Nga Dr. Ernest Nasto
Skena politike amerikane vazhdon të mbizotërohet prej fundit të marsit nga jehonat e një ngjarjeje të pandodhur kurrë në historinë e vendit: hapja e një procesi kriminal kundër një ish-Presidenti, Donald Trump.
Të dyja partitë janë pozicionuar qartë në qëndrimet e tyre dhe po përpiqen të parashikojnë pasojat e mundshme për fushatën presidenciale të 2024 e më tutje. Demokratët përkrahin procesin me pretendimin se “askush, as edhe një ish-President s’mund të jetë mbi ligjin”, ndërsa republikanët janë shprehur se padia është tërësisht e sajuar, është një proces politik që barazon detyrimisht drejtësinë amerikane me atë të një “republike bananesh”.
Në pamje të parë padia duket vërtet e rëndë: kemi një listë me plot 34 akuza, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve të 2016 duke e bërë Trump në fund të fundit një falsifikator të zakonshëm, ashtu si qindra të tjerë që akuzohen e dënohen çdo ditë për krime të tilla. Mirëpo, për ta pranuar këtë duhen kryer një sërë manovrimesh të diskutueshme juridike, dhe gjithashtu optika është tepër e pafavorshme për palën akuzuese.
Kështu, të 34 akuzat janë vërtet një numër impresionues që të jep përshtypjen se bëhet fjalë për lloj-lloj krimesh nga më të ndryshmet. Por nga shqyrtimi i tyre del se janë vetëm 3 persona, të cilët kanë pasur informacion komprometues rreth kandidatit Trump dhe u paguan thjesht për të mbyllur gojën. Pagesat janë paraqitur nga Trump si “shpenzime juridike”, ndërsa, sipas akuzës, duhet të ishin deklaruar si “kontribute për fushatën zgjedhore”. Manovrimi qëndron në atë se secila pagesë përfshin një sërë regjistrimesh (kështu funksionon sistemi kontabël në tërë botën), dhe Prokuroria, me një praktikë të posaçme, ka zgjedhur ta quajë secilin regjistrim si shkelje të veçantë.
Praktika në fjalë njihet si “shumëfishim akuzash” (count stacking) dhe prokurorët e përdorin shpesh për të shtuar presionin mbi të pandehurin. Megjithëse e konsideruar si e njëanshme, pra, në favor të palës paditëse, kjo praktikë s’është ilegale, dhe vetëm nëpërmjet saj arrihet te numri total i 34 akuzave. Ekspertë nga të dy krahët mendojnë se ngritja e nivelit të këtyre veprimeve nga “shkelje” (misdemeanor) të dënueshme me gjobë në “krime” (felony) të dënueshme me burgim, dëshmon për zell të tepruar të prokurorisë, që në situatën e sotme do të interpretohet doemos si e ndikuar nga politika.
Kjo përforcohet edhe nga fakti që një dëshmitar kyç për akuzën është ish-avokati personal i Trump, Michael Kohen, tashmë i dënuar vetë për falsifikime e mashtrime. Dhe pikërisht optika politike është siç thamë faktori kryesor që duhet konsideruar e që sot paraqitet krejt e pafavorshme për palën paditëse. Së pari, i akuzuari Donald Trump është sulmuar vazhdimisht nga demokratët dhe mediat tradicionale qysh prej shpalljes së kandidaturës së parë presidenciale më 2015, e ka qenë po ashtu nën hetim në vitet 2017- 2019, gjatë mandatit të tij, për lidhje të pavërtetuara me Rusinë.
Këto sulme dhe përgjigjet e tij të ashpra ndaj tyre kanë qenë faktor me rëndësi në tensionimin gjithnjë në rritje të situatës në vend. S’duhen harruar as thirrjet e Presidentit të 45-të e të lëvizjes MAGA për ndjekje penale ndaj kundërshtarëve (thirrja “Lock her up!”), ndërsa hyrja në politikë iu mundësua vetëm nga insistimi i tij i stërzgjatur, më 2010-2011, në teorinë konspirative të “falsifikimit të certifikatës së lindjes” prej paraardhësit Barack Obama. Lideri republikan ka pasur padyshim rol përcaktues në rritjen e ndjeshme të konfliktualitetit politik prej 2015, ndonëse s’mund të quhet kurrsesi nismëtari i acarimit. Por të gjitha këto nuk justifikojnë aspak një hakmarrje politike nga demokratët, aq më tepër nëse kjo maskohet si një proces i zakonshëm penal, sepse dy të këqija s’janë kurrë barazi me një të mirë.
Së dyti, pagesat për “mbyllje goje” janë të zakonshme për figurat e njohura publike, artistët, etj., të cilët akuzohen shpesh për lajthitje morale nga më të ndryshmet. Kështu që është më e lehtë ta paguash akuzuesin të heshtë se sa ta hedhësh në gjyq, meqë kjo mund të jetë shumë më e kushtueshme. Dihet gjithashtu nga historia politike amerikan se skandalet seksuale s’kanë qenë kurrë të mjaftueshme për të dëmtuar një President, përkundrazi kanë pasur efektin e kundërt, siç u dëshmua nga rritja e madhe e popullaritetit të Bill Clinton pas skandalit Lewinsky. Së treti, dosja Trump ishte përmendur vazhdimisht nga Alvin Bragg gjatë garës zgjedhore për postin e prokurorit të Manhattan, të cilën ai e fitoi më 2021. Kjo s’do të thotë se ai kish premtuar “ta dënonte” ishPresidentin, siç pretendojnë përkrahësit e këtij të fundit, sepse Prokuroria s’ka kompetencë të dënojë ndokënd.
Por ai përdori shpesh konceptin e “vënies para përgjegjësisë”, gjë që për demokratët sinjalizonte qartë vullnetin për të ngritur akuzë penale. E gjitha kjo përforcon përsëri idenë se procesi është kryesisht politik. Së fundi, një numër personalitetesh republikane, rivalë të Trump, apo që ky i ka pasur në shënjestër të fyerjeve e talljeve të tij, kanë thënë se çështja është e fryrë dhe pa bazë të shëndoshë. Kështu, ish-prokurori i përgjithshëm, William Barr, deklaroi se “unë kam pasur problemet e mia me Presidentin, por ndihem keq për këtë që po ndodh, nuk mendoj se është e justifikuar”. Ngjashëm janë shprehur edhe kundërshtari i hershëm i Trump, Mitt Romney, rivali i tij në primaret e 2016, Jeb Bush, e plot të tjerë.
Ata thonë se procesi do të ishte mbyllur prej kohësh, ose të paktën shkeljet s’do t’i ishin konsideruar krime, nëse Donald Trump do të ishte tërhequr nga arena politike pas mbarimit të mandatit të tij e s’do të ishte kandidat për zgjedhjet e 2024. Për këto arsye është e pamundur që procesi t’i shpëtojë politizimit në opinionin publik, gjë që do të ketë pasoja për vetë peizazhin politik amerikan dhe për imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë. Vendi ndodhet tashti në një terren ligjor të panjohur sepse është hera e parë që ngrihen akuza të tilla në historinë e tij 250- vjeçare, gjë që mund të hapë rrugën për procese të anasjella ndaj demokratëve.
Një numër personalitetesh kanë pohuar se nëse Trump do të qe akuzuar për rolin e luajtur në ngjarjen e 6 janarit 2021, edhe ajo e paprecedent, kur një turmë përkrahësish sulmuan selinë e Kongresit, procesi do të ishte më i besueshëm krahasuar me falsifikimin e dokumenteve apo klasifikimin e gabuar të shpenzimeve. Këto të fundit lënë vend për keqinterpretime dhe dëmi më i madh kësisoj është se minohet keqas besimi tek institucionet, te sistemi ligjor, si edhe besimi në shkallë shoqërie në përgjithësi. Dhe dihet se pa këtë besim, demokracia e ka shumë të vështirë të funksionojë. Në arenën ndërkombëtare mjaft aktorë do ta konsiderojnë me siguri procesin si “drejtësi e fituesit”, d.m.th. kur pala në pushtet përndjek palën kundërshtare siç ndodh rëndom në vendet në zhvillim. Ky perceptim është i pashmangshëm edhe sikur të jetë e vërtetë se administrata Biden s’ka ndërhyrë fare në procesin në fjalë.
Kjo do të shoqërohet doemos me rënie të autoritetit të Amerikës në botë, sidomos në një drejtim që ka qenë thelbësor për rolin e saj qysh prej 1945: mësimet që u jep të tjerëve për demokracinë. Sidoqoftë, rezultati i gjertanishëm ka qenë rritja e përkrahjes republikane për Trump ndërmjet kandidatëve të mundshëm të partisë për 2024: avantazhi i tij ndaj rivalit Ron DeSantis u rrit me 4 pikë pas shpalljes së akuzave. Vëmendja e mediave ndaj ish-Presidentit, padyshim valuta më e vlefshme në epokën e sotme të komunikimit publik, është po ashtu në rritje.
Prandaj shqetësimi i disa qarqeve konservatore jashtë fraksionit trumpist MAGA është se tërë kjo histori, me konsolidimin e Trump si kandidat zyrtar e i padiskutueshëm më 2024, do çojë në humbje të sigurt për republikanët dhe një mandat të dytë demokrat. Trump është sigurisht një figurë tepër polarizuese, pa etikë, dhe që ngjall emocione të forta. Por ngritja e një padie të dyshimtë, bazuar në masë të madhe në dëshminë e një personi si Michael Cohen, s’është mënyra për t’i fashitur ato emocione, sidomos duke marrë parasysh dëmet politike që përmendëm.
“Askush s’është mbi ligjin, por askush s’mund të jetë as nën të”, deklaroi njëri nga avokatët e ish-Presidentit, “…nëse ky njeri s’do të quhej Donald Trump, s’ka asnjë gjasë se do të ishim këtu sot”. Mbetet, pra, e vështirë të argumentohet se padia në këtë rast të bujshëm ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe jo me personin Trump.
Discussion about this post