompanitë shqiptare të ndërtimit, do të hedhin aty paratë e krimit, të cilat do të investohen me tokën falas të dhënë nga shteti. Është një parajsë për të pastruar paratë e krimit dhe t’i pastrosh me privilegje, pa paguar taksa, pa patur probleme, pa blerë tokën. Dhe ky është projekt kriminal.
Discussion about this post